Home KRYESORE “LE MONDE” – Asadi përligj vrasjen e civilëve: “Ky është nganjëherë çmimi...

“LE MONDE” – Asadi përligj vrasjen e civilëve: “Ky është nganjëherë çmimi për t’u paguar”

Në një intervistë me tri media franceze, presidenti sirian beson se “të gjitha luftërat janë të këqija”, dhe përligj përdorimin e forcës kundër “terroristëve”.

Është hera e parë që ai flet për marrjen e plotë të qytetit Alepo. Në një intervistë dhënë për RTL dhe TV e Radio France Info , presidenti sirian Bashar Al-Asad beson se rimarrja e Alepos është “një pikë kritike” në konfliktin e filluar në vitin 2011 dhe se regjimi i tij është “në rrugën drejt fitores.”

“Të gjitha luftërat shkaktojnë shkatërrim, të gjitha luftërat sjellin vdekjen. Nuk mund të themi se lufta është e mirë. Edhe në qoftë se bëhet për shkaqe të mira, për të mbrojtur vendin, kjo nuk është zgjidhje” , tha presidenti sirian, i cili zhvilloi bisedime të dielën edhe me tre deputetë francezë që shkuan në Siri.

Ai e justifikon bombardimin e civilëve me nevojën për të “çliruar qytetin nga terroristët”. Asadi beson se “ndonjëherë ky është çmimi për t’u paguar.”

“Çështja është si të çlirohen civilët nga terroristët në këto lagje. A është më mirë t’i lëmë nën pushtetin e tyre, me prerjet e kokave dhe ekzekutimet? Ky është roli i shtetit? Jo, ne duhet t’i çlirojmë dhe nganjëherë vrasjet janë çmimi për t’u paguar, por në fund, njerëzit shpëtojnë nga terroristët. Këtë duhet të bëjmë.”

“Optimist”

Asad u shpreh “optimist” për bisedimet e paqes të planifikuara për në fund të janarit në Kazakistan nën kujdesin e Rusisë dhe Turqisë . Presidenti sirian tha se është i gatshëm të negociojë me grupet rebele, me përjashtim të organizatës Shtetit Islamik dhe Frontit Fatah al-Sham, një ish-degë siriane e Al Kaedës .

Ushtria siriane shpalli marrjen nën kontroll të plotë të Alepos, qyteti i dytë më i madh i vendit, të enjten, më 22 dhjetor 2016, pas më shumë se katër vjet luftimesh. Lufta në Siri ka marrë më shumë se 310,000 jetë që nga marsi 2011./360grade.al

Share: