Home KRYESORE Ivanov refuzon t’i japë Zaevit mandatin, Parlamenti mund të mblidhet së shpejti

Ivanov refuzon t’i japë Zaevit mandatin, Parlamenti mund të mblidhet së shpejti

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov të hënën ka theksuar se nuk do t`ia japë mandatin liderit të Social Demokratëve Zoran Zaevit pasi që siç theksohet në komunikatën drejtuar mediave nga kabineti i tij, akoma nuk janë shmangur pengesat për të ndarë mandatin.

Më 1 mars Ivanov në një paraqitje drejtuar opinionit tha se platforma e partive shqiptare sic u shpreh ai ‘platforma e Tiranës’ paraqet pengesë për mos ndarjen e mandatit ngase ajo siç tha rrënon karakterin unitar të Maqedonisë si shtet.

Qëndrimi i përsëritur i presidentit Ivanov vjen pas insistimit të Social Demokratëve që presidenti Ianov t’ia ndajë mandatin Zoran Zaevit ngase programi qeveritar i prezantuar të premten nga ai dëshmoi se në asnjë mënyrë nuk cenohet karakteri unitar i shtetit.

Social Demokratët shprehen të bindur se presidenti Ivanov do të jetë i detyruar të ndajë mandatin brenda dhjetë ditëve pas mbledhjes së parlamentit dhe konstatimit të një shumice të re parlamentare pa precizuar se cilën ditë do të mund të mblidhej parlamenti me iniciativë të 20 deputetëve.

Burime për Radion Evropa e Lirë thonë se Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë po zhvillon bisedime me partitë politike shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit të Maqedonisë dhe me gjasë parlamenti pritet të thirret të enjten e kësaj jave.

Ndërkohë nga Lëvizja Besa shprehen se janë në pritje të ndërmarrjes së iniciativës për mbledhjen e Parlamentit dhe zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni.

“Do të presim të shohim nëse do të ketë ndonjë lëvizje konkrete për zhbllokimin e parlamentit dhe pas kësaj do të marrim qëndrim si parti”, thotë Orhan Murtezani zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Njohësit e çështjeve politike thonë se nuk duhet humbur kohë meqë në rrethana kur presidenti Ivanov refuzon të ndajë mandatin rruga e vetme për zhbllokimin e krizës politik mbetet mbledhja e parlamentit ku do të zgjidhej kryetari i ri duke reflektuar një shumicë të re parlamentare si rezultat i zgjedhjeve të 11 dhjetorit vitin e kaluar.

Konstituimi i Parlamentit pritet të mbahet në një atmosferë të tensionuar, në njërën ana presidenti Ivanov refuzon të ndajë mandatin dhe anën tjetër lideri I VMRO DPMNE Nikolla Gruevski ish kryeministër, ka intensifikuar kërcënimet për destabilizimin e vendit, si shenjë revolte e popullatës pasi partia e tij nuk arriti të formojë qeverinë pavarësisht se ka siguruar dy ulëse më shumë në parlament kundrejt LSDM.

VMRO-DPMNE të hënën përmes një komunikate drejtuar mediave ka kërkuar që LSDM publikisht dhe qartë të heqë dorë nga platforma e Tiranës dhe elementet në të, të cilat, siç ceket në kumtesë, do ta ridefinojnë Republikën e Maqedonisë, e cila nga një shtet shumë etnik do ta shndërronin në shtet binacional.

Nga VMRO-DPMNE konsiderojnë se revolta tek populli nga, siç thonë, politika e këtillë jo e sinqertë dhe retorika e Zaevit dhe LSDM-së, po bëhet gjithnjë e më e madhe.

Ndërkohë në vazhdimësi, zyrtarët e lartë të BE­-së dhe SHBA-së u kanë bërë thirrje forcave relevante politike në vend dhe veçanërisht presidentit Ivanov që sa më shpejtë të ndaj mandatin për t’i hapur rrugë formimit të një qeverie e cila në agjendën e saj do të vendos si prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar./lapsi.al

Share: