Home KRYESORE 1 janar shtohen taksat për makinat e reja dhe ato me gaz

1 janar shtohen taksat për makinat e reja dhe ato me gaz

Nga 1 janari 2017, drejtuesit e makinave me gaz do të paguajnë më shumë për të furnizuar makinën. Kjo për shkak se qeveria në paketën e re fiskale parashikon aplikimin e akcizës për gazin e lëngshëm që përdorin makinat në masën 13 lekë për litër. Bëhet fjalë për gazin e lëngshëm që shitet në pikat e karburantit dhe jo për gazin e lëngshëm për konsum familjar.

Qeveria thotë se kjo bëhet me qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt. Deri më sot, gazi i lëngshëm për automjetet është përjashtuar nga akciza, por në të gjitha vendet e Europës ai taksohet si produkt energjetik, pra si nafta dhe benzina.

Ndryshimi i akcizës bashkë me TVSH-në, pritet të ndikojë në rritjen e çmimit të gazit me 15 lekë për litër më shumë. Sipas gazetës “Panorama” aktualisht, çmimi i shitjes së gazit për automjetet është 45 lekë deri në 50 lekë për litër. Aplikimi i akcizës do të sjellë shtrenjtim të çmimit, i cili pritet të variojë nga 60 lekë deri në 65 lekë për litër.

Për makinat e luksit

Edhe taksa për makinat e luksit do të ndryshojë. Sipas ligjit aktual, taksa e regjistrimit prej 70 mijë lekësh paguhet nga makinat me cilindrat mbi 3 mijë kubikë dhe me çmim mbi 7 milionë lekë. Nga janari i vitit të ardhshëm, kjo taksë do të paguhet nga automjetet me vlerë mbi 5 milionë lekë dhe me cilindrat mbi 3 mijë kubikë. Ulja e çmimit për aplikimin e taksës së makinave luksoze do të shtojë numrin e drejtuesve të automjeteve që do të paguajnë taksën e re. Drejtoria e Shërbimit të Transporteve rekomandon që për llogaritjen e taksës së luksit vetëm për efekt të çmimit, të merret parasysh edhe mosha e mjetit./lapsi.al

Share: