Nga Artan Fuga
Katastrofa e ndotjes me naftë a zift në gjirin e plazhit te Durrësit është një tragjedi e rëndë kombëtare. Kur platforma nafte kanë shkaktuar një ndotje të tillë në botë lajmi ka marre dhenë nga mediat planetare dhe cështja është ndërkombëtarizuar.
Duhet shpallur katastrofë mjedisore kombëtare.
Dëmi mund të matet e vlerësohet me miliona euro ose dollarë. Â Është një Gërdec bregdetar.
Duhet të ndërhyjë ushtria për pastrim si edhe të mobilizohen të gjitha forcat e vendit që kanë mjete pastrimi për ta ruajtur dhe shpëtuar bregdetin turistik më të dendur të kombit. Nuk është çështja vetëm e pejsazhit. Janë mijra familje që marrin ajrin e ndotur. Janë mijra biznese që janë dëmtuar nga prishja e imazhit dhe e kushteve të jetës të turistëve. Janë kushedi sesa tonelata peshqish dhe vezësh organizmash ujore ose larvash të dëmtuara.
Nafta kancerogjene ka goditur për një kohë të gjatë pasurinë biologjike nënujore. është demtuar peshkimi. Po ashtu ndotja prek gjithë zinxhirin biologjik dhe penetron shtresat e rërës duke shkaktuar pasoja afatgjata. Jo vetëm peshqit, guacka, molusqesh, etj., por edhe zogjtë e shpendët rrezikohen rëndë. Guackat gjithashtu. Janë prona jonë e përbashkët që dikush i papërgjegjshëm na i ka cënuar rëndë dhe ndofta duke përfituar nga rregjimi i lëshuar i respektimit te standardeve të sigurisë dhe të mbrojtjes të mjedisit.
I gjithi zinxhiri i restoranteve që gatuajnë peshk do të dali me buzë të kuqe. Hajde dalloje tani se po ha peshk apo një sasi nafte të ngrirë, apo se kemi ne mundësi ta dallojmë origjinën nga vjen peshku !!! Industria e kapjes, përpunimit dhe kulinaria e mbështetur te karkalecat, midhjet, oktapodet, etj., është shtrirë përdhé. Hajde gjeje nëse vijnë nga gjiri i Gërdurrësit apo nga gjetiu…
Cfarë të kemi bërë o Zot!
Për vite me radhë gjurmët e ndotjes do të transmetohen nga një gjeneracion te tjetri. Mos e merrni lehtë, kur në gjirin e Meksikos plasi u bind dreqi… Duhen mbledhur të gjitha OJQ e interesuara. Duhen kalkuluar të gjitha dëmet. Duhet thirrur ekspertiza ndërkombëtare.
Lëreni Komisionin e Venecias, shihni Gjyqin e Hagës!
Nëse nuk janë zbatuar kërkesat e standardeve të anijeve të ndryshme ose cisternave duhet që të nxirren përgjegjësitë. Kërkohen dëmshpërblime të mëdha nga shkaktarët e tragjedisë. Gjithë shteti, organet e e sigurisë, forcat e sigurisë kombëtare, operatorët që zotërojnë mjete duhet të ndërhyjnë. Pasojat e katastrofës do të jenë disavjecare, qindra mijë vetë dhe mijra familje të prekura në zemër të jetës të tyre.
Na duhet një celulë krize, një celulë informimi, një alarm i tërë. Vëzhgimi i detit gjen gjurmën e rjedhjes të naftës, mund të ketë qenë aksident, por edhe i qëllimshëm.
Gjithë puna është të gjejmë pak ujë me lajt ujët e detit. Cojeni detin nashti ke pastrimi kimik i lagjes… Pastrojeni me “cleaning dry” detin, ose futeni në lavatriçe me 30° gradë. Uji i detit lan gjithçka, por s’ka ujë deti që e lan ujin e detit.
Pastaj duhet të lahen peshqit, gaforret, kandilat, midhjet, molusqet, karkalecat e detit… Duhen kaluar të gjithë në dush…Â Hani peshk hani, se kanceri do të na hajë!
Mirë e lajm dhe thajm ujin e detit, po ku dreqn do ta nderim detin për me e thajt??? E varim detin ke maja e Pallatit të Zogut dhe e lemë të thahet në erë.
Por si do ta lajmë rërën?
Lajmë rërën me ujë deti të naftosur,
i bëmë detit naftën thuaj.
Ja e lamë edhe rërën, po si do të lajmë krokodilët, balenat, peshkaqenërit, delfinët, apo këta lahen vetë sepse nuk kanë ndonjë dallim nga njerëzit!!! Ore a ka balena meshkuj??? Pse balenat meshkuj kanë emër femrash? Apo për t’u kamufluar sikur nuk janë ata që janë dhe prandaj kanë emër tjetër nga emri i vërtetë ???
Balena dhe Baleni.
Ecni zbathur tani verës në plazh dhe do të gdhiheni me pulla dhe njolla, këmbët do t’u vinë era naftë. Për të nxjerrë naftë ne shqipot nxorrëm një metodë të re, e kapim me rrjeta peshku. E mo ç’a ka? Edhe në Amerikë ka ndodhur që të bëhet pis deti…
Qenka shenjë zhvillimi atëhere!!! Nuk lamë të keqe në botë pa i bërë vetes, mazokista të shthurrur. Mazeallah se mbledhim të mirat!
Deti bëhet pis, ca lahen në det si … peshqit !
Bëjnë llokoçitje verbale, në ujra të ndyra. Peshq të pavarur…të kapur me grep, trupeshq që nuk e dinë se varen nga peshkaqeni !!!
Peshkaqeni, Peshkaderri, Peshkagomari, Peshkagjar për Trupeshq që votojnë peshkaqena…
Të gjithë kanë nevojë për larje, shplarje, tharrje dhe në fund hekurosje për t’u bërë të bardhë si koqe veze.
Ju shplaft mortja ju shplaft, ju që na bëtë pis detin!