Home KRYESORE Debat për Kosovën në Komisionin e Jashtëm, për Greqinë mbyllen dyert!

Debat për Kosovën në Komisionin e Jashtëm, për Greqinë mbyllen dyert!

Diskutimet për Kosovën dhe Greqinë e kanë kthyer mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme në një debat mes ish-ministrash të Jashtëm. 

Për Partinë Demokratike, marrëdhëniet me Kosovën janë në pikën e tyre me të ulët. Por deklaratat e Aldo Bumçit,  kryetarja Arta Dade i kundërshtoi duke kritikuar edhe dekaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili tha se Prishtinës nuk i duhet ndërhyrja e Tiranës në dialogun  me Serbinë. 

Aldo Bumçi, nënkryetar i Komisionit të Jashtëm: Duket që kemi arritur në pikën më të ulët të marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë. Jemi në një krizë. Kjo nuk është një rrufe në qiellin e kaltër. Vjet, pas takimit të Vjenës, pati një deklaratë të zotit Hashim Thaçi, i cili tha se pajtimi vjen vetëm përmes Prishtinës. Problemi i vetëm që ekziston në marrëdhëniet shqiptaro-serbe është Kosova dhe takimet e zotit Rama me palën serbe, në mënyrën sesi janë paraqitur kanë lënë në hije Kosovën. Dimensoni kryesor është Beograd-Prishtinë, nuk është Tirana. Tirana me këtë rol që po merr po dëmton.

Arta Dade, kryetare e Komisionit të Jashtëm: Edhe deklarata që ka bërë ministri i Jashtëm i Kosovës, për mendimin tim është e nxituar. Do të thoja që nuk është edhe në frymën e bashkëpunimit. E kemi shumë të qartë që edhe sikur të donim të shmangeshim nga kjo, por edhe faktori ndërkombëtar, ata globalë, që pa ta nuk do të ishte Kosova që është sot, por edhe pa ne. Nëse ka politikanë pa përvojë atje që ndoshta nuk i njohin këto gjëra, atëherë ne që kemi qenë këtu, duhet t’u tregojmë se çfarë kemi bërë.

Kastriot Islami, anëtar i Komisionit: Edhe ne që kemi qenë, por edhe kolegët që nuk kanë qenë në Ministrinë e Jashtme, por që janë marrë me politikë të jashtme, janë munduar të gjejnë pozicionin e artë mes kontributit dhe mosndërhyrjes.

Më tej Aldo Bumçi, duke u ndalur në çështjen e marrëdhënit me Greqinë u kërkoi përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme në Komision që të vihen në dijeni për  një propozim të palës greke të cituar nga Brukseli, për të ngritur një mekanizëm për zgjidhjen e çështjes së kufirit dhe asaj çame.

Aldo Bumçi: Paska qenë një propozim i palës greke, të cilës i është referuar edhe Komisioneri dhe ka propozime konkrete për shelfin kontinental, ndarjen e kufirit detar, të drejtat e minoriteteve dhe çështjen çame. Atëherë, cili është propozimi grek? Çfarë përmban?

Arta Dade: Unë isha pjesë e vizitës së fundit që bëri kryetari i Parlamentit. Dua ta konsideroj një vizitë të shkëlqyer. Pamë angazhimin dhe vullnetin pozitiv edhe të palës greke për të zgjidhur çështjet e mbartura dhe ndaj përtej politizimeve, na intereson që ekspertët të vazhdojnë përpjekjet.

Komisioni vijoi diskutimin e çështjeve me Greqinë me dyer të mbyllura dhe mësohet se gjatë kësaj kohe është kërkuar vazhdimisht se cili ishte propozimi grek./ Top Channel/

Share: