Home KRYESORE Tronditëse historite e të sëmurëve mendorë, të kyçur në shtëpi ose duke...

Tronditëse historite e të sëmurëve mendorë, të kyçur në shtëpi ose duke lypur!

Të braktisur dhe enden rrugëve duke lypur ose mbyllur nga familjaret sepse kanë frikë prej tyre. Ky është fati të sëmurëve mendorë sot. Askush nuk kujdeset për mjekimin e tyre. Shteti kujtohet për ta dhe i mbledh vetëm kur ndonjë i sëmurë mendor kryen ndonjë krim.

“Fiks Fare” solli në vëmendjen e të gjithëve disa raste madje një prej tyre edhe ekstrem. Në Fier gazetarët takuan në rrugë dy persona të sëmurë nga shëndeti mendor të cilët jetonin të vetmuar. Bardhyli është njëri prej tyre. “Më tallin dhe unë i çmendur jam, nuk di çfarë bëj”, shprehet ai. Jeton i vetëm pa ndihmë dhe shumicën e kohës e kalon rrugëve. Duron fyerjet e shumta dhe pranon faktin se është “i çmendur”.

Edhe Erjoni ka një histori deri diku të njëjtë, përpos problemeve të tjera duhet edhe të lypë, pasi nuk merr as ndihmë sociale. Ndihet i harruar jo vetëm nga njerëzit, por edhe nga institucionet e shëndetit mendor. “Në spitalin psikiatrik të Vlorës nuk më mbajnë, kështu që rri nëpër rrugë dhe lyp, se dua të ha”, thotë ai.

5 vjet i mbyllur në shtëpi nga familjarët

Një tjetër fenomen është ai që shumë persona të sëmurë mendorë mbahen nga të afërmit brenda mureve të shtëpisë. Kjo edhe për faktin e rrezikshmërisë së tyre. Një rast i tillë ndodh të ekzistojë edhe në lagjen “8 Shkurti” në qytetin e Fierit. Feruze Demiri me vështirësi të mëdha kujdeset për djalin e saj të sëmurë prej shumë vitesh. Ajo me lot në sy hap derën e shtëpisë së saj për të treguar mënyrën se si e mban djalin e saj , por dhe jetesën e mjerueshme që bëjnë edhe 4 pjesëtarët e tjerë të familjes.

“Kam frikë se djali do të më vrasë më thotë më jep thikën, shkrepësen, kërkoj ndihmë, na dhunon, jetojmë keq”, pohon Feruzja mes lotësh. E motra tregon se gjendja është shumë e rënduar, madje na tregon rastin më të fundit të dhunës ushtruar kundrejt saj nga vëllai vetëm se ajo doli në ballkon. Këtij shqetësimi i bashkohen edhe banorët e pallatit të cilët shprehen se i sëmuri mendor përbën rrezik për fëmijët e tyre dhe nuk hezitojnë të tregojnë frikën që kanë për t’i lënë vetëm fëmijët e tyre në pallat.

Kurse një vajzë e vogël fqinjë e familjes Demiri thotë: “Duhet të dal e shoqëruar gjithmonë se kam frikë se hapet dera dhe kushedi çfarë do të më ndodh”.
Raste të tilla ka kudo. Ka edhe nga ata që kërkojnë ndihmë për vetën.

Dalila,44-vjeçarja që kërkon ndihmë nga shteti

Në Kombinat jeton një 44-vjeçare, Dalila e cila vuan nga shëndeti mendor. Ajo jeton bashkë me të atin 84-vjeç i cili vuan nga një sëmundje e rëndë. Ata nuk mund të kujdesen më për njëri-tjetrin dhe kërkojnë ndihmë. “Kujtoja se mund t’ia dilja mban, por nuk mundem. Nuk kam më fuqi”, shprehet ajo.

Gazetarët e shoqëruan Dalilën te institucionet përkatëse. Konkretisht gazetarët paraqitën një kërkesë në Njësinë Administrative nr. 9. Më pas e shoqëruan Dalilën te Shërbimi Social Rajonal Shtetëror, të cilët ofruan ndihmë vetëm për të atin, për ta strehuar në Shtëpinë e të Moshuarve.

Ndërkohë nga Shërbimi Social i Përgjithshëm u dha një përgjigje vetëm nëpërmjet postës elektronike, ku zv.drejtoresha Lida Leskaj thotë se “për personat me aftësi të kufizuara janë vetëm qendrat e zhvillimit të cilat janë qendra për moshën nga 0 në 25 vjeç. Mbi këtë moshë personat me probleme të shëndetit mendor trajtohen në qendrat komunitare të shëndetit mendor”. Për Dalilën që është 44-vjeçe shteti nuk ka parashikuar asgjë./dita.al

Share: