Home KRYESORE Rudina Xhunga: Top Channel dhe komshiu qe riciklon

Rudina Xhunga: Top Channel dhe komshiu qe riciklon

Nga Rudina Xhunga

Kush punon në Top Channel, në Kashar dhe kushdo shkon i ftuar në emisionet e këtij televizioni, besoj e ka ndjerë erën e tmerrshme të fabrikës së riciklimit të plehrave, pak metra ngjitur godinës së re, të TCH.

Unë kam pyetur dikur, si mund të punonim, aq pranë plehrave dhe më kanë siguruar që nuk ishin të rrezikshme.

Nëse do të punoja ende në Top Channel, do të më kishte mjaftuar kjo siguri që më dhanë. Duke besuar një fjalë goje, pa hyrë kurrë në atë godinë, përbri, nga ku dilte tym çdo natë.

Veprova si shumica indiferente që nuk ndihet, derisa dikush flet. U mjaftova me një sqarim josqarues.

Dhe mbase kështu është, mbase vërtet ajo fabrikë riciklimi nuk paraqet rrezikshmëri. Mbase ata që ndërtuan TCH aty, dinin më shumë se unë për ndotjen e ambientit. E pyeta edhe unë veten, pse nuk kisha parë ndonjë fabrikë riciklimi afër ndërtesave të BBC apo CNN, po pastaj i rashë shkurt. Unë punoja në TCH dhe nuk kisha ndërmend të dija më shumë.

Kjo që bëra, është prej njeriu që bën lajme dhe përpunon opinionin, duke e trajtuar punën e vet si qendra e botës, ndërsa gjithçka tjetër si çështje jothelbësore të jetës.

Por thelbësore në jetë, nuk është puna, as rroga, është vetë jeta.

Dhe pyetja ime është, tani që i shoh gjërat jo më nga brenda, por nga larg: A e përmirëson jetën time një fabrikë riciklimi me lëndë të parë të shtuar? Jo. Sigurisht që jo.

Po jetën e punonjësve të saj? Sa janë ata, sa paguhen? Sa sëmuren, çfarë mundësish pune ka për ta, nëse fabrikat ku punojnë, mbyllen? Si do i rrisin fëmijët? Si do jetojnë?

Unë nuk mund t’i jap përgjigje këtyre pyetjeve. Por dikush duhet të sqarojë, jo vetëm çfarë humbet një pronar fabrike, po çfarë humbet një punëtor, sa janë ata që humbasin dhe sidomos, çfarë humbet Shqipëria, nëse falimentojnë fabrikat e riciklimit?

Duhet të sqarojë gjithashtu, çfarë fitojnë shqiptarët nëse fabrikat e riciklimit shtohen? Sepse derisa të jemi sqaruar për këtë, do të vazhdoj të besoj se fabrikat e riciklimit, nuk po mbajnë në këmbë industrinë në Shqipëri, as po ulin dukshëm papunësinë, as po zhvillojnë vendin.

Do të shqetësohesha, nëse mbylleshin qendrat call center, edhe pse jam kundër tyre si koncept, por besoj se do të qe shkatërruese për momentin, falimentimi i tyre dhe nxjerrja në rrugë e mijërave të rinjve, që i kanë mundësi të vetme burimi parash.

Për call center është folur aq shumë dhe është trajtuar si histori suksesi nga politika e punësimit, ndërsa deri më sot nuk kisha dëgjuar asnjëherë që industria e riciklimit, ishte një shtyllë e fortë e ekonomisë shqiptare.

Askush, kurrë nuk ishte mburrur me të. Prej kësaj industrie kemi transmetuar vetëm lajme vdekjesh.

Nëse ajo është kaq e rëndësishme dhe do na sjellë përfitim, mundësi zhvillimi, për shqiptarët, dikush duhet ta kishte sqaruar, ndërsa po përgatitej të kalonte ky ligj i mbetjeve në parlament.

Por askush nuk e bëri. Tre ditë para kalimit të ligjit, u bënë dy emisione televizive dhe ligji kaloi.

Ndaj e gjitha po ndodh post.

Befas shoqëria civile, gazetarët, qytetarë pa lidhje me partitë, të tjerë të ndikuar nga partitë, njerëz të interesuar për plehrat dhe të tjerë me të tjera interesa, janë bërë bashkë në një kauzë: Jo plehrave në Shqipëri! Një masë e madhe dhe e shumëllojshme është kundër plehrave, pro referendumit.

Unë nuk e kam firmosur ende. Ndërsa po mendoj ta bëj, kujtoj intervistën që kam bërë në Sharrë me Ardian Klosin, që bashkë me të tjerë të ftuar, në një studio krijuar në Fushën e Plehrave, rreshtoi arsyet pse ishte kundër. Pastaj 7 vjet më pas, Roberto Saviano me shpjegoi ne Itali, çfarë mund t’i ndodhte Shqipërisë nëse i hapte dyert plehrave.

Përballë këtyre dy njerëzve kundër, kam shpjegimin e vetëm një njeriu që doli të sqarojë në çdo banak televizioni dhe parlamenti, pse duhej të sillnim plehra, në Shqipëri. Ai është Edi Shalsi. Arrogant, i vetëkënaqur, provokues, shpërfillës, ai është simboli i këtij ligji që kaloi pa sqarime, pa debat publik, edhe pse prek publikun drejtpërdrejt.

Unë sot që po mendoj të firmos referendumin, jam në dilemën, të besoj Klosin, Savianon, apo Shalsin?

Shumëçka më tepër se arsyeja, vendoset nga perceptimi. Dhe perceptimin, këtë herë, për plehrat e krijoi vetëm një njeri. Epo mbase ky qe një mësim për shumicën; kur perceptimin e krijon me Shalsin, atëherë në xhep ke ligjin, por përballë ke referendumin. /dritare/

Share: