Home KRYESORE Enigma e Dibrës dhe Rama me pantolla të shkurtra

Enigma e Dibrës dhe Rama me pantolla të shkurtra

Nga Armand Shkullaku

Ditën e Kurban Bajramit, që përkoi edhe me fitoren e zgjedhjeve në Dibër, Edi Rama u shfaq çuditshëm në mes të Tiranës, me brekë të shkurtra dhe t- shirt, duke ecur në këmbë nën shiun e shtatorit. E qëllimshme ose jo, metafora ishte e qartë: kryeministrin nuk ka kush ta shqetësojë, ai fiton edhe duke shëtitur në bllok me brekë të shkurtra. Madje ka fituar edhe pa brekë fare. Ose, në mënyrë konkrete dhe jo figurative, edhe me brekë të grisura, siç ndodhi të dielën në Dibër.

Dibra, për shumë arsye, na tregoi se vërtet çështja e zgjedhjeve sa vjen e bëhet një “punë e kryer” për Edi Ramën. Në Dibër nuk u fitua “me brekë nëpër këmbë” por me një rezultat që i befasoi të gjithë. Ky rezultat nuk ishte thjesht 10 herë më i lartë se ai i para një viti, por 4 mijë e ca votave duhet t’u shtohen edhe rreth 3 mijë të tjera që kandidatë të djathtë i ndanë mes tyre në qershorin e vitit të kaluar. Atëherë kur PS, për herë të parë pas 25 viteve, e fitoi Dibrën me 400 vota diferëncë pasi votat e së djathtës u shpërndanë. Sot, jo vetëm u rikuperuan rreth 3 mijë votat e 2015, por ato u shtuan edhe me 4 mijë të tjera duke i bërë kështu 7 mijë dibranë të ndryshojnë mendje në 12 muaj.

Çfarë kishte ndodhur për një përmbysje kaq tronditëse?

Socialistët hynë në këto zgjedhje me një bilanc thuajse katastrofik. Jo vetëm sepse ato u provokuan nga skandali i një njeriu që Edi Rama e kishte zgjedhur të drejtonte Dibrën dhe degën e PS atje, por edhe sepse, që nga ardhja në pushtet, vetë kryeministri nuk kishte vënë këmbë në atë krahinë. Ai nuk e mbajti premtinin e dhënë dy herë (2013 dhe 2015) për rrugën e Arbërit. Dibra u përjashtua nga Rilindja Urbane, niveli i papunësisë është ndër më të lartët në vend, mbi 7 mijë familje jetojnë me ndihmë ekonomike, bashkia mban vendin e parë në aplikimet për azil në periudhën 2014- 2015 dhe investimet e qeverisë atje e rendisin edhe pas Librazhdit.

Politikisht, koalicioni hyri i sëmurë në këto zgjedhje. LSI reflektoi mosinteresim dhe në disa raste madje, njerëz të saj nuk e fshehën simpatinë për kandidatin e djathtë, Sherefedin Shehu. Po kështu, mbështetës nga rrethi ish kryetarit Shukri Xhelili, ishin të ftohtë në këto zgjedhje dhe nuk pritej të mbështesnin kandidatin Rama. Historikisht dibranët kanë votuar djathtas dhe fitorja e PS në 2015 u konsiderua një aksident apo gafë e PD. Po t’u shtohen këtyre edhe abuzimet me tendera e para publike apo punësimet selektive në administratën lokale, edhe politikisht bilanci ishte katastrofik për të majtën.

Megjithatë, burri me pantallona të shkurtra, fitoi me një diferencë të habitshme duke e shndërruar rastin e Dibrës në “enigmën” e re të zgjdhjeve shqiptare. Eshtë e lehtë, dhe ne të gjithë e bëjmë rëndom një gjë të tillë, të vihet me shpatulla për muri opozita dhe Lulzim Basha. PD gaboi, nuk ka ndryshuar nga viti 2013, duhet të rimethelohet, duhet të ketë vizion, Basha nuk po tregon lidership, nuk është i besueshëm, etj, etj. Të gjitha këto qëndrojnë.

E përsëri ato nuk e shpjegojnë dot “enigmën” e Dibrës. Nëse dibranët do t’i shumëzonin me zero gjithë bilancet e mësipërme e do të votonin përsëri për PS, ashtu siç bënë, rezultati mund të ishte i ngushtë por jo një përqafim masiv me përmbysje të 7 mijë votave.

Me gjasë, në Dibër nuk ka ndodhur as përmbysje dhe as zgjedhje kandidatësh. Por një llogari e thjeshtë e interesit të gjithsecilit nga votuesit. Kemi mbërritur në një fazë të politikës, ndoshta të fundit, ku ideologjitë, programet, frymëzimi, kandidatët, projektet, nuk kanë më asnjë pikë rëndësie. Hapur, të gjithë e dinë dhe e pranojnë se ato janë fjalë boshe, se ndërrimi i qeverive apo i shukrive, nuk sjell ndryshim alternativash por thjesht karrikesh. Se të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfërit më të varfër, pavarësisht se për kë votojnë apo se ku militojnë. Se mes partive tona nuk ka më dallime. Dhe se politika nuk është më një mjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por një pazar banal për ata që e ushtrojnë.

Dibranëve, të njohur për aftësi në tregëti dhe llogari, nuk mund t’u ngarkohet asnjë përgjegjësi për zgjedhjen e tyre. Në një vend ku elita në mënyrë të hapur e ka kthyer ideologjinë dhe besimin në treg shit- blerje dhe parimet e rregullat i ka zëvendësuar me pazare e manipulime, nuk mund t’u kërkosh qytetarëve të respektojnë bindjet dhe jo nevojat e tyre.

Dibranët, si gjithë shqiptarët, kanë vite që shohin se si një opozitë betohet për reforma, ndryshime e ndëshkime dhe kur vjen në pushtet vazhdon me të njëjtën metodë dhe me të njëjtët oligarkë si qeveria paraardhëse. Ata kanë parë se si LSI herë shkon me PD e herë me PS, vetëm për mbetur në pushtet. Kanë parë e po shohin partinë e çamëve që përkulet sipas çmimit të ditës herë para Berishës, herë para Ramës. Dëgjojnë e shikojnë media, biznese, shoqëri civile, që busull orientuese kanë vetëm pushtetin. Atëherë, vetëm ata, dibranët dhe shqiptarët e thjeshtë u dashka të jenë “të pakorruptueshmit” në këtë vend?

Por edhe nëse do të ishin të tillë, kë do të zgjidhnin, për kë do të votonin që të mund të bënin diferencën brenda sistemit të kalbur ku janë dënuar të jetojnë varfërinë e tyre? Partitë nuk i gënjejnë dot më, prandaj këto 10 vjet, sa vjen e duke u shtuar, zgjedhjet janë shndërruar në një treg me okazion ku secili shpreson të kapë ofertën e duhur dhe jo të besojë premtimin e harruar. Kur nuk pret që asgjë e madhe të ndryshojë me votën tënde, të paktën ajo të përdoret për të rregulluar ndonjë gjë të vogël.

Rreth 300 persona u punësuan në 3 muajt e fundit nga nënkryetari i bashkisë në Dibër. Vetëm në Maqellarë, 83 familje iu shtuan skemës së ndihmës ekonomike. Tre fshatra, të mbetura pa energji prej 15 vjetësh, i ikën mesjetës dhe u bënë me drita. Njerëz të këputur nga varfëria, morën ca ushqime e ca para, për të shtyrë muajt e dimrit dhe duke shpresuar që ato të shtohen në zgjedhjet parlamentare. Dhe me siguri do të shtohen. Ata nuk votuan as për PS e as për PD, as për Sheron e as për Rremën, që për ta tashmë janë e njëjta gjë, por për hallin e tyre. Kjo mbase e shpjegon “enigmën” e zgjedhjeve të Dibrës dhe, pse jo, edhe atë të Shqipërisë nesër.

Enigma nuk shpjegohet vetëm si rezultat i manipulimit elektoral, kartelit të drogës, parave të krimit, apo asaj që Preç Zogaj e cilësonte dje tek Panorama, një xhungël zgjedhore, por ajo është një përfundim logjik i degradimit të një sistemi politik e shoqëror, i cili ka humbur çdo vlerë dhe ka asgjesuar besimin që çdo shoqëri normale demokratike ka tek vendimmarrja e saj.

Duke folur pas humbjes në Dibër, Lulzim Basha, mbase në mënyrë të pavullnetshme, e dha dhe ai një shpjegim që shkon me të vërtetën. “Ata (dibranët) kanë humbur kaq shumë shpresën tek politika, sa mendojnë që më mirë një thes me miell sot se sa të besosh premtimet e politikanëve që nuk bëhen kurrë realitet”, tha Basha por pa thënë që pjesë e kësaj politike që ka vrarë shpresën dhe nuk mban premtimet, është edhe ai dhe PD. Dibranët dhe shqiptarët nuk mund të gjykohen për “thesin e miellit”, kur vetë opozita është pjesë e kompromentuar sistemit dhe jo promotor i shembjes së tij.

Basha thotë se dibranët kanë humbur shpresën tek politika, dhe brenda politikës nuk ka si mos të jetë edhe opozita, e cila vazhdon të tregojë se për të më e rëndësishme është llogaria e numrave se sa krijimi i një fryme, edhe me rriskun e humbjes brenda. Enigma e Dibrës shpjegohet edhe me flirtet e paqëndrueshme të PD me LSI, me kujdesin ndaj “tregut çam” se nesër mund të kalojë me “ne”, me denoncimet për disa biznesmenë e ruajtjen e disa të tjerëve, pra me filozofinë e kompromiseve për hir të ardhjes në pushtet dhe jo të sakrificës për t’i shërbyer interesit publik. Dhe kur të dyja palët ngjajnë njëlloj, sigurisht dibranët dhe shqiptarët do bëjnë edhe ata llogaritë e tyre. Në këtë rast dihet, se oferta e pushtetit është gjithnjë më atraktive dhe më plotësuese. Këtu nuk ka më enigma.

Dikur, në vitin 2013, Fatos Lubonja me të drejtë predikonte se rotacioni ishte më i mirë edhe në rast se alternativa nuk premtonte shpresë. Sipas tij, nëse edhe alternativa e majtë do të dështonte apo do të qeveriste njësoj si Berisha, njerëzit më në fund do të bindeshin se të dyja partitë janë anë të së njëjtës medalje dhe kështu do t’i hapej rruga refuzimit të tyre dhe sistemit të tyre dhe, pse jo, lindjes së një force të re. Në fakt sot, e vetmja gjë që ka pjellë rotacioni i fundit, dhe që u pa goxha e zhvilluar në Dibër, është pragmatizmi popullor. Humbja e besimit nuk ka prodhuar revoltën për ndryshim, por nevojën për adaptim.

Nëse Basha dhe PD nuk vendosin të dalin nga rrethi i interesit, që nuk i lejon të thyejnë sistemin edhe me koston e vetëdëmtimit, “enigma” e Dibrës do të shumëfishohet dhe Edi Rama do të vazhdojë të shëtisë me pantallona të shkurtra. /mapo/

Share: