Home KRYESORE Terrorizmi tashme është djalli qe ka dale nga shishja!

Terrorizmi tashme është djalli qe ka dale nga shishja!

Fjala e Petro Kocit, Zv. ministrit te Mbrojtjes gjate përcjelljes se trupave shqiptare ne Afganistan

Pak kohë pas fundjavës mizore e të dhimbshme, kur terrorizmi shokoi botën me masakrën barbare dhe të shëmtuar, në Paris, mblidhemi sot për të përcjellë djemtë, bijtë, vëllezërit, shokët dhe miqtë tanë drejt Afganistanit, në frontin më të rëndësishëm të Aleancës së luftës kundër terrorizmit.

Këta djem do të përbëjnë pjesën dërmuese të Kontingjentit të tretë të kontributeve që qeveria dhe Forca tona të Armatosura i dislokojnë në kuadër të Resolute Support Mission ”“ siç quhet operacioni në Afganistan, dhe angazhimeve të NATO-s për menaxhimin e krizave në funksion të paqes dhe stabilitetit global.

Të gjithë e kujtojmë sulmin ndaj kullave binjake në Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 11 shtator të 2001. Bota u rrënqeth me aktin e përgjakshëm të dhunës çnjerëzore të terrorizmit, akt qe ndryshoi përfundimisht realitetet dhe sfidat me të cilat përballet bota e qytetëruar. Disa muaj më vonë, ushtarakët e parë shqiptarë u nisën drejt Afganistanit, duke dëshmuar para botes se Shqipëria, i ishte bashkuar përfundimisht koalicionit të lirisë dhe vlerave më të mira të njerëzimit.

Rishfaqja e brutalitetit të terrorizmit në Paris, na e solli edhe më pranë dimensionin e terrorit dhe demonstroi edhe njëherë se lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është domosdoshmëri dhe djemtë që po nisen sot, do të rreshtohen në nje front shumë të rrezikshëm.
Terrorizmi tashme eshte djalli qe ka dale nga shishja. E nuk eshte koha per te menduar sesi ta fusim ate prape ne shishe. Eshte koha per ta vrare djallin e terrorizmit dhe per tja këputur koken!

Ju, oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të Batalionit të tretë të Këmbësorisë, po niseni sot për të vijuar historinë e sakrificës, përkushtimit dhe profesionalizmit ushtarak të krijuar nga shokët dhe kolegët tuaj, qysh prej më shumë se 10 vjetësh. Sakrifica nuk do jetë vetëm juaja por edhe familjarëve dhe të dashurve tuaj të cilëve do tu mungoni per disa kohe. Por jam i bindur se njëkohësisht do ti bëni krenarë për kontributin tuaj për paqen, sigurinë dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Duke ju uruar suksese në rrugëtimin e vështirë që po nisni, të gjithë jemi të sigurt se me përgatitjen, aftësitë, përgjegjshmërinë dhe përkushtimin tuaj, ju do të qëndroni në lartësinë që kërkon nderi, misioni dhe detyra juaj. Ne do të jemi pranë jush me mendje dhe zemër, do të ndjekim çdo ditë me interes mënyrat se si ju përmbushni detyrat tuaja, se si ndërveproni në mjedisin ndërkombëtar dhe operacional ku komunikohet jo vetëm me fjalë e gjeste por edhe me gjuhën e armëve. Do të jemi me ju në të gjitha vështirësitë tuaja, do ti vuajme me ju shqetësimet tuaja dhe do të gëzohemi me momentet e këndshme dhe sukseset tuaja.

Duke vlerësuar mbështetjen që vendet aleate kanë dhënë dhe vazhdojnë t’u japin forcave tona të dislokuara në operacione, do të dëshiroja të shprehja mirënjohjen e thellë Republikes se Turqise dhe Forcave te saj te Armatosura. Ne keto dite tensioni me Rusine ne jemi ne krah te Turqise mike duke uruar natyrisht shtendosje te situates me mjete diplomatike.

Të nderuar ushtarakë,

Ju do të shërbeni përkrah me aleatët dhe miqtë tanë natyralë, ushtarakët turq, të inkuadruar në kontingjentin e tyre. Do të bashkëpunoni edhe me të tjerë aleatë për konsolidimin e arritjeve të deritanishme në funksion të paqes në Afganistan, ngritjen e kapaciteteve të perbashketa të sigurisë, duke vazhduar rrugen e transformimit dhe rritjen e profesionalizmit. Njëkohësisht, kjo eksperiencë është edhe një shkollë për formimin dhe zhvillimin tuaj individual, e cila do t’ju hapë të tjera mundësi horizonteve të karrierës suaj.

Angazhimet tona në operacionet e drejtuara nga NATO nuk synojnë vetem sasinë por sidomos cilësinë e kontributeve në përmbushjen e detyrimeve si vend anëtar i Aleancës. Jam i sigurt në cilësitë tuaja dhe gjithashtu i sigurt se ashtu si me kontingjentet e mëparshme, vlerat, profesionalizmi dhe sakrificat tuaj do të kontribuojnë në përmbushjen e misionit dhe lartësimin e emrit dhe dinjitetit të Shqipërisë dhe Forcave tona të Armatosura. Duke qenë i patundur në besimin tim se do e ngrini edhe më lart emrin e Shqipërisë tone dhe respektin për Forcat tona të Armatosura ju përshëndes të gjithëve, ju dhe familjarët tuaj!

Dalshi faqebardhë dhe u kthefshi shëndoshë e mirë!
Poshtë Terrorizmi! Rroftë Shqipëria! 30 Nëntor 2015

Share: