“Megjithëse Ambasada është mësuar tashmë me botime të herëpashershme trillimesh antiruse në hapësirën mediatike shqiptare, është e detyruar të pranojë që në këtë “garë trendi” për demonizimin e Rusisë është shfaqur një lider i ri, i cili i ka tejkaluar të gjithë konkurrentët e tij për nga mungesa e kompetencës, absurditeti i gjykimeve dhe pasioni për teorinë e konspiracionit. Këtu bëhet fjalë për një anëtar të Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut në SHBA z. Mark Gjoni, artikulli i të cilit me titull “Pse Rusia kërkon të ndikojë rajonin duke blerë media” sot është përhapur në mediat shqiptare, përfshirë këtu edhe në gazetën shumë të njohur “Dita”.
Materiali i z. Gjoni tregon për një projekt sekret të hartuar gjoja nga shërbimet speciale të Rusisë për të ndikuar në opinionin publik shqiptar nëpërmjet blerjes dhe përdorimit të mëtejshëm të medias vendase. Për më tepër, autori pohon se Rusia ka blerë tashmë një gazetë shqiptare, një televizion dhe tre portale elektronike. Madje, për zhvillimin e bisedimeve përkatëse, në Tiranë gjoja ka qenë një delegacion i madh nga Moska, që ka vizituar ambientet e televizionit të blerë.
Më tej, duke u shkëputur përfundimisht nga ndonjë logjikë, z. Gjoni bën të ditur që mediat e “blera” nga Rusia që nga viti 2015 po përhapin materiale të prodhuara nga Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish, si edhe nga njëfarë qendre të paspecifikuar, e cila ndodhet në Sofje. Dhe që ta trembë një herë e mirë lexuesin e vet, z. Gjoni paralajmëron për planet e Moskës për të hapur në Tiranë “një qendër të njëjtë homologe të Nishit” për ta përdorur edhe atë për qëllime propagandistike. Autorin, ka të ngjarë, nuk e ngacmon fare fakti që Qendra Ruso-Serbe merret me kapërcimin e pasojave të emergjencave civile dhe aspak me publikimin e materialeve në media.
Në dëshirën e tij për ta paraqitur Rusinë si një armik, z. Gjoni arrin deri atje sa që e akuzon atë për cenimin e lirisë së medias në Shqipëri (!), si edhe për lidhjen e disa “kontratave bashkëpunimi” me një sërë gazetarësh shqiptarë, që “përdoren” për zgjerimin e ndikimit rus në vend. Dhe më e çuditshmja është që autori e sheh si një kërcënim më vete promovimin e kulturës ruse në Shqipëri, edhe pse dihet që bashkëpunimi humanitar Rusi-Shqipëri qëndron jashtë kornizave të politikës dhe i shërben ndjeshëm afrimit të vendeve tona. Meqenëse z. Gjoni jeton në SHBA, do t’i rekomandonim që ndonjëherë të vinte në Tiranë dhe të vizitonte ndonjë event kulturor të organizuar nga Ambasada për të parë me sytë e tij se me çfarë entuziazmi e pret artin rus publiku shqiptar.
E gjendur nën një mbresë të fuqishme nga leximi i artikullit të z. Gjoni, Ambasada nuk mund të mos i drejtohet me një kërkesë si më poshtë. Duke marrë parasysh që Ambasada nuk ka të dhëna për blerje të mediave shqiptare nga Rusia dhe nuk është në dijeni të ndonjë “marrëveshjeje të nënshkruar” lidhur me këtë, do t’i ishte shumë mirënjohëse z. Gjoni për informacione më të detajuara, përfshirë këtu emërtimet e gazetave, televizioneve dhe portaleve elektronike shqiptare të “blera” nga Rusia, titujt e artikujve të “përhapura” në Shqipëri nga Qendra Humanitare Ruso-Serbe dhe prova të tjera konkrete të “luftës mediatike” gjoja të drejtuar nga Rusia. Të dhëna të tilla do të përbënin interes të jashtëzakonshëm jo vetëm për Ambasadën, por edhe për të gjithë lexuesit shqiptarë.
Ndërsa momentalisht artikulli i z. Gjoni është një shembull krejt i qartë i një histerie antiruse të pabazë, të pathemeltë dhe të motivuar politikisht. Ambasada shpreh keqardhjen për qytetarët e Nju Jorkut, interesat e të cilëve i mbron një njeri i aftë për të tilla spekulime mashtruese, pa logjikë dhe krejtësisht trashanike. Gjithashtu, Ambasada është e befasuar nga vendimi i redaksisë së gazetës “Dita” për ta publikuar këtë “vepër”, e cila në asnjë moment nuk pasqyron situatën reale dhe nuk i afrohet fare një analize profesionale”.