Nga Fadil Maloku
1.Koncepti i mosbindjes nënkupton një mënyrë të re të ndërgjegjësimit qytetar për rreziqet dhe padrejtësitë që ushtrohen në publik nga ana e pushteteve, çfarëdo qofshin ato, pra një momentum kur kuptohet se janë harxhuar të gjitha kredot dhe të gjitha metodat e tjera ligjore, përmes të cilave mund të arrihen rezultate të njëjta të avancimit të drejtave sociale qytetare të një vendi.
2.Lëvizjet qytetare që prodhojnë një mosbindje të mobilizuar qytetare, padyshim që nuk janë kundër sistemit në përgjithësi, por vetëm kundër instancave që dëshmohet se manipulojnë: me procesin zgjedhor: që abuzojnë me ekonominë (sidomos në vendet që gjenden në tranzicion); që kriminalizohen dhe korruptohen skajshmërisht; që pasurohen jo ligjërisht; që përhapin dhe përkrahin pa ose me vetëdije forma të sjelljeve kriminale dhe devijuese; pra, që nuk ushtrojnë detyrimet e tyre të kontrollit social mbi qytetarët e atij vendi.
3. Ajo çfarë e karakterizon mosbindjen qytetare pa dyshim që ka të bëjë me parimin apo kërkesën fondamentale të demokracisë se: çdokush duhet të japë llogari për shkeljet dhe padrejtësitë, të ketë transparencë sa më të plotë në vendimmarrjet publike: të emërohen kompetentët për punët dhe administrimin të shteti: etj. Ideja e ushtrimit të mosbindjes qytetare nga shumica e sociologëve sot konsiderohet si diçka krejtësisht legjitime. Ajo kontestohet zakonisht nga grupet mafioze që kanë hyrë në politike (e që ne rastin e Kosovës dhe shumicës së vendeve në tranzicion janë evidente)!
4. Mosbindja qytetare ndonëse ngandonjëherë (kur nuk arrin t’i formatizojë caqet e veta publike, shkaku i rezistencës nga ana e pushtetmbajtësve…) përdorë metodat që dalin jashtë kornizave ligjore, prapëseprapë ajo konsiderohet se iniciativë legjitime. Duhet cekur që mosbindjen qytetare shumica e demokracive të konsoliduara e kanë shijuar, andaj as Kosova s’do duhej bërë ndonjë përjashtim…
5. Një gjë është e sigurt, se asnjë nga subjektet aktuale nuk do të mund ta shihnin veten në proceset e mëpastajme edhe për shkak se mosbindja e ngjarë do të prodhojë përveç njerëzve e vizionit edhe ide të reja sociale e politike për vendin. Së këndejmi vërtitet pyetja: të demokratizohemi paqësisht apo të rebelohemi paqësisht? Padyshim që jam për ofertën e parë, por nuk e përjashtoj as opsionin e dytë, ngaqë oferta e parë e vonon demokracinë por në anën tjetër e konsolidon shtetin, gjersa oferta e dytë e vonon ndërtimin e shtetësisë, por e konsolidon demokracinë