Home KRYESORE Thaçi: Ushtria do bëhet, Lista serbe po pengohet nga Beogradi që ta...

Thaçi: Ushtria do bëhet, Lista serbe po pengohet nga Beogradi që ta votojë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një debat me përfaqësues të medieve serbe dhe shoqërinë civile në Çagllavicë ka folur për transformimin e FSK-së në ushtri. Ai gjatë këtij takimi tha se shndërrimi i FSK-së në ushtri bëhet në bazë të analizës së detajuar në kuadër të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë.

Presidenti i vendit tha se për përpilimin e Projektligjit për FSK-në, zyra e presidentit ka bashkëpunuar ngushtë me FSK-në, kryetarin e kuvendit dhe me kryeministrin.

Ai gjatë këtij debati tha se rruga e preferuar për transformimin e FSK-së, e për të cilën ka punuar tërë këto vite ka qenë përmes ndryshimeve kushtetuese, por për këtë tha se nevojitet edhe përkrahja e komunave joshumicë.

“Këtë rrugë e kemi preferuar dhe ende e preferojmë… megjithatë përfaqësuesit politik të komunitetit serb nuk janë të gatshëm ta përkrahin transformimin… Anëtarët e Listës serbe e kanë bërë të qartë se janë të penguar nga Beogradi ta përkrahin transformimin e FSK-së”, tha presidenti i vendit, raporton Telegrafi.

Ai tha se është shumë e rëndësishme të bëhet dallimi në mes komunitetit serb në Kosovë dhe politikës së Serbisë.

Sipas tij, komuniteti serb është i interesuar të integrohet në jetën politike e shoqërore në Kosovë, që është atdheu ynë i përbashkët.

Presidenti i vendit ritheksoi se institucionet e vendit nuk do të koordinohen me Serbinë për çështjet strategjike dhe sovranitetin.

Ai tha se Kosova është pro dialogut me Serbinë dhe fqinjësi të mirë, por sipas tij, Serbia ende nuk është partner konstruktiv për Kosovën dhe rajonin.

Presidenti i vendit, duke folur sërish për ushtrinë e Kosovës tha se nuk do të jetë kërcënim për paqen në rajon.

Ai tha se ky transformim është në përputhje me ligjet e Kosovës. “FSK do të jetë e gatshme të të mbrojë të gjithë qytetarët, e të gjitha komuniteteve. Do të japë kontributin e vet për sigurinë rajonale”, tha ai, duke ritheksuar se transformimi bëhet në bazë të analizës në kuadër të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë.

Share: