Home KRYESORE Vjollces i shërbejnë të gjithë! (Denoncimi i fortë i ish-kryetares së AMA-s)

Vjollces i shërbejnë të gjithë! (Denoncimi i fortë i ish-kryetares së AMA-s)

Ish-kryetarja e AMA-s (Autoriteti i Medias Audiovizive) Endira Bushati, denoncoi të premten dhënien e licencës së tretë Kombëtare të transmetimeve për kompaninë ADTN, e cila është në pronësi të kompanisë Digitalb.

Sipas Bushatit, dhënia e kësaj licence është një veprim tërësisht në shkelje të ligjit dhe me probleme në kuorumin e votimit. Bushati thotë se kjo është licenca e tretë për familjen Hoxha, e cila kontrollon paketën e Top-Channel, Digitalb dhe ADTN. Sipas ligjit, një investitor mediatik nuk mund të ketë më tepër se një licencë.

Shprehet Bushati:

Sot, AMA, me dhunë, me 4 vota, kur ligji kërkon shumicë të cilësuar prej 5 votash, i dha licencën e tretë Vjollca Hoxhës dhe familjarëve të saj!

Sot, AMA licencoi si operator kombëtar shoqërinë ADTN, të krijuar më 13 shtator 2016, dhe që ka aksioner të vetëm 100% shoqërinë Digitalb! Kështu, nga 5 licenca kombëtare: Një licencë e mori Top Channel. Të dytën në kundërshtim me ligjin e mori Digitalb. Dhe të tretën e mori ADTN që është në pronësi të Digitalb. Të 4 licencat nuk morën asnjëra 5 votat e kërkuara nga ligji.

Dhe, kur TCH, Klan dhe DGA e fituan në shkallë të parë, AMA dhe Avokatura e Shtetit, në shpërdorim të detyrës, “çuditërisht” nuk e ankimuan në Apel! Sot, AMA me dhunë i dha licencën e katërt ADTNsë!”

Më tej ish-kryetarja e AMA-s denoncon heshtjen e të gjitha strukturave shtetërore në lidhje me skandalin që po konsumohet. Bushati lë të nënkuptuar se edhe institucionet ndërkombëtare janë në dijeni të shkeljes së ligjit, por dhe ndërkombëtarët kanë zgjedhur të heshtin.

auto_endira1473698396

Endira Bushati

Vëren Bushati:

Prokuroria hesht! Rama bën sikur nuk kupton, ndërkohë që nën dhe, kërcënoi e shantazhoi këdo që kundërshtonte. Vlahutin, Lu, OSBE dhe KiE heshtin!

Thuajse të gjithë televizionet heshtën, prokuroria mbylli çështjen! Ashtu siç folën me gjysëm zëri, kur Balla, “papritmas” propozoi shfuqizimin e nenit 62 të ligjit, që pengonte një person dhe familjarët e tij të kishin më shumë se 40% të aksioneve në një licencë kombëtare! Prokuroria tërësisht e kapur dhe nën makthin e Vettingut, nuk vepron!

Dëshmitarët janë aty: Sami Neza, Suela Musta dhe Agron Gjekmarkaj, me integritet e qytetari të lartë qëndruan para presioneve e shantazheve….

Por, kjo prapë nuk mjaftoi para dhunës së kamikazit të Digitalbit Gentian Sala dhe personave viktima të shefave të tyre, Pirro Misha, Gledis Gjipali dhe Zylyftar Bregu!

Si mund të mundet një organizatë kriminale, kur në krye të organizatës është vetë SHTETI?

Sot denoncoi dhënien e licencës për kompaninë ADTN (kompani e themeluar nga Digitalb) edhe televizioni Vizion plus. Më herët dhe ‘Ora News’ nisi disa sulme ndaj kreut të AMA-s.

Por reagimet e këtyre televizioneve vijnë vetëm pasi ato kuptojnë se kanë dalë jashtë loje. Është paradoksale që në median shqiptare nuk raportohen dhe as hulumtohen vendimet e AMA-s për dhënien e licencave dhe frekuencave, një çështje që prek në mënyrë integrale tregun e medias. / Hashtag.al

Share: