Home KRYESORE Arabi Saudite, këshill vajzash i drejtuar vetëm nga burra

Arabi Saudite, këshill vajzash i drejtuar vetëm nga burra

Ishte një nismë inkurajuese për një vend që nuk është i njohur për t’i dhënë gruas një podium në jetën publike. Por, kur Arabia Saudite donte të tregonte përurimin e një këshilli vajzash në provincën Al Qazim harruan diçka: gratë.

Pamjet e publikuara për të shënuar takimin e parë të këshillit të vajzave atje, tregonin 13 burra në skenë, as edhe një femër të vetme.

Gratë ndodheshin ndoshta në një dhomë tjetër, në lidhje videoje. Fotoja ku dominojnë burrat ka qarkulluar gjerësisht në mediet sociale që pas takimit të së shtunës. Ajo është krahasuar me një tjetër hit që u bë viral, një foto të presidentit amerikan Donald Trump, i rrethuar nga burra, që nënshkruante një urdhër ekzekutiv për abortet në janar.

Ceremonia e përurimit të këshillit të vajzave në Arabinë Saudite u drejtua nga princi Faisal Bin Mishal bin Saud, guvernator i provincës Qazim, i cili tha se ishte krenar për konferencën që ishte e para e këtij lloji në mbretërinë arabe.

“Në rajonin Qasim, ne i shohim gratë si motra për burrat dhe ndiejmë përgjegjësinë të hapim më shumë mundësi për to”, tha ai.

Këshilli i vajzave drejtohet nga princesha Abir bint Salman, bashkëshortja e tij, që nuk shihej askund në fotografi. Në Arabinë Saudite ndiqet një politike shtetërore e ndasisë gjinore mes burrave dhe grave, që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin.

Por vendi duket se po përpiqet të zbusë sadopak disa prej rregullave të tij, si pjesë e programit të ri “Vizioni 2030”.

Ky program ka si qëllim të rrisë pjesëmarrjen e gruas në forcën e punës nga 22 në 30 për qind. Në fjalimin e tij në përurimin e këshillit të vajzave, princi Faisal tha se gratë përbëjnë gjysmën e shoqërisë, edhe pse nëse sheh foton, një gjë të tillë nuk mund ta kuptosh./dita.al

Share: