Këshilli i Europës ka prezantuar raportin vjetor për Statistikat Penale.
Mes 46 shteteve në raport, KiE ka analizuar dhe Shqipërinë, ku vëren mbipopullimin e burgjeve dhe nevojën për përmirësimin e shërbimit të provës.
Sipas KiE, “do të ishte një vlerë e shtuar për sistemin kriminal gjyqësor, duke vlerësuar, parandaluar dhe ndrequr aktivitetin kriminal në vend. Bashkëpunimi më efektiv i këtij shërbimi me institucionet e tjera kriminale në vend si gjykatat, prokuroria, policia dhe Drejtoria e Burgjeve do të ndihmonte edhe në krijimin e një komuniteti më të sigurt, si dhe do të ndihmonte në uljen e popullimit të burgjeve shqiptare”.
Raporti tregon një tjetër plagë të sistemit gjyqësor, atë të afateve të zgjatura për dënimin e një individi. Mbi 1800 individë ndodhen në paraburgim në pritje të një vendimi të gjykatës. Së bashku me individët e shpallur fajtor ende pa dënim dhe ata të cilët janë ende në proces apelimi, përbëjnë 49% të numrit të të dënuarve.
Sipas të dhënave të KiE për shtatorin 2015, burgjet shqiptare populloheshin me 119.6 të burgosur në 100 vende kapacitet. Kjo shifër tejkalohet vetëm nga Maqedonia me 138.2 të burgosur për 100 vende, si dhe nga Belgjika e Hungaria me 127 dhe 129.4 të burgosur.
Sa i përket të burgosurve për raport popullsie, Shqipëria ka 207.2 të burgosur për 100 mijë banorë, shumë më sipër se mesatarja europiane 135.
Ky raport është më i larti në të gjitha vendet e Ballkanit dhe paraqitet si problematik duke qenë se vende si Kroacia, me 4 milionë e 100 mijë banorë, ka pothuajse gjysmën e numrit të individëve të burgosur, raporton “Scan”.
Shifrat e Shqipërisa duket se tejkalohen vetëm nga vendet lindore me një të kaluar komuniste, ku Rusia shfaq gjendjen më alarmante me 439.2 të burgosur për 100 mijë banorë.
Në fakt Shqipëria renditet e 9-ta nga 46 shtetet e analizuara, ndërsa që prej vitit 2009, ky tregues ka ardhur në rritje.
Përsa i përket moshës mesatare të të burgosurve, Shqipëria është vendi me individët me moshë më të re, të cilët vuajnë një dënim.