Home KRYESORE Lëvizjet në polici nisin nga Ardian Çipa

Lëvizjet në polici nisin nga Ardian Çipa

Shkarkohet nga detyra Ardian Çipa, zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë në seksionin e Krimeve të Rënda. Çipa e mbante këtë post prej dy vitesh tashmë, që kur u largua nga posti i Drejtorit të Policisë së Tiranës. Shkarkimi i është komunikuar një ditë më pare dhe u paralajmërua në një shkrim të tre javëve më parë nga Lapsi.al. Fill pas emërimit të Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme, Çipës iu dha drejtimi i policisë së Tiranës.

Në periudhën e drejtuar prej tij në Tiranë kanë ndodhur disa nga ngjarjet më të rënda, si vrasja e bankierit Artan Santo apo shpërthimet e vazhdueshme me tritol në zona të ndryshme të kryeqytetit. Pavarësisht rezultateve, Çipa ka qenë një prej figurantëve kryesorë në propagandën e Tahirit, për një frymë të re në policinë e shtetit.

Lapsi.al paralajmëroi tre javë më parë, jo vetëm largimin e Çipës nga detyra, por për lëvizjen e një sërë drejtuesish të policisë që kanë qenë njerëz të besuar të Saimir Tahirit në polici.

Në drejtimin e policisë prej këtyre njerëzve, në Shqipëri u kultivua kanabis si kurrë ndonjëherë tjetër. Sipas departamentit amerikan të shtetit, në vitin 2016 –ën u mbollën mbi 2 mijë parcela me kanabis dhe nuk pati asnjë reflektim nga drejtuesit e policisë për masa disiplinore apo shkarkime për këto arsye.

Burime të Lapsi.al thanë se pas Ardian Çipës do të jetë radha e Altin Qatos të largohet.

Një prej emrave të lakuar është edhe ai i Skënder Kalemit, Drejtori i Hetimit për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetit, i cili ka në vartësi direkte të gjithë zinxhirin e policisë që ka përgjegjësinë për luftën kundër kanabisit.

Po ashtu pritet të nisë një tërmet i vërtetë në strukturën e policisë me lëvizjen e pjesës më të madhe të drejtorëve të policisë në qarqe, Jaeld Çelën që drejton policinë e Vlorës, Perlat Cullhaj që drejton policinë e Durrësit, Ermal Muçën që është në krye të drejtorisë së Policisë së Lezhës, Alban Çelën që drejton policinë e Shkodrës, Alfred Çepen që drejton policinë e Elbasanit, Aranit Arapin që mban postin e drejtorit të policisë së Gjirokastrës etj.

Në vend të Ardian Çipës, sipas burimeve të Lapsi.al, mendohet se do të vijë Sokol Bizhga, që aktualisht mban postin e drejtorit të Drejtorisë së Studimeve Strategjike./Lapsi.al

Share: