Home KRYESORE Fevziu paralajmëron Frangajn: “Po shpejton fundin e Klan-it”

Fevziu paralajmëron Frangajn: “Po shpejton fundin e Klan-it”

Pas largimit të Shkullakut: zëvendësmit të gazetarëve me personalitet me persona anonimë që nuk reflektojnë asgjë veç orientimeve është fundi i një medie

Pjesmarrja e Blendi Fevziut në debatin e hapur në ditët e fundit për shkarkimet nga detyrat që mbanin, të drejtuesve të mediave ABC NEVS dhe Mapo është një moment që do të mbahet mend gjatë. Sepse ajo do të shënohet si disidenca e parë publike e drejtuesit të emisionit më të suksesshëm politik, “Opinion”, kundër pronarit të TV Klan. Nëse në shumë raste Fevziu, i cili ndan përpos marëdhënies profesionale edhe një mardhënie miqësore me Frangajn (së paku që prej vitit 1998 kur ai e zhvendosi emisionin në këtë ekran duke i dhënë atij një hop të dukshëm cilësor) ose ka mbajtur të njëjtat qëndrime, ose nuk i ka bërë publike divergjencat me pronarin, këtë radhë ai ka folur hapur.

Ai është shprehur publikisht kundër largimit të Shkullakut nga drejtimi i ABC Nevs. “Personalisht jam kundër largimit të të dy gazetarëve nga pozicionet që kishin, përderisa kjo motivohej me ndryshimin e linjës editoriale” ka thënë ai në një intervistë për Syri.net, duke iu referuar largimeve të Shkullakut dhe Alfred Lelës (Poshte intervista e plote).

Po pse bëhet kjo kundërvënie e hapur e Blendi Fevziut?

Për të kuptuar këtë duhet shpjeguar pak historia e Klan. Që nga dita e themelimit në vitin 1998 Klan ka qenë pro socialistëve në pushtet. Ai e arriti kulmin në vitet 2000-2001, kur u bë pothuajse autoporlanti i ish kryeministrit Meta. Dhe e njëjta situatë u përsërit edhe me Berishën në pushtet për 8 vite (me një periudhë të vogël opozitare gjatë qeverisjes së Nanos).

Por, me tu ndryshuar qeverisja edhe Klan filloi të merte kthesën. Viktima e parë qe ish drejtori i lajmeve Andi Bejtja, i njohur për qëndrimet e tij kritike me Ramën, i cili u zëvendësua nga vëllai i Aleksandër Frangajt, Eduart Frangaj.

Ky ndryshim kursi u shoqërua edhe me ftohjen e Klan me opozitën e Bashës dhe afrimin me njerëz të padëshiruar deri atëhere nga rradhët e së majtës, siç ishin Taulant Balla dhe Erion Veliaj. Kulmi arriti, kur tani, vetëm pak muaj para zgjedhjeve, kur dyshja Veliaj- Rama, vendosi njollat ku do të ndërtohen kullat e reja në Tiranë, pra shpërndau për klientët e tij mediatikë dhjetra miliona euro fitime, Frangaj shkarkoi edhe Shkullakun.

Pra pëfundimisht duket sikur grupi Klan mori kthesën e re pro pushtetit. Pikërisht këtë kthesë të radhës duket se ka dashur të fshikullojë Fevziu në qëndrimin e tij: “Nuk ka gazetë apo media në botë që të ndryshojë linjën editoriale më 1 Janar apo çdo 4 vjet. Asnjë të vetme. Linjat editoriale janë përcaktuar në dhjetra vite dhe lidhem me orientimin ideologjik të këtyre mediave….” thotë Fevziu që paralajmëron se ndryshimi çdo një javë i vijës editoriale është një gabim i madh pasi media nuk është një biznes klasik. Dhe për të ilustruar këtë ide të tij, Fevziu paralajmëron Frangaj se mund të ketë fatin e bashkëpronarëve të tij që mendonin se linja duhet ndryshuar për përfitime të çastit, si kullat e tanishme në Tiranë : “Vite më parë, Tv Klan kishte një bashkëpronar, një ndër biznesmenët më interesantë dhe me bonsens që kam njohur, i cili ishte peng i një keqkuptimi të madh. Thoshte: “sot e mbajmë linjën kështu dhe nesër e bëjmë ashtu, në bazë të interesit ekonomik që kemi”. E thoshte me aq sinqeritet, sa as nuk qeshje dot. Si pasojë humbi gjithçka kishte në media”.

Dhe pasi rrëfen këtë histori drejtuesi i “Opinion” e fut edhe më thellë thikën në plagën e Frangajt. Duke ditur se tashmë nga grupi Klan janë larguar, jo vetëm dy ish pronarët, janë mbyllur dy nga mediat që ekuilibronin qëndrimet e Televizionit si Gazeta “Korrierri” dhe “Revista Klan”, kanë firuar njëri pas tjetrit gazetarë si Andi Bejtja, Fatos Lubonja, Andi Bushati që nuk shfaqen më në këtë ekran dhe tani së fundi Armand Shkullaku (I shkarkuar), Fevziu thotë: “Fenomemi i zëvendësmit të gazetarëve me personalitet me persona anonimë dhe që nuk reflektojnë asgjë veç dëshirave të pronarit ndodh, por ky është fundi i një medie. Edhe pse fundi nuk vjen përnjëherë është i pashmangshëm. Nga gabimi yt përfiton rivali dhe një ditë ti e sheh veten në këmbët e një mali që nuk e ngjit dot me stafin që ke”.

Nuk ka dyshim se në prononcimin e vet për “Syri” gazetari më i njohur i TV Klan thotë të vërteta të frikshme. Ai përpiqet të shkundë për herë të fundit udhën pa krye ku po e fut median e vet, pronari i TV Klan. Kuptohet qartë se kjo klithmë bëhet për ta shpëtuar një nga dy televizionet më të mëdha në vend. Vihet re lehtë se ajo është një përpjekje qëllimmirë për të shmangur të pashmangshmen.

Por, pavarësisht nga kjo thirrje publike e Fevziut, gjë që ai nuk kish dashur ta bënte kurrë më parë, dilemat mbeten.

A ka mundësi që TV Klan të ribëhet një ekran i besueshëm për publikun? A mund të heqë dorë pronari i tij i vetëm nga trajtimi si kioskë ku në fund të ditës numërohen lekët e familjes? A nuk është vonë që të grisen lejet e ndërtimit tashmë të bekuara nga Rama dhe Veliaj, në emër të një utopie si “Liria e fjalës”?

Ndoshta është e vështirë që dhe klithma e Fevziut ta shpëtojë TV Klan, nga fati që i ka përcaktuar aksioneri i tij i vetëm.

Share: