Home KRYESORE Basha: Në Kavajë nuk do të ketë zgjedhje!

Basha: Në Kavajë nuk do të ketë zgjedhje!

I ftuar këtë të enjte në studion e emisionit “Opinion”, në Televizionin Klan, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha për gazetarin Blendi Fevziu tha se dialogu me qeverinë duhet të jetë real dhe jo një takim ku bëhen monologje.

Teksa theksoi se largimi i Kryeministrit dhe qeverisë janë e vetmja zgjidhje për opozitën, Basha tha se gjatë ditës së djeshme stafi i tij ka kontaktuar me stafin e Kryeministrit, ku ky i fundit, sipas Bashës ka pranuar kushtet e opozitës. Megjithatë, gjatë ditës së sotme, sqaroi Basha, stafi i Kryeministrit është tërhequr.

I pyetur nga Fevziu se çfarë duhet të presim nga ky takim nëse do të ndodhë, kryeopozitari theksoi se e vetmja arsye përse do të ishte pjesë e kësaj tavoline do të jetë përcaktimi i modaliteteve për qeverinë teknike.

“Ditën e djeshme i janë përgjigjur interesit tonë. Kanë thënë dakord, kur janë kontaktuar për të vendosur takimin për dialog për qeveri teknike dhe modalitetit sesi do të shkojmë në një qeveri teknike. Por sot nuk ka patur takim, pasi ka shkuar i deleguari im, ndërsa stafi i Ramës nuk ka sjellë asnjë. Kontakti me stafin e Ramës ka qenë që në orët e para të mëngjesit. Nuk ka ndërmjetës, as ndërkombëtar as shqiptar. Stafi deri para dy orësh është refuzuar. Rama refuzon të mandatojë një person për përgatitjen e takimi”.

Basha riktheksoi se opozita kërkon që të ketë një takim që të ketë premisat maksimale për një dialog për zgjidhjen e krizës, jo një takim pa asnjë përpjekje për t’i dhënë fund zgjidhje.

I pyetur nga Fevziu përse PD pranoi të shkojë për negociata Basha tha: “Për të përcaktuar modalitetit si do të bihet dakord për një qeveri teknike. Për çfarë tjetër. Dy rrugë ka sesi zgjidhjet kjo krizë. Njëra është rruga e dialogut për një qeveri teknike. Tjetra, nëse s’ka dialog për këtë, është rruga e përballjes qytetare, që ka nisur në Shkurt dhe nuk do të ndalet deri sa të kemi zgjedhje të lira e të ndershme, që mund të ndodhë vetëm me qeveri teknike”.

I pyetur për propozimin e ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili deklaroi këtë të enjte se Rama mund të qëndrojë në drejtimin e qeverisë deri më 18 Qershor, për të ushtruar mandatin deri në afatin që përcakton Kkushtetuta, më pas t’i hapë rrugë qeverisë teknike, që do të organizojë zgjedhjet e përgjithshme, Basha tha se ky është qëndrimi i Berishës, jo i PD.

“Ky është mendimi i Berishës, qëndrimi zyrtar i PD është ai që shpreha unë. Shtyrja e zgjedhjeve është e vetmja mënyrë sesi Rama mund të qëndrojë më gjatë në zyrë. Kushti dhe vendimi është shpallur dhe nuk ka asnjë kthim pas. Dy rrugë ka. Rruga e parë është ajo e dialogut politik për një qeveri teknike, rruga tjetër është përballje me popullin. Dialog ose përballje! “

Më tej, Basha tha se në Kavajë nuk do të ketë zgjedhje.

“Themeli i bashkëjetesës demokatike është vota e lirë, nëse ajo dhunohet nuk ka rëndësi as data as dekretet asgjë.

Si do t’i pengoni?

“Me të gjitha format demokratike, paqësore, europiane”. /tvklan.al

Share: