Home KRYESORE Letra per nenen e munguar..

Letra per nenen e munguar..

E dashur nene,

Sot eshte dita e veres. Dite e ngalljes se tokes dhe njeriut . Eshte simbolika e lulezimit.Sot ,edhe pse i thyer ne moshe une shkova te merrja si cdo vit degen e thanes tutje tek lendina e vogel e mbushur me lulet e bardha te kumbulles.Atje ku te kam enderruar ty ,mes asaj bardhesie sikur ti mblidhje lule neper lendine dhe une te kapja pas fustanit e luaja me lulet e mbledhura ne shporten tende.Fusja kembet ne ujin e perroit te vogel.Llaqurisja kembet e behesha uje i gjithi, ndersa ti me shihje me sy adhurues.Hipja dhe zbrisja ne kumbull. Zhytja koken ne bardhesine e luleve dhe ti kujdeseshe se mos vritesha apo rrezohesha gjate zbritjes.Pastaj,dilja i trembur nga endrra, ndersa mirazhi yt me tretej neper bardhesi.Ah,nene!

Sperkata pragun me sheqer , ndersa po varja degen e thanes ne dere ,poshte para pallatit syte me shkuan tek disa femije qe kishin ndezur nje zjarr te vogel per te kremtuar ardhjen e pranveres.Ishte viti 1948. Une asokohe isha 12 vjec. Femijet ishin mbledhur ne qender te fshatit se bashku me prinderit. Baballaret me femijet perdore kalonin zjarrin per te sjelle mbaresi dhe fortesi. Une isha vetem.Ti nene nuk erdhe edhe pse kishe derguar lajm se do te vije . Mua nuk me zuri gjumi gjithe naten ate dite marsi. Mungesa e babait te ikur para kohe me kishte shtuar dashurine edhe me shume per ty. Zbukurova deren me lulethane,sperkata me sheqer pragun e deres .Mblodha manushaqe dhe lule te bardha rreze perroit dhe te prita gjithe diten te dera.Po ti nuk erdhe! Madje edhe
naten e mbajta koken nga dera.

…dhe qava! Qava per ty nene .Per prehrin tend.per perqafimin tend. Per plaget dhe dhimbjet e tua. Per jeten tende te vedmshtire. Qava edhe me shume per braktisjen edhe pse nuk do ta kesh pasur te lehte vendimin e marre.
Ah nene!

Une e kalova zjarrin i fundit .Doren ma dha xha Suloja se bashku me djalin e tij.Diten tjeter lulet e mbledhura ia cova babait te varri. Qava mbi te dhe i thashe te ngrihej se me kishte marre malli . Punoja nene gjithe diten ne ferme. Edhe ne shkolle isha i pari.Ndonese, tetoja me hoqi se duhej te kujdesesha per te ardhurat ne familje. Nene …! E mbaj mend ate dite qe ne na mori tetoja se ti u martove me nje burre tjeter per shkak te ikjes para kohe te babait. Ate dite ,mua dhe motren na futen ne nje shporte te sajuar me fije hekuri dhe na kaluan ne anen tjeter te lumit ,ku na priste tetoja,ndersa ty te mori burri me kusht qe ne duhet te na conit ne jetimore.Une e mbaj mend qe nuk ti shqita syte derisa arritem ne anen tjeter,ndersa na the se do te vije pas ca ditesh. Po ti nuk erdhe kurre nene…

Sot po te sjell nje tufe me lule te bardha aty ku prehesh,per te thene se te kam dashur gjithnje edhe pse jam rritur jetim!

(Letra per nenen e munguar. ..!)

Share: