Me ndershmëri, po tregoj se sa më dhemb kur dëgjoj se si mund të shemben disa “dhëmballë” kryesore të sipërmarrjes, dhe ndjej se si i lenë pa “ngrënë”, pa “punuar”, pa “gjumë”; në fakt dhe, në të vërtetë, nuk i lenë të marrin frymë lirisht.
Sipërmarrje shqiptare nuk kërkon as falje (sepse nuk ka kryer ndonjë krim), nuk kërkon as mëshirë sepse nuk është bërë për t’u mëshiruar.
Sipërmarrja shqiptare kërkon zgjidhje dhe, nëse do të ketë mundësi për të tilla zgjidhje, kërkon nga Banka e Shqipërisë dhe bankat e e nivelit të dytë t’u ofrojn më shumë se një zgjedhje!
Me pak fjalë, gjithnjë pa ndërhyrje në mjedisin dhe në marrëdhëniet e krijuara ndërmjet sipërmarrësve dhe bankave të nivelit të dytë, kërkohet ndërmjetësim ashtu sikundër e thotë fjala e urtë popullore “një dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën”.
Pra, kërkohet një ndërmjetësim midis sistemit banker dhe sipërmarrjes huamarrëse, duke futur në lojë Banka e Shqipërisë, si garante, në gjetjen e zgjidhjeve dhe për të ofruar mundësi më të mira për të zgjedhur, ndryshe nga hipotekimi pasurive të sipërmarrjeve shqiptare në vështirësi për të paguar në kohë huatë e marra nga bankat e nivelit të dytë.
Për çfarë kërkohet kjo ndërhyrje?!
Së pari, për të mbushur arkën e qeverisë (tatimet), sy dyti, për të siguruar, rritur dhe ruajtur paratë e sipërmarrësve shqiptarë, së treti për të rritur pasurinë kombëtare dhe, së fundi, për rritur interesin publik në kuptimin e parandalimit dhe numrit/sasisë së huave të këqia.
Nuk bëhet fjalë që Banka e Shqipërisë të ndihmojë sipërmarrësit në suksesin, ose dështimin e tyre por, bëhet fjalë, për të gjykuar drejt, mbi bazën e një analize se kush prej këtyre sipërmarrësve, guxoi, ose më saktë ka marrë përsipër riskun për të investuar me qëllim rritjen ekonomike të sipërmarrjes vetiake që, natyrisht, supozohet se sjell rritjen ekonomike të ekonomisë së vendit dhe punësimin.
Teodor Roosevelt, një prej kandidaturave për të qenë Mbret i Shqipërisë në vitin 1914, pat thënë se ishte shumë i madh për të qenë Mbret i vendi të vogël.
U bë President i SHBA një ditë të bukur dhe la pas një thënie mjaft domethënëse: “Nuk është i dështuar ai që përpiqet dhe nuk arrin por, është i dështuar ai që nuk përpiqet kurrë!”.
Në këtë kontekst, do të desha të bëj një pyetje (mirë do të ishte në një mjedis familjar – intime i themi me gjuhën e modernitetit për fat të keq), ndoshta, kur nuk duam t’u japim zgjidhje problemeve që ka një vend i tillë, vërtetë, i vështirë.
Vallë, a është e pamundur të bëhen përpjekje për t’i nxjerrë nga halli sipërmarrje të guximshme, të konsoliduara ndër vitet e vështrirë të tranizicionit, pa përkrahjen e qeverive ashtu siç e kanë merituar për riskun që kanë marrë përsipër në kohë nga më të vështirat?!
Tek e fundit, sikundër tregon përvoja amerikane, vështirësitë bënë që Amerika t’u jepte zgjidhje të gjithë problemeve që ndeshi ajo deri në përsosmërinë ku ka arritur.
Besoj, mjaft me argumente dhe justifikime.
Natyrisht, çfarë kërkohet?!
Para së gjithash dhe me shumë rëndësi është nisja e një dialogu ndërmjet bankave të nivelit të dytë dhe sipërmarrësve shqiptarë në vështirësi financiare, me nismën e Bankës së Shqipërisë, me organizator Shoqatën Kombëtare të Bankave, me mbështetës shoqatat e biznesit ku përfaqësohen sipërmarrjet shqiptare në vështirësi.
Klima politike e tanishme nuk premton mbështetjen e politikës, aq më pak atë të qeverisë.
E nesërmja nuk premton para me bollëk, aq më pak investime, aq më pak punësim dhe, mos o Zot, vënien në “karantinë“ të aseteve që prodhojnë mallra dhe/ose shërbime për konsumatorin nga ku dalin shum prej tatimeve dhe kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore.
Me këtë rast, ftoj “kokat“ e mëdha t’i kthejnë sytë te sipërmarrja shqiptare. Ndoshta, edhe kjo mund të bëhet pjesë e interesit të një proteste nën “çadrën“ e interesave të ekonomisë së vendit.
Kasem Seferi – ekonomist