Jeta private e zyrtarëve të lartë politikë gjithmonë ka qenë interesante për publikun. Kush janë gratë e tyre, ku janë arsimuar, sa janë të suksesshëm, sa i përkrahin familjarët e tyre janë vetëm disa nga temat që shtjellohen.
Historia e njërit prej tyre është gruaja e parë e ish-presidentit serb Boris Tadiç, e cila ka shkaktuar shumë vëmendje përtej kufijve të Serbisë.
Veselinka Zastavnikoviç ishte një grua super-inteligjente, ambicioze, e bukur, tërheqëse, luftëtare e lirisë, revolucionare… Martesa e saj me Borisin zgjati 16 vite dhe pas divorcit Veselinka i është dedikuar jetës shpirtërore. Ajo u bë një murgeshë dhe shërben në Patriarkanën e Pejës me vendosmëri të madhe, duke shmangur gazetarët nga Serbia dhe e tërë bota, të cilët asnjëherë nuk kanë arritur të marrin ndonjë deklaratë nga ajo në lidhje me jetën e saj private.
Veselinka ka lindur në Osijek, dhe në studime në Beograd e ka njoftuar Borisin, i cili ishte tre vite më i ri se ajo. Ajo ishte duke studiuar gazetarinë kurse Borisi psikologji. Përveç bukurisë dhe inteligjencës, ajo është dalluar edhe me qëndrimet e saj radikale dhe revolucionare, kështu që menjëherë hyri në udhëheqjen e lëvizjes studentore “Universiteti i kuq”, i cili ishte kundër qeverisë.
Nevenka Tadiç, nëna e Borisit e kundërshtoi ashpër lidhjen e djalit të saj me Veselinkan, ngaqë familja e saj nuk ishte e arsimuar si ajo e Tadiçit. Mirëpo çifti u martua përkundër gjithçka dhe jetuan në një dhomë të vogël me qira në Beograd. Borisi shiste gazeta në rrugë, kurse Veselinka shiste kukulla të bëra nga duart e saj. Pas diplomimit, Boris u punësua si profesor i psikologjisë në gjimnazin e parë në Beograd. Miqtë e tyre thonë se çifti kishte një martesë të lumtur.
Problemet në martesë dyshohet se u kanë ndodhur pas dallimeve në pikëpamjet politike, dhe se pas fillimit të viteve të 90-të, Boris Tadiç dhe babai i tij themeluan Partinë Demokratike. Gjithashtu edhe presioni i nënës së tij Nevenkës ndaj gruas së tij, për të lindur një trashëgimtar ishte një problem tjetër që e shtyu çiftin të ndaheshin.
Pas ndarjes së tyre, Boris u martua me një inxhiniere të ndërtimtarisë me emrin Tanja me të cilën i ka dy vajza, Masa dhe Vanja. Pas pesë viteve të ashtuquajtura “tundime”, në mes të tetorit të vitit 2007, Veselinka u bë një murgeshë me emrin shpirtëror Irina.
I pyetur për vendimin e gruas së parë, Tadiç shkurtimisht u përgjigj “Ajo zgjodhi rrugën e saj dhe unë e respektoj atë. Ata që e njohin mirë e dinë se ajo, me vetë dëshirën e saj ka shkuar në manastir dhe i është kushtuar Perëndisë”.
Në vizitën e tij në manastirin e Pejës, Tadiç nuk ishte takuar me ish-gruan e tij./360grade.al