Vendimi i parë që do të marr si kryebashkiak i Kavajës është t’a kthej institucionin tek qytetarët, pasi prej dy vitesh ishte kthyer në bunker. Kështu shprehet Isa Sakja, kandidati i PD-së që fitoi garën për postin e Kryetarit të Bashkisë së Kavajës në zgjedhjet e 25 Qershorit, ku fitoi me 28 vota më shumë se rivali i tij socialist në këtë garë. Por Sakja ka edhe një premtim tjetër, rikthimin e obeliskut të demokracisë në këtë qytet, që u hoq nga ish-Kryebashkiaku Elvis Roshi, dhe heqjen e obeliskut kuq e zi të vendosur nga ky i fundit.
“Ai simbol nuk kishte të bënte vetëm me Kavajën, ishte lëvizje mbarëkombëtare që diktatura antikomuniste të merrte fund. Unë kam dhënë fjalën në fushatë dhe do ta mbaj. Unë aty do të hap një konkurs mbarë kombëtar për arkitektë skulptorë piktorë dhe aty do jetë një simbol që përfaqëson atë lëvizje”, thotë Sakja.
Ai flet edhe për bashkëpunimin me Kryeministrin Edi Rama, të cilin e konsideron të detyruar për t’I shërbyer qytetarëve të Kavajës.
“Besoj se bashkëpunimi mes nesh është i detyrueshëm, ai për hatër të banorëve të Kavajës, unë për hatër të banorëve të Kavajës. Ne s’kemi pas asnjëherë shkëmbime sms, besoj se nuk është tabu dhe mund të bëhet”, thotë Isa Sakja.
Mëngjesin e parë si kryebashkiaku i ri i Kavajës, Isa Sakja e kaloi larg qytetit, pranë familjes së tij, për t’u qetësuar pas një muaji fushate. Falenderimin e parë e ka për të majtët që votuan për të, duke u shprehur se për asnjë moment nuk e humbi besimin se Kavaja do t’i jepte një leksion të gjithëve e do rikthehej në rrënjët e veta.
Fitoren ja dedikon PD, e cila nuk fitoi më 25 qershor, por në Kavajë sipas tij, tregoi se është parti e madhe. “PD është parti e madhe në Kavajë dhe duhej të ishte forca kryesore, pavarësisht gabimeve shumë të mëdha që u bënë këtu. Ishte një revoltë që Kavaja bëri kundër krimit, një rebelim kundër trysnisë dhe presionit.
Si Kavaja nuk ka në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka patur në ’90. Nuk kishte as në 2011 pavarësisht se ishte PD në pushtet, Kavaja u rebelua dhe s’mund të ishte ndryshe në 2017”, shprehet Isa Sakja, kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës.
Pas fitores me vetëm 28 vota më shumë, Isa Sakja përqafoi rivalin e tij në garë.
“Dori u tregua civil, më uroi për fitoren, e përqafova si kavajas. Kështu jemi ne, s’kemi kohë të urrejmë njëri-tjetrin. Ne jemi qytet me lidhje sociale të forta njëri me tjetrin. Ne mund të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”, thotë Sakja. /360grade.al/