Home I pakategorizuar Arsyeja pse do vritej Ziadin Sela dhe 5 mln eurot që i...

Arsyeja pse do vritej Ziadin Sela dhe 5 mln eurot që i refuzoi Gruevskit

Deputeti më i sulmuar në Kuvendin e Maqedonisë, kreu i partisë shqiptare LR-PDSH, Ziadin Sela, ka dalë nga spitali në fundjavë dhe është pritur me flamuj kombëtarë dhe festë në Strugë.

Sela ishte deputeti më i lënduar nga sulmi i mbështetësve të Nikolla Gruevskit në Kuvendin e Maqedonisë, ku deputetët e shumicës aktuale, përfshirë të zgjedhurin për kryeministër të ardhshëm, Zoran Zaev, u rrahën barbarisht nga protestuesit e nxitur nga VMRODPMNE e Gruevskit.

Që nga sulmi i 27 prillit, në mediat maqedonase personazhe të ndryshëm të politikës në Maqedoni shkruajnë se synimi i sulmit ishte vrasja e disa prej deputetëve, përfshirë Zaev dhe Selën. Por çdo ditë publikohen fakte të reja.

Të dielën, portali maqedonas “pressdailynews.com”, shkruan se arsyeja për likuidimin e liderit të LR-PDSH-së, Ziadin Sela, janë 5 milionë euro, të cilat Gruevski ia kishte ofruar Selës që të hyjë në qeveri me të.

“Në kohën kur Presidenti Gjorgje Ivanov i dha mandatin Gruevskit, burimet thonë se deri te Sela ka arritur oferta se Gruevski është i gatshëm t’i japë 5 milion euro për të bërë koalicion me të.

Burimet thonë se kjo ofertë është refuzuar nga Sela. Nga këtu filluan sulmet dhe lançimi i Selës nëpër media. Rrahja në Parlament ishte e lidhur me këtë ngjarje”, ka shkruar “pressdailyneës”.

Pritet që të ketë ndonjë konfirmim apo mohim nga deputeti Sela për këtë ngjarje, sa ai t’i rikthehet jetës politike në Maqedoni. Sulmi ndaj tij dhe deputetëve të tjerë shqiptarë e atyre të LSDM-së dyshohet se ishte organizuar nga deputetët e Gruevskit. Dy prej tyre kanë hapur dyert e Kuvendit për të lejuar protestuesit të hyjnë brenda.

Ka pamje filmike që tregojnë deputetët e VMRO-DPMNE që përshëndeten përzemërsisht me dhunuesit e Kuvendit gjatë ngjarjes së shëmtuar. Lidhjen e tregojnë edhe thirrjet e partisë së Gruesvkit, që personat që kanë ndërhyrë në Kuvend të mos dënohen sepse janë patriotë dhe jo huliganë, sipas tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë njoftoi se merr udhëzime të drejtpërdrejta nga Prokuroria Themelore se si të veprojë me të ndaluarit, të cilët dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj deputetëve në Kuvend.

Në komunikatën e MPB-së thuhet se prokurori ka kërkuar lirimin nga stacioni policor i tre të dyshuarve, pas marrjes së tyre në pyetje. Sipas Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, gjatë hyrjes së dhunshme në Kuvend, janë kryer gjithsej 28 vepra penale./Shqiptarja.com/

Share: