Një ditë pasi i hodhi salcë ministres së Arsimit Lindita Nikolla si formë revolte ndaj reformave në arsim dhe pak orë pas daljes nga Komisariati, aktivistja e lëvizjes “Për Universitetin”, Mirela Ruko rrëfehet për News24.
Vajza, si përfaqësuese e lëvizjes shoqërore kërkoi dorëheqjen e ministres Nikolla dhe tha se është e shqetësuar për gjendjen e studentëve sot. Madje Mirela deklaroi se më e vështirë është jeta në përditshmëri se sa orët që kaloi në komisariat.
“Çështja s’është si ndihem unë, por si ndihen studentët e tjerë për të cilët lëvizja ka ngritur zërin. Shpresoj që të kenë më shumë persona të jenë pjesë e lëvizjes studentore e të ngrenë zërin. Më e vështirë është e përditshmja se sa 10 orë qëndrim në komisariat”, tha ajo.
Aktivistja u shpreh se të gjithë ata që kritikojnë ata, në fakt duhet të kenë një kritikë edhe për situatën shoqërore në vend.
“Shpresoj se personat që mendojnë se veprimi im është i kritikueshëm, atëherë ata duhet të kritikojnë vazhdueshëm situatën shoqërore, situatën ku ndodhen studentët dhe reformat që miratohen nga qeveria dhe ministrja. Si aktiviste që prej tre vitesh, nuk veproj vetëm, nuk qe veprim personal, por bashkërisht me lëvizjen marrim vendime për veprimet që bëjmë”, tha ajo.
Mirela paralajmëroi përshkallëzim të akteve, derisa të dëgjohet zëri i studentëve.
“Ndoshta mënyra si vepron lëvizja nuk është e duhura. Nuk e dinim që Nikolla ishte në aktivitet, ishte rastësi. Për veprimet e padrejta ndaj universitetit, do reagojmë. Për reformat, të mos marrin modele nga jashtë. Kemi kundërshtuar me aktet tona reformën e arsimit të lartë. Kërkojmë që ministrja Nikolla të dorëhiqet. Këto janë aspiratat tona, jo një parti politike. Shpresoj që Lindita Nikolla të reflektojë e të dorëhiqet”, tha aktivistja./lapsi.al