Home KRYESORE Flamujt e partive po lagen trishtët nën shi…

Flamujt e partive po lagen trishtët nën shi…

Nga Artan Fuga

Shiu i vjeshtës më në fund filloi mbarë.
Nëpër shtylla neonesh, pemë,litarë të varur nga një pemë në tjetrën që tejshkojnë rrugën syri më zë flamujt e partive të përdorur gjatë fushatës elektorale.
Të gjitha ngjyrat janë atje, e bardha, e kuqja, vishnja, bluja, jeshilja, etj.
Të grisur, të rreckosur, të lagur në shi, pis, të lidhur litar nga erërat e kohës, janë gjurmët e një stine politike që shkoi.
Flamujt e partive po grisen dhe rripen nën shiun e vjeshtës sikur t’i kishin spërkatur avionë që lëshojnë mbi vreshta pesticide.
Në Sauk, Dajt, rrugën e Elbasanit, Tiranën e Re, Unazë, ngado. Nuk di se çfarë bëhet nëpër rrethe.
Shpesh flamujt janë spërdredhur me njeri tjetrin. Në maja shtyllash atje lart, sikur t’u binden erërave, flamujt e LSI dhe LZHK bërë gërshetë litar duke formuar një të vetëm, flamurët e PS dhe PD përqafuar me mall të largët.
Apokalips.
Bota e Qiellit nuk i ngjan fare botës së Tokës. Ose Qielli fsheh misteret e Tokës.
Ngjajnë si çarçafë të grisur muhaxhirësh, flamujt e bardhë të LZHK duken si brekë, brekushe të grisura që janë varur nëpër shtyllat, ca duken si fustane grash të hequra me nxitim nga ndonjë zonjë që kërcen shtyllë më shtyllë. Diku andej nga Divjaka do të ketë përfunduar nudo në plazhin pas pishave.
Shiu i lag, i lan dhe i zgërlaq.
Harruar flamujt e betejave nëpër maja shtyllash. Flamujt e fitoreve dhe të humbjeve.
Ata që fituan nuk kanë kohë të merren me flamujt e fitores. Ata që humbën i lënë të lagur e çjerrë nën shi nga zëmërimi me ata flamujt që nuk sollën fat.
Pse i lanë ashtu gjurmët e veta?
I sheh elektorati se ata flamuj legjendarë pas një kohe nuk kanë asnjë vlerë. Ata flamuj që dridheshin nga padurimi për fitore. Ata flamujt që vetëm po t’i prekje mund ta paguaje me jetë. Pas numurimit të votave nuk kanë më asnjë vlerë. Nuk thonë kot, asnjë objekt nuk ka vlerë në vetvete, as leku, vetëm njeriu e vesh me vlerë.
Militantë nuk ka më për t’i hequr, palosur dhe përdorur në fushatën tjetër. Militantët fitues tani janë zyrtarë, nuk mund të kacaviren nëpër shtylla si disa muaj më parë. Nuk është dinjitoze për shtetin.
Militantët humbës nuk mund të pranojnë të identifikohen si humbës sepse e pësojnë.
Kush pranon të jetë humbës !
Bashkia nuk i heq sepse ndofta mendon se asnjë nga ata flamuj nuk është realisht i veti.
Vetëm tabela elektronike : “Bashkia ju fton të ulini shpejtësinë !” i duket e vetja.
Flamujt e partive pas zgjedhjeve po lagen në shin.

Share: