Mediat greke bëjnë me dije se Komisioni Europian duke parë gjendjen në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ka krijuar ditët e fundit në Shkup zyrën e menaxhimit të informacionit me përfaqësimin e gjithë vendeve anëtare, midis të cilave është edhe Greqia.
Siç shkruajnë gazetat “Eleftheros Tipos” dhe “Ethnos”, qëllimi i kësaj zyre është të ndjekë nga afër zhvillimet në Shkup dhe të marrë masa emergjente për përballimin e situatave të tejskajshme.
Ajo që shqetëson zyrtarët grekë është rrëzimi i qeverisë aktuale dhe fundosja e vendit në një krizë të zgjatur ose në luftë civile që mund të çojë edhe në zhvendosjen e popullsive.
Për sa i përket palës greke, ajo përfaqësohet nga diplomatë dhe oficerë policie që komunikojnë drejtpërdrejt me Ministrinë e Jashtme, të Rendit , të Mbrojtjes dhe Shërbimin Informativ Kombëtar në Athinë.
Sipas “Ethnos”, Greqia ka filluar të marrë masa në kufijtë e saj me fqinjin verior para incidenteve që ndodhën në parlamentin e vendit. Në mesin e muajit të kaluar ministri grek i Rendit, Nikos Toskas, ka biseduar me homologun e tij në Beograd, Nebojsha Stefanovic, për koordinimin e veprimeve në rast të një destabilizimi të mundshëm të Shkupit.
Masat që ka marrë Athina në rast të këtij skenari që askush nuk e do, përfshijnë përqendrimin e popullatës që do të shpërngulet në kufijtë me ish-Republikën Jugosllave pranë Kilkizit, ku do të krijohet një pikë që do të shërbejë për pritjen, regjistrimin dhe identifikimin e atyre që do të hyjnë për të kërkuar strehim në territorin grek, ku do të qëndrojnë deri në zbutjen e konfliktit të mundshëm./dita.al