Home KRYESORE Gjirokastër, plas sherri PS-LSI

Gjirokastër, plas sherri PS-LSI

Kur jemi katër muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit, marrëdhënia mes dy aleatëve ne qeveri, PS-së dhe LSI-së, vazhdon të jetë e tensionuar. Duket se sherrnajat po shtohen akoma më shumë ndërsa afron data për zyrtarizimin e koalicioneve dhe për të parë nëse Ilir Meta do të jetë sërish me Ramën apo do të dalë i vetëm.

Gjirokastra është sërish një qark që prodhon konflikte mes PS-së dhe LSI-së. Teksa pak javë më parë, nga Gjirokastra deputeti i LSI-së Vangjel Tavo sulmo drejtuesit e Policisë si të lidhur me krimin dhe trafikun e drogës, ditët e fundit ka shpërthyer një tjetër përplase. Kryebashkiakja e LSI-së, Zamira Rami, shkarkoi nga detyra nënkryetarin Ylli Muho, i propozuar në atë detyrë prej PS-së. Motivacioni i shkarkimit në shkresën zyrtare me firmën e kryetares nuk jepej.

Katër ditë pas kësaj ngjarje, ish-nënkryetari Ylli Muho ka reaguar sot për herë të parë, duke sulmuar ashpër kryebashkiaken e LSI-së. Natyrisht që sulmi i tij nuk ishte thjesht dhe vetëm personal, për shkak të shkarkimit nga detyra, por gjithçka ishte e koordinuar me drejtuesit e PS-së në qendër e në mënyrë të veçanë me të deleguarit e Ramës në këtë qark, Mirela Kumbaro dhe Bledi Çuci.

Dhe për të përforcuar më tej idenë e këtij sulmi ndaj LSI-së me urdhër nga Tirana, mjafton të përmendësh faktin se ish-nënkryetari Ylli Muho, i bëri deklaratat në televizionin publik Gjirokastra, i cili drejtohet nga njerëz të PS-së. Ish-nënkryetari Ylli Muho dha dy arsye për shkarkimin që i bëri kryebashkiakja e LSI-së.

“Arroganca boshe e saj në marrëdhënie e raport me punonjësit e institucionet dhe së dyti, padituaria ekstreme që ka dëmtuar rëndë punën dhe besimin e qytetarëve. Në këto dy vese të shëmtuara kryetarja e Bashkisë Gjirokastër. zj. Z.Rami ka thyer rëndë marrëdhënien institucionale, politike, njerëzore si dhe ka dëmtuar besimin e qytetarëve. Unë i kërkoj ndjesë gjithë socialistëve, qytetarëve të Gjirokastrës që kam punuar e luftuar për të mbledhur vota për këtë zonjë që shpërdoron në mënyrë të pamerituar besimin qytetar. 64% e fitores së të majtës në pushtetin vendor në Gjirokaster ju takon pikerisht socialistëve, që ajo i denigron, përçmon dhe heq nga puna çdo ditë”, tha Muho ndërsa në fund të reagimit të tij i kujton kryebashkiase së Gjirokastrës se për të ka nisur numërimi mbrapsht dhe se shumë shpejt Gjirokastra do t’i rikthehet socialistëve.

Ky zhvillim në Bashkinë e Gjirokastrës nuk mund të shihet i izoluar nga marrëdhënia e tensionuar që PS dhe LSI kanë mes tyre, sidomos pas shkarkimit të Ylli Manjanit nga posti i Ministrit të Drejtësisë.

Në varësi të qëndrimit të Ilir Metës për protestën dhe kërkesën e opozitës, lufta brenda mazhorancës do të intensifikohet. Presioni që LSI po i bën PS-së në bazë lidhet me ambicjet e saj për të marrë më shumë mandate në zgjedhje dhe Gjirokastra është një prej atyre qarqeve ku LSI synon të nxjerrë dy deputetë. Ndonëse nuk është zyrtarizuar ende, në postin e nënkryetarit të Bashkisë Gjirokastër pritet të shkojë Kristaq Thimio, një prej njerëzve të afërt të deputetit Vangjel Tavo.

Thimio ndërkohë u shkarkua nga posti i Kryeinspektorit të Pyjeve në vitin 2014, pasi rezultonte debitor te OSHEE. Mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojë në ditët në vazhdim ky fonklikt mes Ramës dhe Metës, “vëllezërit armiq” të së majtës që nuk e durojnë njëri-tjetrin, por janë të detyruar të qëndrojnë bashkë për të ndarë përfitimet e pushtetit, ndërsa në publik thonë me të madhe se po bëjnë reforma./LAPSI.AL/

Share: