Home KRYESORE Shehaj dhe Fagu flasin për largimin nga Tatimet e Doganat

Shehaj dhe Fagu flasin për largimin nga Tatimet e Doganat

Dy ish-drejtoreshat, atë të Tatimeve, Brisida Shehaj, dhe të Doganave, Pranvera Fagu, që pritet të emërohen në detyra të reja, dhe Belinda Ikonomi, këshilltare e Kryeministrit Rama, që pritet të emërohet në krye të Drejtorisë së Doganave të kontaktuar nga “Panorama” flasin për lëvizjet e fundit.

Ish-drejtorja e Tatimeve, Briseida Shehaj ka folur për herë të parë për largimin nga detyra që mbante dje në një prononcim për “Panorama.al”, kur tha se kishte komunikuar me Ramën dy ditë më parë për lëvizjen e saj.

Të gjitha drejtueset aktuale janë eksperte në fushën e ekonomisë dhe financave, por që tashmë pritet të marrin një sfidë të re drejtimi.

Ish-Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj, u shpreh se posti i ri i është komunikuar nga Kryeministri Rama. Shehaj pritet të emërohet zv.ministre e Ekonomisë dhe postin e ri e cilësoi jo vetëm si sfidë profesionale, por edhe si sfidë të ekipit qeverisës.

“Pas një komunikimi që kam zhvilluar ditën e djeshme me Kryeministrin Rama, kam pranuar detyrën e re që më është propozuar. Ajo që dua të theksoj është se gjatë këtyre 3 viteve nën drejtim e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, lë pas një sistem të ngritur, i cili ka qenë i suksesshëm në mbledhjen e të ardhurave. Në fund të 8-mujorit, të ardhurat e realizuara nga Tatimet kanë qenë me rritje 3 miliardë lekë. Detyra e re është një sfidë jo vetëm për mua, por edhe për Qeverinë, pasi puna jonë është puna e një ekipi”, u shpreh Shehaj.

Ndersa Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Pranvera Fagu, u shpreh se nuk ka dhënë dorëheqjen dhe se vazhdon të jetë ende në punë. Fagu shpjegoi se shkarkimi i kreut të Doganave bëhet me vendim qeverie, dhe deri tani nuk është marrë një i tillë.

“Nuk kam dhënë dorëheqjen, vazhdoj të jem në punë. Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave dhe shkarkimi i tij bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave”, u shpreh Fagu.

Belinda Ikonomi, këshilltarja e Kryeministrit Rama për ekonominë e kontaktuar, nuk pranoi të japë koment për detyrën e re, ndërsa shtoi se emërimet e reja bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ish-drejtoresha Brisida Shehaj, e diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, u emërua në krye të Tatimeve më 2 tetor të 2013-s.

Pranvera Fagu është emëruar në krye të Doganave në korrik të 2015-s, në kohën kur ky institucion ishte në qendër të kritikave për mosrealizimin e të ardhurave dhe raportit të “Crown Agents” për rritjen e kontrabandës. Gjatë drejtimit të Fagut në krye të Doganave, Kryeministri Rama shkarkoi brenda ditës 14 drejtuesit e drejtorive rajonale të Doganave.

Ndërsa Vasilika Vjero mban postin e drejtoreshës së Regjistrimit të Biznesit, pas shkarkimit nga detyra të ish-drejtorit Tomi Kola, i emëruar nga qeveria e mëparshme./360grade.al

Share: