Ministri i jashtëm i Gjermanisë Sigmar Gabriel mbërriti të hënën në Tiranë në një moment kur kriza politike është shumëplanëshe: kur reforma në drejtësi është e stopuar, kur zgjedhja e Presidentit të Republikës dhe zgjedhjet e përgjithshme janë ende të pasigurta në realizimin e tyre.
Ndaj dhe në qëndrimin e tij disa orësh me autoritetet shqiptare Gabriel preferoi të ishte sa më i drejtpërdrejtë, duke dhënë vlerësimet e Berlinit zyrtar për atë që po ndodh në Shqipëri. Në mesazhet për klasën politike ai e lidhi dinamikën e zhvillimeve aktuale me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas Gabrielit, ai vend që dëshiron të shkojë i sigurtë drejt BE-së duhet të konsolidojë ligjet, Kushtetutën dhe parlamentin.
Mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të zbatohet reforma në drejtësi
“Kush nuk e bën këtë ai e largon Shqipërinë nga rruga e BE. Partitë zgjedhin vendimmarrjet e tyre, por minimi i shtetit ligjor nuk është në interesin e BE-së”, u shpreh Ministri i Jashtëm gjerman në Tiranë, duke veçuar aktin pozitiv kur parlamenti shqiptar në muajin korrik të vitit të kaluar miratoi me konsensus një paketë ligjesh të rëndësishme të reformës në drejtësi. Sigmar Gabriel ishte fshikullues kur përmendi aktualitetin e pengesave në vijimin e punës për këtë reformë.
“Kjo është absurde që deputetët e zgjedhur refuzojnë të bëjnë punën e tyre në parlament. Është e paimagjinueshme që opozita përpiqet të ndryshojë gjendjen jo përmes zgjedhjeve, por përmes bojkotit. Për ne është mjaft e rëndësishme që mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të zbatohet reforma në drejtësi”.
Ministri i jashtëm gjerman iu rikthye investimit të vendit të tij dhe vendeve të tjera të BE-së, kur para rreth tri viteve, që përkonte me 100 vjetorin e Luftës së parë Botërore, “ne ftuam vendet e këtij rajoni, që nuk janë pjesë e BE-së, por janë në rrugën drejt BE-së, që t’i çojnë përpara këto vende, dhe Shqipëria është mjaft me rëndësi në këtë proces”.
Konstatohet një farë ngadalësimi në procesin e Berlinit
Procesi i Berlinit, sipas ministrit të jashtëm gjerman, nisi me eufori, por ndërkohë ka rënë disi.” Konstatohet një farë ngadalësimi i ritmeve, nuk mund të shpjegohet përse projektet nuk po ecin përpara siç duhet. Këtu luajnë rol interesa të grupeve të caktuara. Europa mund të bënte më shumë për vendet e Ballkanit perëndimor”.
Ai e lidhi shqetësimin për bllokimin e reformës në drejtësi me procesin e pritshëm zgjedhor.
“Askush në Evropë nuk e kupton që parlamentarët e zgjedhur bojkotojnë parlamentin dhe mblidhen në çadër. Kjo është një rrethanë që ne nuk mund ta pranojmë, dhe kjo në një kohë kur pas pak javësh do të zhvillohen zgjedhje. Nëse deputetët nuk janë të kënaqur me atë që bën një qeveri duhet ta anatemojnë me zgjedhje”.
Për Gabrielin parimi bazë i demokracisë është, që në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, pakicat të pranojnë shumicat, pra thelbi është respekti ndaj Kushtetutës.
“Është e paimagjinueshme që një pakicë nuk përpiqet të ndryshojë gjendjen përmes zgjedhjeve, por përmes bojkotit të parlamentit. Këtu lind përshtypja se ka një fare frike lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi. Për ne është mjaft e rëndësishme të zbatohet reforma dhe ne apelojmë si qeverinë dhe parlamentin që të punojnë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve për zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Interesi i qytetarëve është shteti i së drejtës
Për herë të parë ai ka treguar dhe për një letër që partitë në koalicionin qeverisës CDU-CSU i kanë shkruar PD-së dhe partive të tjera opozitare në Shqipëri. Duke folur për përmbajtjen e saj Gabriel tha se CDU-CSU “kanë apeluar për të mos u bllokuar reforma në drejtësi. Një politikë që përpiqet të pengojë këtë, largohet nga Europa. Më lejoni t’ju bëj një pyetje: çfarë është më e rëndësishme? Interesat e vendit apo interesat e partive politike? Interesi i qytetarëve është shteti i së drejtës dhe jo i grupimeve më të vogla”.
Edhe për mosbesimin që ka opozita shqiptare për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shefi i diplomacisë gjermane u shpreh se në këtë kontekst, duhet të bëheshin propozimet e nevojshme. “Gjermanët, OSBE, BE do të duhej të merrnin propozimin që t’i shoqërojmë në mënyrë më intensive këto zgjedhje. Nëse opozita dëshiron, mund të bëjmë më shumë, por bojkotimi i Parlamentit nuk është rruga që të çon drejt zgjedhjeve demokratike.” /DW/