Nga Entela Kasi
”˜Ata janë këtu.
Si ky zjarr që të bën shkrumb e hi.
Ndaj mos ki besë!, Janë”…
Sa herë pyetëm veten
Për kohën mbetur në moskurr
Ku thyem kokat pa trup që I mbyllëm
Në sarkofag për të trembur fëmijët
Dhe zogjtë krahë hollë të ëndërrt
Oh ky makth, kjo qelë ku ngulëm njeriun
Ky tmerr që s’ na dhemb
mbyllur në zhguall,
banesa jonë e vetme rëndon mbi shpinën tonë të lodhur
Derisa eshtrat të jenë thyer krak,
Derisa qytete të jenë shembur mbi lugina
ku edhe lumi I ka ikur shtratit e tokës
Për ti hyrë thellë nën lëkurë historisë
Sa herë e pyetëm veten
E lënë peng në pranga që zotërinjtë I bënë prej metali të ftohtë
Im gjysh më kthehet me duart që dridhen
Kur mbledh duhanin në letra që nuk I shkroi kurrë
Dhe tymi si re gri mbi kokën e varur mbi trup,
përkulur si dega e mollës së pjekur
Gati për të rënë
prej lëkurës së deleve të bardha drejt në oxhak,
“Ata janë këtu, si ky zjarri që të bën shkrumb e hi.
Ndaj mos ki besë. Janë.”
Sa herë e pyesim veten
Për kokat e prera
Që I varëm ne bedenat e kështjellave
Si pendë korbi,
Sikur të ishim ne zotër të jetës dhe vdekjes
……..
Sot, tepër vonë për të gjetur paqen
Tepër vonë për tu prehur n’ qetësim
Tepër vonë…
………………………………………………………………………
Menorah…
E durimit t’pa sosun frymës
Burim I dritës
Botë e trishtë fle tej kufijve të vetvetes
N’arrati yjesh t’fikun
Që ftohin e nxijnë qiellin
Njeriu, Menorah ime është lëndë e paformë
Derdhet, shpërbëhet, digjet
Behet tym e pluhur eshtrash
Hidhet e shpërndahet në ajër
Ne ajrin e ngarkuar me re të zeza
Që varen sall mbi mure
Sikur të ishte kryevepër…
Tash ne muze, statujat dhe dorëshkrimet tremben
Kulprat qe ia morëm pyllit kujtuam se ishin dafina
Mpaket flaka jote
Si shuhet drita n’sy të errun
E shqisa e mbushur me krejt boten
Pëshpërin lutje
Muri është mur Menorah ime
Meduzat plasin t’ shkulin nga rrënjët
T’hedhin tutje shkrumb e hi,
Oh ti,
Ti e bukura ime je aty
N’ tejbotë t’ pasosun
Ti Shën-drit
Ti sy I qiellit t’pafund
Tretet trupi, mishi, e lëndë që vdes
Por ti je kjo pemë përgjithmonë e gjallë
Dashuri je
Menorah,
E durimit t’dashurisë
Dhe jetës
…………………………
Ikin me kohën bien
Yjet n’qelq të natës krisur
Lumë fjalësh që heshtin…
Yll I dritës s’ pasosun
Andej kah bie ti
Mbetet vetëm dashuria
Mbështjellë n’polen ëndrrash
……………………………………
Bien yje në guacën tënde
sepse ti je një gur ku koha la vragën e plagës
Ndaj bien njerëz
N’honin tënd është një pus I zi I thellë
Ku tingujt mbyten
sepse gjuha lidhur me rrënjë e baltë,
pjekur në argjilë, djeg
Pa fjale
…………………………………………………………….
Të lexoj ty rruzull ajri,
perlë endur në mëndafsh fjalësh
Reja e zezë kris mbi këtë mal
Qe s’ mund ta përmbajë njeriu
muranë gjaku trëndafilash të bardhë
Mbi flokë si hiri që djeg gishtat kur shkruan ëndrrat…
Qielli bosh, kaq bosh varet
në tokën ku ne mbjellim lule dëshpërimi
Ku na vret reja
Mbi krena
Kur bie
Mbi ne
Ngultas
Nga të gjitha anët….
Kjo vragë e hapur thepisur shestuar atje
N’hon të thellësisë së pamatshme
Kjo plagë
E rruga si të gjitha rrugët është gjurmë
Dritë
Që më vjen përtej
E bie
Mbi këto fjalë
Kur të lexoj
Ty
……………………………………………………
Kthyer në tempullin tënd,
E bukura ime e trishtë i këndon gjumit t’ikun
mbushur me lutje
Ky pëllumb i bardhë ulur në supin tënd ku bien luleborat
fjala nuk e kapërcen pragun e struket në
Në Kthjellë të ditësDrita ime, kthyer në tempullin tënd i duron të gjitha
Sikur në një çast prej murit të kërceje sall mbi tokë shestuar
Do të mblidhje elbin shpërndarë mbi gurë që rrahin mendimet
Do të bluaje në kokën tënde të bardhë kodet e vjetra për ti bërë vargje perlash
Do të shtroje librat njëri pas tjetrit si një shtrat koralesh
Shkruar në pllaka balte të pjekur në letër të zverdhur nga koha
E do ia nisje këngës tënde mbushur me lutje në murin e rënë kah lindja
Ylli im i dashurisë dhe shpresës
Ku vetëm dashuria mbetet.