Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, do të vendosin sot nëse do të rinovojnë edhe për një mandat të ri katërvjeçar koalicionin e tyre brenda të majtës.
Takimi mes dy bashkëkryetarëve të koalicionit qeverisës është përcaktuar të zhvillohet sot, në orën 10:00, në Hotel Tirana, ku Kryeministri Rama do të jetë i shoqëruar nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ndërkohë që kryeparlamentari Meta në takim do të shoqërohet nga zv.kryetari i LSI-së, Petrit Vasili.
Por ka pasur informacione nga burime jozyrtare se lideri i LSI do të kishte një takim me zotin Lulzim Basha para se të takohet me kryeministrin, por ende nuk është e konfirmuar nëse takimi do të vijë pas, apo para bisedimeve me Ramën.
Takimi mes Ramës e Metës vjen dy ditë pasi kreu i PS-së i kujtoi partnerit kryesor të tij në koalicion se e majta ka humbur vetëm kur ka qenë e përçarë.
Optimist për vazhdimin e këtij bashkëpunimi politik ka qenë edhe kreu i LSI-së Meta, kur deklaroi se me Partinë Socialiste arritën të fitojnë edhe kur KQZ-ja ishte në duart e Berishës.
Por gjetja e një marrëveshjeje per të futur opozitën në zgjedhje, pritet të jetë një pikë e pazgjidhur mes palëve edhe sot kur kanë mbetur 4 ditë afat nga regjistrimi i koalicioneve në KQZ.