Organizata europiane për luftën kundër krimit dhe trafikut të organizuar “Europol” ka publikuar një raport lidhur me situatën e drogës në kontinent.
Në këtë raport ka të dhëna për trafikun e lëndëve narkotike që zhvillohet në të gjithë kontinentin europian. Fokus të veçantë në raport ka sidomos zona e Mesdheut, për shkak se këtu bëhet transporti më i madh i drogës, në rrugë detare.
“Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit të trafikuar në Europë. Gjithashtu, edhe disa lloje të tjera kanabisi si ajo rrëshirë transportohen në vendet e BE-së nga vende të tilla si Maroku ose Libia. Transporti i drogës bëhet përmes Detit Mesdhe dhe rrugëve të tjera ujore”, thuhet në raport.
Në raportin e gjatë të “Europol” për situatën e kanabisit në Europë, jepen edhe disa harta që dëshmojnë sesi bëhet trafiku i drogës.
Në njërën hartë tregohet sesi Shqipëria është një vend ku prodhohet droga, e cila më tej shpërndahet për në Greqi, Itali dhe në Francë, shkruan “Shekulli”.
Kurse në një tjetër hartë, dëshmohet sesi Shqipëria është jo vetëm vend prodhues i lëndëve narkotike, por edhe vend tranzit. Kanabisi që prodhohet në Afganistan vjen në Shqipëri dhe se prej këtej dërgohet për tregtim në Holandë. Gjithashtu, heroina e prodhuar në Pakistan kalohet përmes Ballkanit dhe se më tej dërgohet në Itali dhe në Holandë./lapsi.al