Home KRYESORE VIDEO/Tjetër skandal me maturën, publikohet teza e provimit të Matematikës

VIDEO/Tjetër skandal me maturën, publikohet teza e provimit të Matematikës

Sot është zhvilluar provimi i tretë i maturës shtetërore, ai më i vështiri për shumicën e maturantëve, provimi i matematikës.

Mirëpo një rast i paprecedentë është publikuar nga faqja “Lolita” në facebook, ku një maturant ka përdorur snapchatin gjatë zhvillimit të provimit të matematikës duke i bërë me dije atyre jashtë sallës se cila është teza, për ta ndihmuar gjatë provimit.

Përpara zhvillimit të provimit, zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj kërkoi nga maturantët që të zbatojnë rregulloren dhe të lënë në shtëpi telefonat celularë të tyre.

“Të kenë kujdes që të mos pajisen me celularë. Ju bëj me dije edhe prindërve që edhe ata të jenë të kujdesshëm që fëmijët e tyre të realizojnë të plotë procesin e Maturës Shtetërore. Garantoj për standardin dhe cilësinë e provimit të Maturës Shtetërore. Janë vendosur valë bllokuese që nuk lejojnë akses të internetit dhe telefonit. Policia e Shtetit ka kontrolluar personat që punojnë aty. Godina ruhet gjatë 24 orëve.”, bënte thirrje zëvendësministrja Malaj.

Nuk dihet se cili maturant e ka nxjerrë videon, megjithatë ajo është bërë virale, pasi siç duket maturanti nuk e ka patur të vështirë të nxjerrë celularin në sallë.

Provimi i parë ishte ai i Gjuhës së Huaj që u mbajt më 5 qershor, i cili u ndoq nga ai i Gjuhës Shqipe & Letërsisë më 10 qershor. /360grade.al/Media

Share: