Dy motra 23 dhe 25 vjeç, u arrestuan një ditë më parë nën akuzën e drejtimit të një rrejti prostitucioni Tiranë-Gjermani.
Motrat Qama i afronin vajzat fillimisht si shoqe dhe më pas, duke përfituar nga gjendja e tyre e vështirë ekonomike, u premtonin punë si modele apo këngëtare në Gjermani, por realisht i nxirrnin në rrugë si prostituta.
Dyshohet se fillimisht vajzat detyroheshin të ushtronin prostitucion në Shqipëri dhe më pas niseshin drejt vendeve të BE-së, kryesisht drejt Gjermanisë.
Rrjeti i shfrytëzimit të prostitucionit u zbulua nga policia pas një hetimi disa mujor. Motrat Qama bashkëpunonin me tre të rinjtë, Ardit Shmilli, Zamir Hodo dhe Ledian Gjoni, të cilët ranë në prangat e policisë.
OPERACIONI I POLICISE
Një ditë më parë, policia njoftoi finalizimin e operacionit të koduar ‘Rekrutimi’, që u bë i mundur nga Seksioni i Trafiqeve në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorin Vendore të Policisë Tiranë, pas një hetimi disa mujor.
Burime nga Policia e Shtetit bënë me dije se pas hekurave përfunduan I. Qama, 23 vjeçe, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i personave, kryer në bashkëpunim”, Ledian Gjoni, 28 vjeç, banues në Skrapar, për veprat penale “Trafikimi i personave”, “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Falsifikim të letër njoftimeve, stampave ose vizave”, Ardit Shmilli, 24 vjeç, banues në Poliçan, për veprën penale “Trafikimi i personave, kryer në bashkëpunim”.
Po ashtu edhe Zamir Hodo, 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i personave, kryer në bashkëpunim” dhe A. Qama, 25 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”. Ndërkohë, 3 persona po hetohen në gjendje të lirë.
Sakaq, në cilësinë e provës materiale u sekuestrohen dy karta identiteti Rumune të dyshuara të falsifikuara, 4 bileta avioni, 7 telefona, 1500 € si dhe një automjet taxi i cili bënte transportin.
Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar veprimtari kriminale të tendencës së shfrytëzimit të prostitucionit në Shqipëri si dhe kanë rekrutuar me qëllim trafikimi e më pas shfrytëzimin për prostitucion si dhe dërgimin e tyre drejt shtetit Gjerman të dy shtetaseve M. TH dhe A.P.
Gjithashtu janë referuar materialet në gjendje të lirë për shtetaset M. Th. dhe A. P. të cilat janë rekrutuar nga personat e mësipërm dhe dyshohet se kanë ushtruar prostitucion në Shqipëri dhe me pas do te shfrytëzoheshin jashtë vendit.
Po kështu e përfshirë me trafikimin e vajzave dyshohet të jetë dhe shtetasja Rumune me inicialet P.C., e cila dyshohet se ishte personi pritës në Gjermani.
Shtetasit e mësipërm u kapën në flagrancë gjatë operacionit të zhvilluar nga Sektori Kundër Trafiqeve në D.V.P.Tiranë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në momentin kur po tentonin të kalonin pikën e kalimit kufitar Morinë, pasi ishin ndjekur dhe mbajtur nën vëzhgim që nga Tirana.
Materialet proceduriale i’u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Trafikimit të personave të rritur” dhe “Shfrytëzimit të prostitucionit”./lapsi.al