Ditë më parë në ekranin e disa televizioneve, në median e shkruar dhe në internet u dha lajmi për një investim nga investitorë/sipërmarrës për një hotel dinjitoz për nga pamja dhe brendia.
Por nuk u dhanë hollësi nga pikëpamja e shumave të investuara për vite me radhë, nga pikëpamja e marrjes mbi supe të një risku jo të vogël për një industri sa të lashtë aq edhe të re siç është industria e mikpritjes.
Të paktën të jepnin një shifër nga pikëpamja e vendeve të reja të punës dhe, ndoshta së fundi, nga pikëpamja e … të treguarit me shije përmbajtjen moderne të mikpritjes së shqiptarit “Shtëpia e shqiptarit, shtëpi e Zotit dhe e mikut nuk është thënë gjë.
Hotel Plaza! Po, një hotel në qendër të Tiranës. Madhështor, përballë dhe mbi krye të themeluesit të vetë qytetit/kryeqytetit: Sulejman Pashë Bargjinit (Mulletit). Një pikë orientimi për të gjithë ata që do të vijnë çdo ditë dhe nga çdo drejtim në Tiranë.
Personalisht, do ta quaja rizgjim të krenarisë së kryeqytetit në vijimësinë: Pallati “Vllazën Kaceli“, Kulla e Sahatit dhe Xhamia historike e Et-hem Beut: pjesë këto të dëshmisë së historisë dhe zhvillimit në shumë drejtime të Tiranës, natyrisht, pa pretendimin e mbrapshtë të kritikëve (apo nihilistëve) që kërkojnë të arrijmë të përkryerën duke djegur dekada.
Kush janë këta investitorë, që kronikat televizive u ndalën vetëm në fragmente të sekondës. Nuk do të ishte e tepërt që të nxjerr në dukje aksionistët: Behar Male, Vasil dhe Kiço Naçi si dhe dajën e tyre (të më fali ky i fundit që nuk ia di emrin) që, ndër vite, kursimet e tyre i derdhën duke menduar t’i japin Tiranës një diçka jo nga ato që i mungonin, por një prej atyre që do të jetë e veçantë në jetën dhe pamjen e kryeqytetit.
Çfarë?!
Ky do të ishte dhe do të mbetet sekreti i këtyre sipërmarrësve për të arritur te suksesi, ose, hamendja, ëndrra dhe objektivi i tyre për të bërë realitet të trajtuarit e të gjithë miqve, klientëve dhe konsumatorëve, në atë mënyrë, që t‘u duket sikur bota rrotullohet rreth tyre.
Pra, bëhet fjalë për guestologjinë (këtë shkencë e veçantë) që do të jetë objektivi që, thjesht, për këta sipërmarrës, nënkupton ekuacionin: produkti i shërbimit + mjedisin e shërbimit + dhënien e shërbimit.
Në këtë kuptim, si biznesmenë/sipërmarrës me përvojë në fusha të tjera, në këto njëzet e ca vjet, ata kanë menduar gjithnjë: një biznes ia del me sukses jo për arsye se është themeluar në një kohë të gjatë, ose për arsye se është i madh por, për arsye se ka dhe duhet të ketë burra dhe gra që jetojnë dhe punojnë me përkushtim në mjediset e tij, që ëndërrojnë për të, si dhe ndërtojnë plane të mëdha për të ardhmen e tij.
Çdonjëri prej tyre, edhe më parë, për një kohë të gjatë, ka vërtetuar se askush nuk mund të ketë një biznes shërbimi me shumë punëmarrës, pa pasur njerëz që dinë se si të menaxhojnë. Kështu që e kanë trajnuar ekipin menaxhues se si të menaxhojë, gjithashtu punëmarrësit, se si të kujdesen për vendet e tyre të punës.
Për këta sipërmarrës, menaxhimi i mirë dhe personeli i trajnuar, janë dhe do të mbeten faktorët më të rëndësishëm në biznesin e tyre.
Personeli i mirë synohet që të punojë për një menaxher kompetent. Nga ana tjetër, këta aksionerë/sipërmarrës, kanë punuar për të gjetur, punësuar dhe trajnuar punëmarrës të mirë, si dhe për t’i trajtuar ata njësoj si familjen e tyre. Kjo do të jetë pjesa më e rëndësishme e tërësisë së operimit në Hotel Plaza.
Kur ata menaxhonin biznese importi dhe ndërtimi, shkonin çdo ditë te të gjithë ato, nganjëherë edhe disa herë në ditë dhe, çdo herë që i vizitonin, gjenin diçka që nuk shkonte: një ose disa artikuj ishin me pak ose aspak gjendje në magazinë, ose gjendjet nuk ishin në përputhje me stinën; ose nuk kishte energji elektrike; ose ndonjë makineri nuk ishte në punë, e kështu me radhë.
Kishte pikërisht shumë gjëra që ekipi menaxhues, ose nuk i bënte ose nuk i shihte. Atëhere ata vendosën që, meqenëse do të kishim shumë vende pune, duhej të punësonin mbikqyrës për të bërë atë që ishin duke bërë ata vetë, duke shkuar nga një biznes në tjetrin, për t‘i trajnuar menaxherët në vendin e punës.
Disa prej shënimeve të tyre mund të kenë qenë tejet të detajuar, por sikundër kanë vërtetuar deri tani ata, kanë qenë gjërat e vogla ato që i kanë udhëhequr drejt bërjes së gjërave të mëdha. Vemendja e tyre ka qenë e perqendruar te detajet e holla për çdo biznes që kishin dhe kanë, ose te ajo çfarë nuk e bënin atë biznes që të ishte i klasit të parë në treg.
Kanë menduar dhe përsëri mendojnë se njerëzit e të sotmes duhet të përgatiten më mirë për të nesërmen. Ka shumë konkurrencë sot, prandaj duhet ta njohësh mirë dhe në detaje të hollë biznesin e mikpritjes, nivelin e konkurrencës në një treg si i Shqipërisë dhe, njëkohësisht, të dish se çfarë janë duke bërë.
Prindërit (që ndokujt prej tyre, së fundi, i mungon ndonjë) dhe përvoja e këtyre viteve jo pak e vështirë, i kanë mësuar këta sipërmarrës të jenë të ndershëm, personalisht të pastër, me zakone të mirë dhe punëtorë nga më të mirët.
Shkurt, ata kanë ndjekur disa prej fjalëve më të mëdha popullore: puno dhe lutu, si dhe ëndërro të ardhmen: një formulë e sigurt kjo për sukses (që duhen uruar për mirë edhe në këtë përpjekje).
Këta aksionerë nuk e mbajnë vështrimin prapa. Ata, kryesisht, mendojnë mbi atë se si të ndihmojnë që ky biznes i madh që ata kanë sot, të vazhdojë të ecë në gjurmët e bizneseve të tjerë: më saktë, të organizojnë dhe të menaxhojnë në një nivel modern menaxhimin e Hotel Plaza.
Përvoja e jetës së tyre u thotë se suksesi nuk është kurrë fundor, por vendimet që ata do të marrin gjatë rrugës do të përcaktojnë rezultatin e tyre përfundimtar.
Ndoshta një kronikë tjetër (televizive, ose e medias së shkruar, ose e internetit) do ta pasqyrojë këtë filozofi të tyren, për të treguar tiparet dhe karakteristikat e sipërmarrjes dhe të sipërmarrësve. “ushqim“ i rrallë që shpërndan media jonë!
Kasem Seferi – ekonomist