Zgjedhjet në Dibër kanë krijuar jo pak konfuzion tek të dyja kampet kryesore që ishin në garë. Në Partinë Socialiste janë të kënaqur me fitoren, por edhe vetë nuk dinë ta shpjegojnë rezultatin me mbi 4 mijë vota që morën. Nuk e prisnin një fitore kaq të madhe, bile u ka bërë dëm, pasi po hidhen dyshime të mëdha se si u morën kaq shumë vota, ndërkohë që një vit me parë diferenca ishte me pothuajse pak vota. Në PS janë kaq të habitur sa edhe vetë po pyesin se si dolën kaq shumë përpara,sepse në kohën kur në gjithë vendin, sipas edhe sondazheve të PS, ka një pakënaqësi ndaj qeverisjes, Dibra bëri çudinë duke i dhënë më shumë vota sesa ata endërronin. Kanë konfuzion, sepse kur flitej për probleme në koalicion, e majta rikonfirmohet edhe me më shumë vota se në vitin 2015. Janë të paqarta për arsyet e fitores, sepse e dinin që në Dibër nuk kishin realizuar premtime.
Nuk hodhën asnjë lopatë për Rrugën e Arbërit dhe për më tepër, brekët dhe skandali i Shukri Xhelilit i ndoqi pas gjatë gjithë fushatës. Pavarësisht kësaj PS-ja dhe kandidati i saj fituan. Mund të pranohet një fitore e pranueshme diku tek 500 apo 1000 vota plus, porse me 4169 diferencë vota as në endërrën me fatlume nuk mund t’u ndodhte.
Të njëjtat arsye që PS-ja i dinte se i kishte minus, PD-ja i rendiste si pikët e saj të forta në fushatë. Ndaj dhe opozita është konfuze nga humbja e thellë në Dibër, ku priste që këtë garë ta kishte të fituar në tavolinë. Paqartësia është e dukshme dhe në reagimet që demokratët kanë bërë gjatë 48 orëve të fundit. Janë të hutuar edhe në selinë blu. Ndërkohë në selinë rozë hutimi vjen nga kaq shumë vota, tek PD-ja habiten dhe dyshojnë se diçka ndodhur natën e së shtunës në krejt Dibrën.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe deputetët të tjerë janë kapur pas teorisë së manipulimit të zgjedhjeve. Por nuk thonë se nuk i njohin zgjedhjet, të cilat sipas tyre janë të blera, por as nuk kanë prova që të dëshmojnë manipulimet. Dy tre raste që kanë denoncuar për blerje votash, mund të jenë të vërteta. Por numri prej 4 mijë votash lë pak hapësirë për diskutime. Zgjedhjet në Dibër nuk janë një model i standardeve elektorale. Këtë gjë edhe socialistët e dinë mirë. Por edhe që zgjedhjet në Dibër u blenë votë më votë është paksa jo reale për t’u besuar. PD-ja, grupi parlamentar, korpusi “Azem Hajdari”, seksionet dhe grup sesionet ishin në terren 40 ditë në Dibër. Nëse gjithë kjo kohë nuk u mjaftoi për të bërë denoncime dhe për të demaskuar vjedhjen, pas fitores është e kotë të lodhen të gjejnë provat.
Në gjithë reagimet e djeshme të zyrtarëve të PD-së, në media dhe rrjetet sociale, flitet vetëm për fajin e qeverisë dhe kartelin e hashashit që bleu votat. Shumë pak njerëz në PD po arrijnë të lexojnë siç duhet rezultatin e opozitës në Dibër. Humbja erdhi edhe për raste të blerjes së votës, pasi nuk ka pasur zgjedhje ku nuk është blerë vota në Shqipëri, por mbi të gjitha, PD-ja e humbi Dibrën për vetë fajin e PD-së. Diçka ka ndodhur edhe brenda vetë PD-së. Slogani, mënyra e fushatës, kandidati profesionist, por jo me banim në Dibër, kulisat brenda selisë blu apo blerja masive e votave nga “karteli i drogës” janë dilema që duan një zgjidhje të besueshme për publikun nga PD.
Astrit Patozi ishte demokrati i vetëm që dje, mes akuzave për manipulime nga qeveria, e shihte humbjen e Dibrës edhe tek selia blu. “Duhet të kuptojmë një herë e përgjithmonë se asnjëherë opozita nuk e mund qeverinë me ushtri të rregullt, edhe sikur e gjithë të përqendrohet në një qytet apo fshat. Sepse në të gjitha rastet, ai që ka pushtetin, është disa hapa para opozitës, si në mjete, ashtu edhe në mundësi dhe infrastrukturë. Por opozita e shkul qeverinë me gjithë çka, kur krijon frymë refuzimi dhe shprese dhe është pikërisht ky misioni i vetëm i Partisë Demokratike sot”,- shkruan në një koment, Astrit Patozi.
Dhe realisht, ato që i munguan opozitës në këtë fushatë lokale, të cilën tentoi ta përdorte si trampolinë për zgjedhjet e 2017-ës, ishin fryma e refuzimit dhe shpresa. PD hyri në fushatë në Dibër, duke bërë pretime kombëtare. PD-ja hyri në këtë fushatë me idenë se dibranët do e ndëshkonin Ramën për koncesionet që jep në Tiranë. Hyri në fushatë duke folur më shumë tenderat e Sadri Abazit dhe qeverisjen e Ramës, sesa hallet e dibranëve. Por edhe nëse oferta ishte kombëtare, PD-ja ishte vetëm në pozitat e denoncimit dhe nuk jep zgjidhje se çfarë do të bëjë kur të vij në pushtet.
Por nuk ishin këto problemet e vetme të PD-së, në këto zgjedhje. Në tre vjet, PD-ja tregoi se ka ende probleme me organizimin e brendshëm të saj, me mënyrën sesi zgjedh aleatët dhe njerëzit që zgjedh në forume për të zhvilluar beteja elektorale. Nga emrat që tund para elektoratit. PD-ja ka nevojë për frymën e kohës së Berishës para vitit 2005, kur krijoi FRYMË, SHPRESË DHE PROGRAM. Natyrisht me emra nga krejt bota e shoqërisë e jo vetëm me demokratë me tesera.
Testi i Dibrës ishte një leksion i hidhur dhe për kreun e partisë, Lulzim Basha. Prova e Peshkopisë është e mjaftueshme për ti dhënë leksionet e duhura për zgjedhjet e vitit 2017. Lulzim Basha është model politikani europian, por duhet të zbresë në realitetin shqiptar, ku dhëmbët duhen treguar përballë pushtetit të “kartelit të drogës”.
Nëse humbën një bashki në Dibër nuk është bërë nami për PD-në. Është një sinjal që duhet përkthyer nga Basha se duhet strategji tjetër, emra nga krejt shoqëria civile, natyrisht pa harruar anëtarësinë demokrate.
Me këtë mënyrë përballje me Edi Ramën, siç tregoi Dibra, opozita nuk vjen në pushtet në vitin 2017. E padiskutueshme! Ndaj ka nevojë të mbledhë veten PD-ja, të reagoi me qetësi, por jo duke fjetur. Duke reaguar, duke bllokuar, duke u përballuar me pushtetin me turmën e popullit të pakënaqur, duke ofruar emra VIP nga bota e shoqërisë e jo ti shikojë si servilë të nesërm.
Berisha fitoi atëhere kur nuk mund të fitonte, në vitin 2005. Përballë një pushteti të inkriminuar, me kandidatë përballë të PS-së që vinin nga bota e krimit. Dhe fitoi. Natyrisht që jemi në vitin 2016 dhe e njëjta skemë si në vitin 2005 nuk mund të zbatohet, porse duhet FRYMA, EMRAT, PROGRAMI, KURAJO DHE PËRBALLJA me pushtetin që këtë vjeshtë.
Më vonë është tepër vonë!