Home KRYESORE Albright “anti-Trump”: Regjistrohem si myslimane, për solidaritet

Albright “anti-Trump”: Regjistrohem si myslimane, për solidaritet

Një ish-Sekretare amerikane e Shtetit dhe një aktore e “Big Bang Theory” kanë premtuar se do të regjistrohen si shtetase myslimane, nëse Donald Trump do të krijojë vërtet një bazë të dhënash për amerikanët myslimanë.

Politikania Madeleine Albright dhe aktorja Mayim Bialik thanë se “janë të gatshme” për t’u regjistruar si të tilla, për të sfiduar kështu presidentin e ri amerikan.

“Jam rritur si katolike, u bëra episkopaliane dhe më vonë zbulova se familja ime ishte hebraike”, shkroi në “Twitter” ish-kryediplomatja Albright, e para femër që mori postin e Sekretares së Shtetit në Amerikë. “Jam e gatshme për t’u regjistruar si myslimane, vetëm për solidaritet”, shtoi ajo.

Një “cicërimë” kjo që mori dhjetëra mijëra pëlqime dhe shpërndarje. Komentet e saj vijnë në një kohë kur thashethemet qarkullojnë mbi një urdhër ekzekutiv, i cili do të njoftojë ndërmarrjen e një procesi “vettingu ekstrem”, do të ndalojë ardhjen e refugjatëve në Amerikë dhe veçanërisht ata nga 7 vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, përfshi Sirinë, Jemenin dhe Irakun.

Megjithatë, ende nuk është përmendur regjistrimi i amerikanëve myslimanë gjatë muajve të fundit, diçka që Trump e kishte shprehur si “diçka që do ta implementonte me siguri” në një intervistë të vitit 2015, por më pas e distancoi veten nga kjo deklaratë.

Albright nuk është e vetme, pasi një sërë personazhesh kanë deklaruar se do të solidarizohen me popullsinë myslimane të Amerikës, pas zgjedhjes së Trumpit president në nëntor të vitit të kaluar. Por “cicërima” e saj duket se ka frymëzuar shumë të tjerë për të folur mbi këtë çështje, përfshi aktoren Bialik, e cila luan rolin e Amy Farrah Fowler në seritë “The Big Bang Theory”, një prej sitcomeve më popullore të Amerikës.

Më vonë, kritiku i njohur Trump shtoi se “nëse do të regjistronim njerëzit që mendojmë se janë kërcënim, do të regjistronim edhe meshkuj të bardhë, duke qenë se vrasësit serialë dhe ata që kanë bërë masakra në Amerikë, në më të shumtën e rasteve kanë qenë të bardhë”.

Nga mediet amerikane u raportua se presidenti do të shpallte urdhrin e ri ekzekutiv gjatë kësaj të enjteje, por ka ende orë deri në fund të saj./dita.al

Share: