Home KRYESORE Te besh surf ne keneten Rilindase!

Te besh surf ne keneten Rilindase!

arian-galdini-2

Nga Arian Galdini

Media shqiptare ne pergjithesi eshte bere si keto restorantet e luksit qe po shtohen me shpejtesi, ku ata qe kane bere shume pasuri duke plackitur shqiptaret nepermjet detyrave e funksioneve publike, sajdisen drekave e darkave me njeri tjetrin, per tu ndjere te vecuar, elitare dhe ushtrues te jetes se mire, teksa pine verera te shtrenjta, hane ushqime te zgjedhura, vishen me porosi, e udhetojne me makina te hatashme.

Ne kete shoqeri kaq te varfer ku mbi 90% e shqiptareve te thjeshte jetojne me apo prane minimumit jetik, ku papunesia tek rinia eshte ne nivele dramatike mbi 32%, ku 80% e azilkerkuesve tane neper Europe eshte nen 35 vjec, ku 34 mije te rinje e te reja punojne ne Call Center, ku lindshmeria per vitin 2016 eshte 29% me e ulet sesa ajo ne vitin e kaluar, ku 200 mije shqiptare thyejne serish rekordin e aplikimeve per llotarine amerikane, ku kanabisi eshte bere zgjidhja e vetme dhe ekonomia e vetme agrare, roberuese por qe ushqen, ku importi i plehrave jane alternativa e vetme e zhvillimit te turizmit nga Qeveria jone, ku Mafia po mer nen kontroll sektore e segmente te tera te ekonomise, financave dhe politikes sone, e ku cdo gje flet per dekadence e mjerim ngado e per pjesen derrmuese te shqiptareve, keta qe jane Master Shefat e Sistemit tone politik rendin me galop per te deftuar vecimin e tyre ne pasuri e fuqi.

E kane pothuajse strategjike. Duan te na e bejne te qarte neve shqiptareve se keshtu eshte jeta, keshtu jane ndare gjerat, keta qe jane pasuruar duke na plackitur nepermjet funksioneve publike jane Zoterit dhe te fuqishmit, ndersa ne te tjeret qe jetojme a zgjedhim te jetojme ndershmerisht, jemi te mjeret e Hygose qe na duhet ta pranojme e ndergjegjesohemi per pandryshueshmerine e ketij realiteti.

Prandaj mediat i kane kthyer ne restorante luksi me klientele te perzgjedhur. Prandaj gazetaret dhe studiot televizive funksionojne vetem me listeporosi nga Master Shefat e politikes.

Prandaj lajm ne Shqiperi bejne ata qe paguajne, e jo ata qe veprojne. Kjo eshte arsyeja pse kemi mberritur ne kete pike kur ti perfillesh dhe ekziston ne mediat e restorantet e luksit vetem, nese je pjese e klienteles apo e listeporosise.

Kjo kenete luksi ku kendojne vetem zhabat e pushteteve te politikes e parase, ka qelbur shpirterisht, menderisht, kulturalisht dhe moralisht te gjithe shoqerine shqiptare.

Kuakuaket e kenetes jane kaq mire te kordinuara, sa secila ia di radhen, lojen, orarin, kercimin, kuterbimin dhe tingullin tjetres.

Era e salces mbi koken e nje Ministreje, nuk e prish rendin. Ne kenete ka edhe vrasje, edhe orgji, edhe tradheti, edhe joshje, edhe baterdi, keshtu qe pse nje studente ben aktin e kuqosjes me salce te Ministres se Arsimit, nuk eshte se ndryshon gje. Rritet dramaciteti ne teatrin e kenetes sone. Ndahen korret e kuakuakeve pro dhe kunder salces, e ne fund mberrijme ne paradoksin kur e majta proteston kunder te majtes revolucionare ndersa e djathta ben feste per te majten e salces dhe vezeve.

Mjafton tu hedhesh nje sy portaleve dhe mediave te se djathtes a sadopak prane se djathtes, e do shohesh vetem ditirambe per salcen.

Mediat e majta vazhdojne traditen e fleterrufeve kunder salces.

Cmimi i heroit te mediave tona eshte sa dy kokrra veze e nje tubet salce.

Akte, vepra, aksione, gjeste e organizime mendimtaresh dhe veprimtaresh me vlera e mend ne koke, nder vite dhe me vetemohim, nuk gjejne asnje germe e asnje hapesire ne mediat tona te majta e te djathta.

Paradoksi nuk qendron tek mediat e majta, sepse pothuajse te gjithe e kane pranuar tashme se ato jane thellesisht e rreptesisht te komanduara nga Shtabi i Agjipropit te Rilindjes.
Paradoksi qendron tek ata qe kritikojne e denoncojne mediat e majta per censure e kontroll, pra tek mediat e djathta apo ato prane te djathtes, prej te cilave ngase jane ne Opozite pritet e ndryshmja, e drejta, modeli i se mbares…

Eshte kaq flagrante sa vetem me nje sy te lehte mund ta dallosh kthjelltazi se edhe mediat e djathta kane hapesire vetem per listeporosine e Partise dhe per te gjithe te majtet qe shajne me cte munden e si te munden Rilindjen.

Po te jesh komunist qe shan Rilindjen, je hero ne mediat e djathta.

Po te jesh socialist qe shan Rilindjen, je hero ne mediat e djathta.

Po te jesh Rilindjeist i penduar a zhgenjyer, je hero ne mediat e djathta.

Po te jesh politikan a aktivist qe di mire te paguash faturat aty ku duhet, aq sa duhet, ashtu si duhet, je hero ne mediat e djathta.

Po te jesh aktivist civil qe punon per te majten, e qe je porositur nga e majta te protestosh kunder se majtes, je hero ne mediat e djathta.

Qe mediat e djathta te bejne lajm dike, nje mendim, veprim, akt a organizim jashte listeporosise, klienteles me pagese apo jashte listes se rilindjesharesve te majte, duhet te ndodhe qe hena te behet veze e ferguar dhe dielli te behet domate zemerkau.

Mediat e majta jane edhe me keq akoma. Ato nuk jane te hapura fare per askend jashte porosive e pageses. Mediat e majta edhe ‘sharesit e se djathtes’ i projektojne e ua shkruajne vete skenarin dhe fjalet.

Ne kete kenete nuk ka me asnje cudi. Skandalet ndodhin brenda lejes. Dallge nuk ka. Cfaredo qe te ndodhe, sado i madh a i vogel qofte skandali, Master Shefat e politikes e dine qe as valezime nuk do kete.

Edhe nese keneta ndahet ne mes, edhe nese keneta ndryshon balancen e korreve, edhe nese bie njera aleance e ngrihet nje tjeter, keneta vijon te kuterboje sepse nuk ka me as burim, as shi, e as dallge tia trazojne ujerat.

Parashikimi im eshte i trishte. Dua te shoh por nuk po mund te shoh dot drite ne fund te tunelit.

Kushdo qe vendos te beje beteja te ndershme, te dlira, te paporositura, te papaguara, te paperlyera, ne kete vend, si qytetar a si aktivist, si vetmitar a si i organizuar, ben mire te jete me vetedijesimin e plote se gjithcka do te beje nuk do te ekzistoje per keneten.

Keneta nuk na do, nuk na perfill, nuk na sheh, nuk na degjon, e as ia ndjen fare per neve qytetaret e veprimtaret e lire.

Keneta i urren burimet. Keneta e urren shiun dhe levizjen.

Ne nuk kemi asnje zgjidhje tjeter pervecse te ikim fare nga ky vend e kenete, ose te vazhdojme betejen te palodhur nga shperfillja e kuterbimi i kenetes.

Ikja jone, do ta beje keneten edhe me te thelle ketu.

Lufta jone, kerkon qe ne te mos mendojme se perleshjen me keneten do te mund ta bejme jashte kenetes. Nuk mund te ndodhe.

Lufta jone, kerkon qe te jemi aq te duruar, aq kreative e aq virtuoze sa te hyjme pa ngurrim e te bejme surf ne kenete.

Kjo eshte e vetmja zgjidhje. Surf ne kenete. Tjeter zgjidhje nuk ka.

Arian Galdini

Tirane me, 19 nentor 2016

Share: