Nga Genti Kruja
Liria e besimit dhe e dialogut ndërfetar në ShqipëriÂ
Islami erdhi dhe u ofroi njerëzve lirinë e të drejtave, për të respektuar dinjitetin e tyre. Kështu, ai u dha lirinë e të menduarit, lirinë e arsimit, lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes dhe kritikës, lirinë e besimit dhe fesë, lirinë e lëvizjes dhe veprimit, lirinë e pronës etj… Por të gjitha këto liri janë të kufizuara nga parimi: “Jo dëmtimit të vetes dhe të tjerëve”. Nisur nga ky parim, çdo lloj lirie e cila i shkakton dëm vetes tënde, apo dikujt tjetër, duhet kufizuar.
Kur’ani i bëri liritë fetare pjesë fundamentale të besimit Islam. Ai thotë se roli i Profetit është të transmetojë porosinë e Zotit. Profeti nuk është kompetent ta detyrojë dikë, as nuk është përgjegjës për pranimin ose mospranimin e fesë që ai predikon. Kur’ani gjithashtu lavdëron njerëzimin për ngjyrat, gjuhët dhe besimet e ndryshme, i lavdëron ata që janë të ndryshëm, por që bëjnë gara për vepra të mira. Prandaj, lirisht mund të themi se Kur’ani konfirmon se krijimi nga Zoti është i mundshëm vetëm si krijim dallimesh! Kur’ani pohon se, shpërblimi i Zotit do t’i përfshijë të gjithë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira.
Kështu që në ditët e tij të para, Islami sanksionoi parimin e lirisë. Në debatin e tij me një nga guvernatorët myslimanë, Prijësi i Besimtarëve, Umeri pati thënë: “Që kur keni filluar t`i skllavëroni njerëzit, ndërkohë që nënat i kanë lindur të lirë?!” Kurse Imam Aliu thotë: ”˜Mos u bëj skllav i askujt, përderisa Zoti të ka krijuar të lirë!”
Pra, të gjithë njerëzit janë të lirë në zanafillë dhe origjinë. Ky ka qenë vullneti i Zotit dhe përderisa kanë lindur të tillë, kanë të drejtë të jetojnë të lirë. Islami ua njohu njerëzve të drejtën e lirisë, në një kohë që ata ishin të skllavëruar ideologjikisht, politikisht, shoqërisht, fetarisht dhe ekonomikisht. Ai ua njohu të drejtën e lirisë, të lirisë së besimit, lirisë së mendimit, lirisë së shprehjes, lirisë së kritikës dhe të gjithë lirive. Islami nuk lejoi, që njerëzve t`u imponohet besimi. Zoti e deklaron këtë haptazi në Kur’an, ku thotë: “Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata, që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!” (Junus, 99)
Ky ajet i është shpallur profetit Muhamed (a.s) në Mekë, kurse në Medinë i është shpallur ajeti tjetër: “S’ka detyrim në fe!” (Bekare, 256)
Shkaku i shpalljes së këtij pasazhi të shenjtë, është treguesi më i madh mbi dimensionin dhe shenjtërinë e lirisë në Islam.
Pra liria e parë është ajo e besimit. Kurse liria e dytë është ajo e mendimit, meditimit dhe hulumtimit. Islami i fton njerëzit, që ta studiojnë dhe hulumtojnë universin përreth.
Si rrjedhojë e lirisë së mendimit, lindi dhe liria e arsimimit dhe shkencës.
Me ardhjen e Islamit, njerëzit ishin të lirë të mendojnë si të duan, madje Islami i urdhëroi, që të mendojnë dhe arsyetojnë.
Liria e besimit është e shenjtë dhe duhet mbrojtur:
“Sikur Zoti të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Zotit”. (Haxh, 40)
Liria që pranon dhe njeh Islami, është liria e arsyes, liria e dijes dhe arsimit, liria e mendimit dhe fjalës, liria e kritikës dhe besimit. Këto janë liritë thelbësore, mbi të cilat bazohet jeta mbi tokë. Ne jemi të lirë të bashkëpunojmë, por pa i bërë keq askujt. Ne jemi të lirë të kemi pronat dhe pasuritë tona, por në respekt të plotë të pasurive dhe pronave të të tjerëve, pa i shkaktuar dëm as vetes dhe as tjetrit.
Profeti Muhamed (a.s.), si komentator legjitim i Kur’anit, i shpjegoi më gjerësisht parimet dhe idealet kur’anore, për tolerancën dhe lirinë e besimit dhe me shembullin e vet vuri në jetë dhe i bëri traditë praktike edhe për brezat pasardhës.
Duke i quajtur hebrenjtë dhe të krishterët “Dhimijj” ”“ “të mbrojturit”, d.m.th. ata që myslimanët e kanë për detyrë t’i mbrojnë, Profeti tha:
“Kush torturon një dhimijj, unë jam armik i tij dhe atë armiqësi do ta shfaq edhe në Ditën e Gjykimit”.
Fjalimi i njohur lamtumirës i Profetit i ka përmbledhur mësimet islame për veprimet e qarta e të drejta ndaj njerëzve, më vonë ajo do të bëhet një deklaratë e pashembullt për të drejtat e njeriut.
Janë pikërisht fjalët e Haxhit të Lamtumirës, që themelojnë kushtetutën e të drejtave islame, e cila ndalon gjakmarrjen, racizmin, padrejtësinë dhe dhunën.
Një shembull i veçantë ishte edhe amnistia e përgjithshme që shpalli Profeti Muhamed në Çlirimin e Mekës.
Këtë traditë profetike do ta ndjekin më vonë edhe kalifët dhe drejtuesit e parë myslimanë pas tij.
Në dokumentet që Umeri, pasuesi i dytë pas Profetit u kishte dhënë banorëve të Jeruzalemit, u kishte garantuar të drejtën e lirisë personale, paprekshmërinë e pronës, paprekshmërinë e kishave, të tempujve dhe manastireve.
Sikur myslimanët sot, t’i jepnin rëndësi dijes dhe diturisë, duke u nisur nga fjala e parë e Kur’anit “Ikra” (Lexo) dhe shumë ajeteve dhe haditheve, që flasin për diturinë, do ta jetonin dhe përjetonin Islamin ashtu siç është në realitet, duke bërë të mundur që së bashku me jomyslimanët të ndërtonin paqen në botë.
Kur’ani i porosit myslimanët të jenë tolerantë, zemërgjerë, të mëshirshëm dhe komunikues me pjesëtarët e feve të tjera, si dhe jodetyrues në besim për jobesimtarët:
“Thuaj: E Vërteta është nga Zoti juaj, prandaj kush do, le të besojë, kush do, le të mos besojë” (El-Kehf, 29).
Kur’ani gjithashtu shpall: “Pajtimi është më i dobishmi!” (Kur’an, en-Nisa, 4, 128)
Njerëzit janë krijuar të ndryshëm për t’u njohur në mes vete dhe jo për të treguar urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Këtë e thekson Kur’ani që në fillim të shpalljes së tij: “O njerëz! Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli e një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise që ta njihni njëri ”“ tjetrin.” (Kur’an, Huxhurat, 13)
Kur’ani na mëson se Zoti ka shpallur dhe libra të tjerë si Zeburin (Psallmet), Teuratin (Torën) dhe Inxhilin (Ungjillin) dhe hebrenjtë e të krishterët i quan si “Ehlu’l-Kitab” – “Ithtarë të Librit”.
“O ithtarë të Librit, ejani të bashkohemi rreth gjërave të përbashkëta edhe për ju, edhe për ne: të adhurojmë vetëm Zotin e mos t’i bëjmë asnjë shok Atij dhe mos ta marrim njëri-tjetrin për Zot, në vend të Perëndisë”.(Ali Imran, 64)
Kurse në marrëdhëniet me të krishterët Zoti thotë në Ku’an në kaptinën Maide, vargu 82: “Ndërsa do të vëresh se më të afërmit si miq për besimtarët thanë: “Ne jemi nesara-të krishterë”. Këtë ngase prej tyre (të krishterëve) ka dijetarë dhe të devotshëm”.
Kur’ani gjithashtu shpall: “Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time.” (Kur’an, El-Kafirun, 1-6)
Kur’ani, nga myslimanët jo vetëm që kërkon tolerancë, mirëkuptim, sjellje e qëndrim korrekt ndaj pjesëtarëve të feve të tjera, por ai shkon edhe më larg dhe nga toleranca kalon në shkallën e njohjes, që është shkalla më e lartë e tolerancës dhe garanci për bashkëjetesë. Besimtarët Judenj dhe të krishterë i njeh si monoteistë, që kanë librat e tyre të shpallur nga Zoti.
Në favor të asaj që Kur’ani i njeh popujt e tjerë shkon edhe njohja e profetëve të tyre. Kur’ani në të vërtetë nuk bën kurrfarë dallimi në mes të profetëve, duke filluar prej Ademit (Adamit) nëpërmjet Ibrahimit (Abrahamit) e Musait (Moisiut) e deri tek Muhamedi (a.s.). Ndërsa për Isain (Jezusin) ”“ të birin e Merjemes (Marisë), vërtetues i Teuratit (Toras), thotë:
“Ne dërguam në gjurmët e profetëve ”“ Isain (Jezusin). Dhe ne i dhamë atij Inxhilin (Ungjillin), në të cilin ka udhëzim e dritë, vërtetues i Tevratit (Toras), të cilin e kanë para vetes – udhërrëfim dhe këshillim për ata që i druhen Zotit.” (Kur’an, El-Maide, 46-47)
Hz. Isai (a.s.) – Jezusi është quajtur Abdullah (rob i Zotit) dhe në Kur’an kalon si “minel mukarrabin” (ai që është afër Zotit).
Kurse Hz. Merjemja citohet 34 herë në Kur’an, ndërsa në Besëlidhjen e Re, 19 herë. Merjem është e vetmja grua e thirrur me emrin e saj në Kur’an, duke marrë emrin edhe një prej sureve të Kur’anit.
Kur’ani rrëfen paraqitjen në tempull, lajmërimin dhe lindjen e Hz. Isait. Merjemja është quajtur “më e madhja ndër të gjitha gratë”.
Në një letër që ua dërgon hebrenjve dhe të krishterëve të Nexhranit, Profeti Muhamed thotë:
“Nexhrani dhe fqinjësia e tij, nga Zoti dhe profeti i Tij Muhamed e kanë të mbrojtur – pasurinë e tyre, kishat e tyre dhe gjithçka që kanë në pronësi”.
Kur një delegacion i të krishterëve të Nexhranit kishte shkuar në Medine dhe atje kishte zhvilluar diskutime të gjata me Profetin në xhami, gjatë kohës së takimit të tyre, të krishterët kërkuan pushim për kryerjen e riteve të tyre fetare. Muhamedi (a.s.) e kuptoi shqetësimin e tyre dhe i ftoi të kryejnë shërbesën e tyre fetare në xhami, në njërin nga vendet më të shenjta të Islamit. Ky është një shembull i tolerancës, zemërgjerësisë dhe mirëkuptimit, i lëshimit të vendit të shenjtë për lutje, i cili në të ardhmen do të bëhej normë e sjelljes islame.
Edhe kur Hz. Muhamedi (a.s.) ishte duke ndërruar jetë tha: “Unë po i lë në besën tuaj Ehli Kitabin (Popujt e Librit, të Krishterët dhe Hebrenjtë)”. (Ebu Davud, Imarat, 33; Muttaki el-Hindi, Kenzu’l-Ummal, IV, 362)
Edhe Umeri, pasuesi i dytë pas Profetit, si udhëheqës shteti, pati lënë të njëjtin amanet:
“Unë po e lë Popullin e librit që gjendet midis nesh, në besën tuaj. Frikësojuni Zotit në lidhje me ta dhe silluni me drejtësi ndaj tyre”. (Jahja bin Adem, Kitabu’l-Haraxh, 54) Janë pikërisht këto norma që duhet të jenë baza e kulturës dhe e dijes teologjike jo vetëm e drejtuesve fetarë myslimanë, por edhe e besimtarëve të thjeshtë, kudo në botë.
Shpresojmë dhe lusim Zotin që këto norma të ringjallen aty ku mungojnë, e të pasurohen e ruhen aty ku ekzistojnë.