Ndryshe nga ajo që jemi mësuar, Erjon Braçe nuk pati ndonjë shpërthim me sharje dhe fyerje kundër protestës që po bëhet për votimin e ligjit të importit të plehrave.
Madje, deputeti e ka trajtuar me sportivitet këtë çështje në emisionin Wake up në Top Channel, teksa kujtoi se ai vetë nuk e votoi ligjin në parlament, duke i qëndruar vendimit që kishte marrë që në vitin 2003.
Por disa prej emrave nuk meritonin të shkruhen në kazanët e plehrave tha Brace, duke lënë të kuptohet se disa të tjerë e meritonin sulmin…
“Ka ca emra që nuk e meritojnë këtë lloj sulmi me thënë të vërtetën, kur bëhet fjalë që u krijua nga një ligj, që ka të bëjë me një çëshjte të madhe që ka Shqipëria sot.
Me thënë të drejtën procesi nuk ishte i debatueshëm publikisht që t’i jepte të gjithë të kuptonin çfarë kishte ai ligj” u shpreh Braçe, i cili shpjegoi se përse nuk e bashkoi votën me 63 kolegët e mazhorancës.
“Nuk votova për arsye personale që nisin, që nga viti 2003 kur kjo nisi në formën e importit të mbetjeve për qëllime djegieje në Shqipëri. Ka diferenca shumë të mëdha ligji sot, arsyeja e parë që nuk votova ishte konseguenca, dhe arsyeja tjetër ishin disa garanci që mungonin në ligj. E kam thënë se përse nuk e votova, ia kam thënë edhe Shalsit edhe kryeministrit që garancitë nuk duhej t’i mbesnin vendimeve të qeverisë” u shpreh Brace./lapsi.al