Home KRYESORE Prec Zogaj: Ja arsyet pse fituan dy Ramat ne Diber

Prec Zogaj: Ja arsyet pse fituan dy Ramat ne Diber

Analisti Preç Zogaj me anë të një analize në Gazetën Panorama ka nënvizuar me të zezë njësërë arsyesh të fitores së të majtës në Dibër. Zogaj shkruan se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje zakonisht flet në favor të kandidatëve të opozitës. Sipas tij, sidomos kur zgjedhjet vijnë me bilanc zero apo me shenjën e skandaleve qeveritare.

Ai thekson se në zgjedhjet e së dielës në Bashkinë Dibër ndodhi e kundërta.

“Rritja e pjesëmarrjes është reflektuar në rezultatin e lartë të kandidatit të qeverisë, Muharrem Rama. Ky nuk është i vetmi zakon politik që u përmbys në Dibër. Ky, madje, mund të konsiderohet më i lehti. Është shumë e vështirë ndërkaq të shpjegohet nga pikëpamja politike apo politologjike një rritje kaq e madhe e palës qeveritare në harkun e një viti”, shkruan Zogaj.

Në analizën e tij në ‘Panorama’, ai pyet se çfarë ka ndodhur në Dibër në verën e vitit 2015 deri në verën e vitit 2016?

“Ka ndodhur largimi i ish kryebashkiakut socialist për arsye që dihen. Asgjë tjetër”, shkruan Zogaj.

Ndërsa, thekson se rritja me mbi dhjetë për qind brenda një vitit, fjala vjen, mund të justifikohej me rritjen spektakolare të pensioneve, të rrogave, të punësimit.

“Katër mijë vota më shumë mund të jepeshim po të ishte ndërtuar Rruga e Arbrit dhe dibranët të ishin një popull mirënjohës që i shpërblen me votë veprat e mëdha publike në të mirë të komunitetit, pavarësisht nga ngjyrat e qeverisë? Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Pensionet, po ato. Rrogat, po ato”, shkruan ai.

Varfëria është shtuar, përderisa është rritur në Shqipëri, sipas Zogajt, nuk ka si të mos jetë shtuar në Dibër.

“Për të mos u dukur tendenciozë, le të themi ka qëndruar në vend. Në Rrugën e Arbrit nuk është hedhur asnjë kazmë. Fati i saj ka hyrë në enigmë më shumë se ishte para një viti”, shkruan ai .

“Si ta shpjegojmë këtë vërshim? Si ta shpjegojmë këtë rritje spektakolare të shumicës në harkun e një viti– shkruan Zogaj- a kishte shumica një kandidat më të mirë se opozita? A kishte kandidati i shumicës një program më të mirë se kandidati i opozitës? A bëri shumica një fushatë më të mirë se fushata e opozitës?”

Në kushtet, si në Dibër, ku sipas Zogajt, ndodhi rrethimi i zgjedhjeve, marrja peng e tyre dhe doli në dritë krimi elektoral, mund të shihet ana pozitive e medaljes së humbjes që pësoi opozita në Dibër.

“Opozita sigurisht ka çfarë të mësojë nga zgjedhjet në Dibër në funksion të përmirësimit të imazhit dhe ekipeve. Në kontekstin e synimeve të saj për të fituar zgjedhjet e ardhshme, asaj mund t’i vlejë më shumë kjo humbje që shpalosi në dritë të diellit një realitet të ashpër”- shkruan Zogaj.

Share: