Home QASJE NDAJ PALIGJSHMERISE Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda: “Hakmarrja për Drejtësi” nuk ka...

Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda: “Hakmarrja për Drejtësi” nuk ka ekzistuar.

Organizata kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” nuk ka ekzistuar asnjëherë. Çështja penale e ngritur ndaj 10 personave të akuzuar si anëtarë të saj është tërësisht e falsifikuar dhe e montuar nga persona të papërgjegjshëm të strukturave të ndryshme shtetërore përmes provave të stisura e të pavërteta. Ky është thelbi i arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, që më 13 shkurt 2017, vendosi deklarimin e pafajshëm të dhjetë të akuzuarve të kësaj çështjeje. Ata akuzoheshin për autorësinë e 17 episodeve kriminale, mes të cilave edhe vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, bomba në supermarketin e “VEFA”-s, si dhe rrëmbimin e një fëmije. Vendimi voluminoz prej 159 faqesh të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda nxjerr në dritë argumentet që çuan në pafajësi të pandehurit e dosjes, pas gati dy dekadave gjykim nëpër të gjitha shkallët e gjyqësorit.

VENDIMI I APELIT

Për të 19 episodet kriminale, për të cilat akuzoheshin të pandehurit, Apeli vlerësonte se “mungojnë provat për fajësimin e të akuzuarve”. Në vijim, Apeli radhiste të gjitha shkeljet proceduriale të konstatuara në proces. Përmes vendimit të 13 shkurtit, Apeli ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë të vitit 2008, ku ishin dy të pandehur që kishin marrë dënim me burgim të përjetshëm dhe një total prej 154 vitesh heqje lirie për të tjerët. Të pandehurit Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Caka, Leart Shyti, Roland Shyti, Kreshnik Spahiu, Nikolin Novruzaj, Pasho Novruzaj, Dritan Hate dhe Gëzim Gjoni u rigjykuan në Apel, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë. Vendim u shpall nga një pesëshe gjyqtarësh e kryesuar nga gjyqtari Alaudin Malaj dhe anëtarët Artur Kalaja, Stavri Kallço, Sotiraq Lubonja dhe Etleva Temo.

PA AVOKATE

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda çmon se të gjitha aktet e marra në këtë procedim ndaj të pandehurve pa praninë e mbrojtësve të tyre janë absolutisht të pavlefshme dhe nuk mund të merren të mirëqena këto shpjegime nga ana e kësaj gjykate, për shkak se nga aktet e fazës së hetimeve paraprake, të gjithë të pandehurit nuk janë asistuar nga mbrojtës. … Është tepër i dyshimtë fakti se gjithë të pandehurit paskan zgjedhur të mbrohen vetë dhe pa mbrojtës të caktuar nga ana e organit procedues apo të zgjedhur nga të afërmit, nuk kanë kërkuar asnjëherë të drejtën për të pasur një mbrojtës të caktuar kryesish, edhe në ato raste ku ata e kanë kërkuar, nuk rezulton që kjo e drejtë t’u jetë respektuar.

PROCESVERBALE PA DATE

Procesverbalet përkatëse në të shumtën e rasteve janë pa datë, duke hedhur dyshime lidhur me pjesëmarrësit në to dhe çastin e saktë të redaktimit të tyre. Për më tepër, marrja në pyetje e tyre është realizuar në vende të ndryshme, fakt ky që nuk është shpjeguar nga ana e prokurorit, as nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda në Shkallën e Parë dhe nuk është përmendur as shkaku dhe as vendimi i organit për shoqërimin e dërgimin e të pandehurve në “vende të tjera” nga ato ku ata ishin vendosur pas arrestimit të tyre. … Të pandehurit janë marrë nga banesat e tyre pa vendim të organit procedues disa ditë para datës 12.10.1996, kur është përpiluar për një pjesë të tyre “procesverbali i kapjes në flagrancë”. Gjatë kësaj kohe, ndaj tyre është ushtruar dhunë psikike, çka i ka detyruar të pandehurit të nënshkruajnë deklarime që fajësojnë veten.

EDHE I PANDEHUR, EDHE DESHMITARE

Gjykata e Shkallës së Parë ka gabuar për shkak se në ligjin procedurial shqiptar nuk është e parashikuar marrja, njëherazi nga i njëjti subjekt, edhe e cilësisë së të pandehurit, apo bashkëpandehurit përkundrejt fakteve në ngarkim të tij dhe në të njëjtën kohë, të asaj të dëshmitarit përkundrejt fakteve në ngarkim të të tjerëve.

DEKLARIMET ME DHUNE

Gjykata e Apelit vlerëson se deklarimet e të pandehurve janë produkt i dhunës fizike dhe psikologjike që është ushtruar mbi ta, dhunë që Gjykata e Lartë e ka gjetur të provuar. Por një pjesë e këtyre kontradiktave e bëjnë të pranueshëm pretendimin e mbrojtjes se deklarimet e fiksuara në procesverbale me dhe pa data nuk janë shqiptuar nga të pandehurit, por janë shkruar nga nëpunësit e shtetit dhe të pandehurit janë detyruar t’i nënshkruajnë. Kjo do të thotë që kontradiktat provojnë se dhuna është ushtruar më shumë për t’i detyruar të pandehurit të nënshkruanin ato që ishin shkruar nga nëpunësit e shtetit, sesa për t’i detyruar ata që të pohonin ato që u sugjestionoheshin. Për këtë konkluzion flet edhe gjuha e njëjtë, si nga leksiku dhe strukturat e fjalive, ashtu edhe nga gabimet e njëjta drejtshkrimore, që vërehet në të gjitha procesverbalet me deklarime, pavarësisht faktit që të pandehurit dhe përpiluesit e procesverbaleve janë të ndryshëm. Gjykata e çmon domethënës faktin që organi procedues, megjithëse janë pyetur më shumë se 100 dëshmitarë okularë, të cilët i kanë parë nga afër autorët e këtyre krimeve, vetëm pak prej tyre iu janë paraqitur për njohje të pandehurit e këtij procedimi. Autorët e krimeve në disa raste kanë pasur paruka dhe vetëm në pak ngjarje kanë qenë me fytyrë mbuluar, por s’kanë qenë të tillë në rastin e autobombës te supermarketi “VEFA”, në vrasjen e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi, në vjedhjen e “Shkumbini Petrol” etj.

PROVA TE STISURA

Rezulton se është provuar se disa procesverbale sekuestrimi dhe kontrolli të të pandehurve janë kryer përpara datës së arrestimit të tyre, madje shumë procesverbale deklarimesh të të pandehurve janë dokumente pa data. Vetë dëshmitarët, të cilët kanë marrë pjesë në kryerjen e veprimeve hetimore, kanë deklaruar se “të pandehurit janë mbajtur në kushte komode në Dajt” dhe jo në dhomat e paraburgimit të komisariatit në Tiranë, të gjitha të dhëna treguese që dëshmojnë në përdorimin e provave “të stisura” dhe “të pavërteta”.

PLATFORMA U FALSIFIKUA

Gjykata vëren se me akt-ekspertim grafik është provuar se “krijuesit e dokumentit-zyrtar të shtetit” kanë imituar shkrimin e të gjykuarit Altin Arapi për të krijuar një dokument fals, si platformë të një organizate të pretenduar ose imagjinuar dhe, për më tepër, është provuar nëpërmjet procesverbalit “për këqyrjen e raftit të librave” se e kanë futur në apartamentin e marrë me qira, që ta përdornin si provë për fajësimin e të pandehurve. … Në bazë të aktit të ekspertimit grafik, nr. 297, datë 16.01.2008, është provuar se teksti i të ashtuquajturës “platforma” me përmbajtje antikushtetuese, pjesë e të cilit është edhe emërtimi “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”, nuk është shkruar nga dora e Altin Arapit.

“HAKMARRJA” S’EKZISTON

Nga analiza e rrethanave të çështjes, provave të shqyrtuara dhe vlerësuara sipas ligjit procedurial penal, analizës së veprave penale, për të cilat të pandehurit janë gjykuar, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, ashtu si Gjykata e Lartë, çmon se akuzat në ngarkim të të pandehurve janë të paprovuara, një pjesë të mbështetura në akte të falsifikuara dhe një pjesë në hamendësime. Përveç sa u parashtrua më lart gjatë shqyrtimit një për një të episodeve, u provua se montimin e çështjes mbi fakte të rreme, të paqena dhe alogjike, të cilat nuk duhet të silleshin para gjykatës e kanë persona të papërgjegjshëm të strukturave të ndryshme shtetërore për të krijuar të ashtuquajturën banda e “Hakmarrjes për Drejtësi”, e cila rezulton se nuk ka ekzistuar asnjëherë.

U PRISHEN PROVAT

Në analizë të këtyre fakteve, si dhe të faktit se në këtë çështje jemi përpara një sërë sasish të mëdha parregullsish në prova si procesverbale të falsifikuara, pa data, pa firma, të firmosura nga persona me uniformën e shtetit, që nuk kishin qenë kurrë atje ku kishin thënë se ishin gjetur armë. Parregullsi ku janë ndryshuar konkluzionet e ekspertimeve. Ka konkluzione të bëra disa muaj përpara se eksperti të kishte në dorë objektet e ekspertimit. Janë ndryshuar gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes. Janë krijuar dokumente për të akuzuar të pandehurit si krijues të platformës së “Hakmarrjes për Drejtësi”. Del qartë se procesi është tërësisht i falsifikuar dhe me shkelje të shumta proceduriale të bëra në mënyrë të qëllimtë për të krijuar prova./Panorama

Share: