Home KRYESORE Presindentit Nishani për buxhetin e mbrojtjes, i përgjigjet ministrja Kodheli

Presindentit Nishani për buxhetin e mbrojtjes, i përgjigjet ministrja Kodheli

Pas letrës së presidentit Bujar Nishani drejtuar deputetëve, ku shpreheshin rezerva për buxhetin e vitit 2017, sidomos në sektorin e mbrojtjes, ka reaguar ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Ajo sqaron se buxheti i planifikuar për vitin 2017 përfaqëson 1.1 % të prodhimit të brendshëm bruto dhe është brenda detyrimeve kushtetuese dhe se vazhdon të ndjekë praktikat e mëparshme ku nuk rezulton të jetë konsultuar ndonjëherë institucioni i Presidentit kur flitet për buxhetin.

Më poshtë reagimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes.

Falënderojmë institucionin e Presidentit për vëmendjen që ka treguar përmes letrës së drejtuar deputetëve të Kuvendit lidhur me draft-buxhetin për vitin 2017. Ashtu siç kemi informuar Komisionin e Sigurisë Kombëtare gjatë prezantimit të buxhetit të alokuar të Ministrisë së Mbrojtjes, i ribëjmë me dije institucionit të Presidentit si dhe deputetëve të Kuvendit sa më poshtë:

Buxheti i planifikuar për vitin 2017 përfaqëson 1.1 % të prodhimit të brendshëm bruto, ku përfshihen fondi i pagave dhe pensioneve, shpenzime për misione, investime, pensione të ish-ushtarakëve. Ky buxhet në asnjë rast nuk prek arritjen e objektivave tona në fushën e mbrojtjes dhe aq më pak detyrimet kushtetuese dhe angazhimet në NATO.

Ndërkaq, nga negocimi i suksesshëm me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe Italinë, që në 3-mujorin e parë të vitit në vazhdim, FARSH do të jetë 100% i pajisur me armatim të standardeve të NATO-s, objektiv ky që më parë ishte i përcaktuar për t’u arritur në vitin 2019.

Nga ana tjetër, mjetet e rënda të transportit të planifikuara për t’u blerë me paratë e taksapaguesve shqiptarë përgjatë 10 viteve në vazhdim (PAZH 2016-2025), do të mundësohen pa pagesë, falë bashkëpunimit të sipërmendur duke filluar nga janari i 2017. Pa përmendur këtu të ardhurat dytësore që do të vazhdojnë të shkojnë si asnjëherë më parë, ekskluzivisht për modernizimin e FA-ve.

Për vitin 2017, FARSH do të jenë prezente në të gjitha misionet e NATO-s kudo në botë, në dyfishimin e personelit të deklaruar më parë në misionin “RSM” në Afganistan, në dyfishimin e personelit të deklaruar më parë në misionin KFOR, për herë të parë në një mision detar (në detin Egje), si dhe në mbrojtjen direkte të kufijve lindorë të Aleancës. Pa harruar pjesëmarrjen në 2 misione BE dhe prezencën në të gjitha stërvitjet e rëndësishme të Aleancës.

Këto angazhime ushtarake do të mbulohen si asnjëherë më parë nga buxheti i alokuar i 2017-tës. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Ministria e Mbrojtjes i ka të gjitha kapacitet për të hartuar buxhetin e saj dhe vazhdon të ndjekë praktikat e mëparshme ku nuk rezulton të jetë konsultuar ndonjëherë institucioni i Presidentit kur flitet për buxhetin.

Share: