Home KRYESORE Skenar për atentat ndaj Lulzim Bashës!

Skenar për atentat ndaj Lulzim Bashës!

Lulzim Basha ka shtuar ndjeshëm masat e sigurisë prej katër ditësh. Një informacion i një burimi të besueshëm ndërkombëtar ka sinalizuar autoritetet shqiptare se një grup i rrezikshëm kriminal po përgatit një plan për eliminimin fizik të kryetarit të opozitës shqiptare.

Qëllimi, nuk është goditja e opozitës, por destabilizimi Shqipërisë dhe Rajonit, duke përfituar nga situata e nxehtë politike në vend, deklaroi një burim i rezervuar për Lapsi.al.

Burimi ndërkombëtar që ka dhënë këtë informacion të rëndësishëm ka informuar edhe herë të tjera për ngjarje plane të ngjashme, të cilat janë vërtetuar nga autoritetet shqiptare.

Një prej tyre bën fjalë për një skemar për të eliminuar një politikan të rëndësishëm në vend në vitin 2011 në kulmin e një tensioni politik të krijuar mes mazhorancës dhe opozitës.

Edhe në atë rast ndaj politikanit u shtuan masat e sigurisë dhe makinat e eskortës së gardës së republikës.

Lulzim Basha është parë të ketë jo vetëm truproja nga Garda e Republikës, por edhe policë privatë që e shoqërojnë në çdo lëvizje.

Lapsi.al mësoi se nisur nga informacionet e marra, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror ka zhvilluar një takim me kryeministrin Rama, të cilit i ka vënë në tavolinë informacionin për eliminimin e Bashës.

Qëllimi ishte që kjo ngjarje t’i faturohej qeverisë, duke përfituar nga konflikti i ndezur politik, çka do të çonte vendin në kaos.

Një burim i Lapsi.al tha se grupi që është ngarkuar për të kryer atentatin përbëhet nga të paktën tre shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe konsiderohen si tepër të rrezikshëm dhe vrasës me pagesë

Informacioni i dhënë nga burimi ndërkombëtar u është shpërndarë edhe disa agjencive të huaja të inteligjencës që kanë nisur verifikimet e tyre.

Dyshimet janë për një skenar rus, të ngjashëm me atë për eliminimin e kryeministrit të Malit të Zi gjatë zgjedhjeve parlamentare, për të cilin Podgorica dhe Perëndimi kanë fajësuar Rusinë. /Lapsi.al

Share: