Home KRYESORE Lapsi.al: Basha fajëson Ramën për humbjen, por mban ende ministrat në qeverinë...

Lapsi.al: Basha fajëson Ramën për humbjen, por mban ende ministrat në qeverinë e tij

Ministrat teknikë të Lulzim Bashës vijuan edhe sot normalisht punën, ndonëse e sotmja nuk ishte ditë e zakonshme për ata.

Në fjalimin që mbajti Basha një ditë më parë, ai pranoi se “teknikët” e tij në qeverinë Rama, kishin dështuar të pengonin blerjen e votës, përdorimin e bandave dhe të administratës në tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve.

“Me gjithë përpjekjet që unë dhe Partia Demokratike bëmë, me ligjin e dekriminalizimit, me betejën pa kompromis me drogën, me imponimin që i bëmë Edi Ramës duke i hequr gjysmën e qeverisë, me ndërgjegjësimin e partnerëve ndërkombëtarë, sërish krimi dhe paraja e pisët, presioni i shtetit nuk u ndalën.

Blerja e votës u bë masivisht, duke zëvendësuar edhe një herë debatin për alternativën, me shukun e parave për votën, duke zhvleftësuar planin dhe projektin, me pagesë për varfërinë e thelluar, për ta bërë më të lehtë këmbimin e saj me të holla. Me para të pisëta droge dhe korrupsioni qeveritar. Kjo ishte një garë e pabarabartë, por sigurisht një garë ku unë nuk kam ndërmend asnjëherë të konkuroj me të njëtat mjete, e as të ftoj kësisoj qytetarët shqiptarë. Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit, është triumf i paligjshmërisë. Me të vërtetë, unë dhe Partia Demokratike morëm një rezultat zhgënjyes”, tha Basha.

Pas kësaj deklarate, qëndrimi i ministrave duket i pakuptimtë. Ata duhet të kishin lënë zyrat me vullnet të lirë, pasi misioni përfundoi pa rezultat, por gijthashtu Basha duhet t’i kishte tërhequr menjëherë pasi pranoi humbjen dhe rezultatin zhgënjyes. /Lapsi.al

Share: