Partia Demokratike paralajmëron përplasje në sheshe e rrugë nëse do të preket vota e 18 qershorit. Paralajmërimi vjen nga nënkryetari Edmond Spaho. Në një intervistë për Koha Jonë ai thotë se prekja e votës do të sjellë destabilitet.
“Sikurse ju me të drejtë konstatoni, BE-ja i ka kusht zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vetëm Rama bën sikur nuk kupton dhe i ka ngelur “boria tek vetingu”. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë jetike për vendin dhe të ardhmen e demokracisë. Për fat të keq reforma zgjedhore sot mund të quhet e dështuar për shkak të zvarritjeve të qëllimshme nga mazhoranca dhe gjasat që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, me Ramën në krye, janë iluzive. Partia Demokratike po bën të gjitha përpjekjet të ndërgjegjësojë opinionin brenda dhe jashtë vendit. Nëse zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë të lira dhe të ndershme, por do të blihen sikurse u veprua në Korçë, zgjedhjet vendore të vitit 2015-të, zgjedhjet në Dibër dhe Ersekë, vendi do të futet në rrugën e destabilitetit politik dhe të përplasjes në sheshe dhe rrugë. Kambanat bien për ata që kanë veshë për të dëgjuar”.
Spaho ka theksuar se përgjegjësia për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është në radhë të parë e qeverisë dhe se “ajo do të mbajë pasojat, të cilat do të jenë të rënda për të dhe vendin, nëse në Qershor nuk do të zhvillohen zgjedhje sipas standarteve të vendeve të BE-së, por do blihen dhe vidhen sipas standardit të Ramës, duke përdorur kontigjentet e krimit”. /Lapsi.al