Home KRYESORE “Atje ku dallëndyshet ende nuk e kanë ndërtuar folenë”

“Atje ku dallëndyshet ende nuk e kanë ndërtuar folenë”

Nga Kasem Seferi

Në këtë vigjilje të marrëveshjes (së mundshme) me Komunitetin Europian, do të desha të komentoj disa vëzhgime të ekspertëve të KE – së, formuluar dhe arkivuar në dokumente për të cilët, ndoshta, besoj të jem i saktë.

Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, kanë formuar pjesën thelbësore të proçesit të lëvizjes së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian; ose e thënë ndryshe: pjesmarrja në një numër forumesh dhe nismash rajonale, politike dhe ekonomike përgjatë udhës së një tranzicioni.

Nga Pakti i Stabilitetit, te një rrjet i zotëruar në mënyrë më rajonale me Proçesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore, ose SEECP, si dhe Proçesin e Bashkëpunimit Rajonal, ose RCC.

Shqipëria, në këtë objektiv, u përpoq të vinte në jetë (ironizoj me fjalën implementoj), në mënyrë të kënaqëshme, Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, ose siç njihet, rëndom, CEFTA. U bënë hapa para në fazën e parë tranzitore të marrëveshjes së Fushës së Përbashkët Europiane të Aviacionit, ose ECAA.

Kësisoj, Shqipëria, ka qenë dhe mbetet palë në Traktatin e Komunitetit të Energjisë dhe nuk dihet sa hapa përpara ka bërë në plotësimin e obligimeve të saj sipas ktij traktati. Shqipëria është dhe mebetet anëtare me të drejta të plota në proçesin e Barcelonës, ose Bashkimin për Mesdheun.

Politikat ekonomike vazhduan të mbështesin vendosjen e një ekonomie tregu funksionale, por në disa raste vuajtën nga mungesa e planeve të detajuara të veprimit. Në përgjithësi, u forcua konsensusi politik mbi themelet e politikave ekonomike të orientuara te tregu, por planifikimi, në një nivel të përgjithshëm, prezantoi rrezik për zbatimin e reformave ekonomike.

Furnizimi i pasigurtë me energji elektrike i ekonomisë së vendit vazhdon të pozojë një rrezik të rënduar për rritjen e qëndrueshme ekonomike. Mesatarja e të ardhurave për frymë ishte rreth 22 për qind të mesatares EU27 (në standartet e fuqisë blerëse), nga 21 për qind që ishte në 2006; në përgjithësi, rritja ekonomike mbetet e ulët, ndërkohë që niveli i të ardhurave të përgjithshme mbetet po ashtu i ulët.

Balancat e jashtme u përkeqësuan duke rezultuar në llogarinë korente të defiçitit prej 10,6 % të PBB – së në 2007 nga 6,5 % në 2006. Defiçiti u zgjerua kryesisht për shkak të rritjes në defiçitin tregtar (26,8 % të PBB – së në 2007) megjithë rritjen e fortë në eksporte.

Defiçiti tregtar vazhdoi të thellohej në gjysmën e parë të 2008 për shkak të importeve të mëdha. Teprica në tregtinë e shërbimeve mbeti e kufizuar dhe tepricat e rrjedhave të të ardhurave dhe transfertave të tjera lidhur me PBB – në ishin më të vogla se në vitin e kaluar. Në përgjithësi, imbalancat e jashtme mbetën të larta dhe vazhduan të zgjerohen.

Për shkak të një ekonomie informale domethënëse, të dhënat e tregut të punës mund të mos pasqyronin, në mënyrë të saktë, dinamikat aktuale të tregut të punës.

Në përgjithësi, politika monetare mbeti e shëndoshë, duke ruajtur stabilitetin e çmimeve.

Menaxhimi i financave të qeverisë vendore mbeti i varfër, gjë që rezultoi nga mbledhja e të ardhurave të ulta dhe shpenzimeve të kufizuara.

Zgjerimi i imbalancave fiskale jo në të njëjtin nivel, çoi në paqëndrueshmëri dhe mund t’i parandalonte politikat fiskale të luanin rolin e tyre. Dobësitë e balancave të jashtme u rritën, duke kërkuar masa të shpejta për të siguruar furnizimin me energji, zgjerimin e bazës së eksportit dhe një mjedis më tërheqës për investimet.

Në përgjithësi, bëri progres zvogëlimi i pronësisë shtetërore në ekonomi, ndërkohë që pjesa e mbetur e korporatave të mëdha dhe joefiçente, me pronësi shtetërore, vazhduan të kontribuojnë në shtrembërimet e tregut.

Në përgjithësi, proçedurat administrative për themelimin e bizneseve u thjeshtuan në mënyrë konsiderueshme, megjithëatë, këtu mbetet vend për përmirësime të mëtejshme.

U kërkuan përpjekje të mëtejshme për të luftuar efektivisht korrupsionin që ndikon mbi klimën e biznesit dhe që ka një ndikim të kundërt mbi cilësinë e shërbimeve publike.

Në përgjithësi, kuadri ligjor për zbatimin e kontratave civile u forcua, por sistemi gjyqësor mbeti i dobët dhe pasiguria e të drejtave të pasurisë së patundshme vazhdon.

Në përgjithësi, ndërmjetësimi financiar, i dominuar nga sektori bankar që funksionoi mirë, vazhdoi të rritet me një ritëm të shpejtë, ndërkohë roli i sektorit financiar jobankar mbeti i kufizuar.

Në përgjithësi, sistemi financiar nuk mbeti i shëndoshë, duke adresuar rreziqet e rritura për një përkeqësim të mundshëm të cilësisë së huasë.

Funksionimi i mekanizmit të tregut mbeti ende i shtrembëruar nga furnizimi i pasigurtë, sistemi i dobët gjyqësor, pasiguria mbi të drejtat e pasurisë së patundshme dhe funksionimi me të meta dhe mangësi i pranishëm ende në kuadrin rregullator për biznesin.

Vlerësimet e duhura për ndikimin e masave mbi tregun e punës parandalojnë statistikat e kufizuara dhe, pjesërisht, të paqëndrueshme të tregut të punës.

Në përgjithësi, mundësitë u krijuan për rritjen në mënyrë relative të cilësisë së ulët të kapitalit njerëzor, por rezultatet e tyre mbi tregun e punës mbeten të paqarta.

Në përgjithësi, akumulimi i kapitalit vazhdoi, por gjendja e kapitalit mbeti i kufizuar. Furnizimi me energji elektrike mbetet ende i pasigurtë.

Në përgjithësi, ristrukturimi i ndërmarrjeve bëri progres, por nevojiten ndryshime madhore shtesë me qëllim që të rritet konkurueshmëria e të tanishme, ose ish monopoleve të mëdha shtetërore.

Sektori bujqësor mbetet punëdhënësi më i madh me 58 % të totalit të të punësuarve, por që kontribuon vetëm 20.7 % të PBB – së. Sektori informal mbetet shumë i madh.

Në përgjithësi, gjërësisht, ekonomia ende ruan strukturën e vet, me një fushë veprimi të konsiderueshme për zgjerim të mëtejshëm në lidhje me sektorët industrialë dhe të shërbimeve, në kurriz të bujqësisë së prapambetur.

BE, mbeti partneri kryesor tregtar, ndërkohë që pjesa e tregtisë së mallrave me BE ra lehtë në 64 % (nga 69 %). Rënia ishte, pjesërisht, rezultat i tregtisë së rritur me vendet e CEFTA, por, kryesisht, për shkak të një rritje të fortë të eksporteve të produkteve minerare në Azi.

Konkurueshmëria e ulët e Shqipërisë, në tregtinë me vendet e BE – së,  vazhdon të pasqyrohet në një koncentrim shumë të madh të partnerëve të eksportit (më shumë se dy të tretat e totalit të eksporteve u destinuan për një vend, kryesisht në Itali).

Importet (gjithashtu në terma të partnerëve tregtarë) vazhdojnë të tregojnë një pamje në mënyrë të konsiderueshme më të përzier/miks, me dy partnerët kryesorë tregtarë që llogariten për më pak se 50 % të totalit të importeve.

Në përgjithësi, BE vazhdoi të jetë partneri kryesor në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, ndërkohë integrimi i përgjithshëm ndërkombëtar mbetet i kufizuar.

Në përgjithësi, përgatitjet në lidhje me çështjet e tregut të brendshëm, ende nuk janë në rrugë të drejtë. Megjithëatë, pjesa më e madhe e arritjeve sektoriale ende nuk zbatohen dhe këmbehen.

Infrastruktura administrative horizontale, ekziston, por kapaciteti i autoriteteve dhe institucioneve të ndryshme duhej të përmirësohej, pasi ende është i pamjaftueshëm për të siguruar masat e duhura (të domosdoshme) shtrënguese.

Nuk mund të raportohej progres mbi auditimin, për arsye se çështja e auditimit të detyrueshëm të llogarive vjetore ende nuk është adresuar ku duhej, edhe pse nevojitej të vendosej një sistem i pavarur publik mbikqyrje.

Nuk mund të raportohej progres në lëvizjen e lirë të kapitalit, për arsye se kuadri legjislativ mbi këmbimin e monedhës së huaj, po revizionohet. Por, proçesi ende nuk është plotësuar. Ende mbeten kufizime domethënëse për liberalizimin e lëvizjeve të kapitalit të kërkuara sipas marrëveshjes SAA.

Përgatitjet, në fushën e lëvizjes së lirë të kapitalit dhe sistemeve të pagesës, mbetën në një fazë të hershme.

Nuk mund të raportohej progres mbi kontrollin efektiv të të drejtave të pasurisë intelektuale nga autoritetet doganore.

Në përgjithësi, përgatitjet në fushën e doganave kanë përparuar, por nevojiten përpjekje të mëtejshme në bashkëpunimin dhe zbatimin legjislativ.

Mbledhja e përgjithshme e tatimeve mbetet e ulët, veçanërisht nga qeverisja vendore. Ka nevojë të rritet kapacitetit i zyrave tatimore të qeverisjes vendore, veçanërisht në kuadrin e decentralizimit fiskal.

Në përgjithësi, përgatitjet në fushën e të tatuarit po përparojnë në mënyrë të moderuar. Nevojiten përpjekje për të përafruar legjislacionin shqiptar me acquis që të sigurojnë zbatimin e tij me Marrëveshjen Interim dhe të riforcojnë kapacitetin administrativ për të ulur ekonominë informale dhe për të zvogëluar evazionin tatimor.

Kultura e konkurrencës në Shqipëri evoluon ngadalë. Bizneset kanë filluar të paraqisin ankesa mbi praktikat anti – konkuruese. Kjo tregon vetëdijen e rritur publike të përfitimeve të masave shtrënguese të konkurencës. Megjithëatë, nevojiten përpjekje të mëtejshme në adoptimin e legjislacionit të zbatueshëm në fushën e konkurrencës.

Në përgjithësi, përgatitjet në fushën e prokurimeve publike, konsiderohen se po përparojnë.

Megjithëatë, nuk ka një strategji të përgjithshme koherente për zhvillim të mëtejshëm të sistemit të prokurimit, si për një afat të mesëm, ashtu edhe për një afat të gjatë. Ndërkohë që kërkohet përafrimi i mëtejshëm, në të gjitha fushat e prokurimit publik, veçanërisht, për konçensionet dhe shërbimet.

Në përgjithësi, përgatitjet në fushat e të drejtave të pasurisë intelektuale dhe industriale nuk janë shumë të përparuara.

Në përgjithësi, lidhja ndërmjet trajnimit profesional të ofruar dhe kërkesës së tregut të punës nuk është e mjaftueshme dhe kapaciteti i zyrave të punës për të kryer anketime nuk është mjaft i fortë. Gjithashtu kapaciteti i zyrave rajonale të punës mbetet, ende, i kufizuar.

Dialogu social është në fazën e zhvillimit dhe pozicioni i sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve si të tilla mbeten të dobëta.

Përafrimi i përgjithshëm i legjislacionit të acquis ka bërë progres të ngadaltë, por megjithëatë, zbatimi dhe masat shtrënguese kanë mbetur prapa.

Përgatitjet në fushën e mjedisit kanë përparuar me ngadalë.

Në përgjithësi, ka pasur progres në fushën e statistikave. Përgatitjet po përparojnë, por, megjithëatë, përmirësimet janë të domosdoshme në fusha kyç,

Është bërë një progres i kufizuar në luftën kundër pastrimit të parasë, e cila vazhdon të jetë një problem madhor. Ekonomia shqiptare, veçanërisht sektori privat, mbetet i bazuar gjërësisht te paraja në dorë.

Nuk ka ndonjë strategji në veprim në lidhje me mekanizmin e kontrollit të transaksioneve me para në dorë.

Nuk është adoptuar ende një strategji kombëtare për të parandaluar dhe luftuar kundër pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit.

Në përgjithësi, përgatitjet në luftën kundër pastrimit të parasë janë në një fazë të pakonsiderueshme.

Në përgjithësi, në luftën kundër krimit të organizuar, Shqipëria po vazhdon të bëjë progres të moderuar.

Shqipëria po i plotëson vetëm pjesërisht objektivat e saj në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore. Përgatitjet për një kuadër ligjor më efiçent kundër terrorizmit janë ende në fazat e hershme.

Për ata që e njohin ekonominë, ose përpiqen ta njohin, komentet e mësipërm, besoj, të jenë mjaft domethënës. Të mos i fryjmë puplat si palloi.

E falenderoj Profesor Artan Fugën (që me “gjobat”) më kujtoi për këto shënime.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: