Evropa ka nevojë për imigrantë për ekonominë e saj dhe do të mund ta zgjidhë krizën migratore vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, pa ndërtuar mure, deklaroi shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
Mogherini do të hapë një takim Evropë-Afrikë për krizën migratore, para se të marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave të 89 rojave-bregdetare libiane trajnuar nga anëtarët e Sofjes, operacioni detar evropian kundër trafikantëve.
“Mendoj se evropianët duhet të kuptojnë se ne kemi nevojë për imigracionin për ekonominë tonë duke marrë parasysh plakjen e popullsisë evropiane”, theksoi ajo.
“Nga ana tjetër, Afrika duhet të marrë parasysh koston e trafikimit të qenieve njerëzore, humbjen e jetëve”, shtoi ajo, ndërkohë që të paktën 4 500 persona, kryesisht afrikanë, kanë humbur jetën ose janë zhdukur në det vitin e kaluar në përpjekje për të shkuar në Itali.
“Migracioni mund të menaxhohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe partneriteti”, nënvizoi Mogherini.
“Ka forca në mbarë botën që ushtrojnë presion për një mendim ndryshe, një mendim të bazuar (…) në ndërtimin e mureve më tepër se partneriteti”, shtoi ajo pa përmendur drejtpërdrejt presidentin amerikan, Donald Trump.
“Kjo nuk është rrugë evropiane”, theksoi ajo.
“Evropa nuk i mbyll portat dhe nuk do ta bëjë (… por) ne duhet t’i japim fund tragjedisë në det dhe në shkretëtira. Çdo ditë vazhdojnë të vdesin njerëz”, nënvizoi Mongherini.