Nga Xherald Bizaku
Pluralizmi politik në Shqipëri dhe vitet më rrënjësore te historisë së këtij vendi janë të lidhura pazgjidhmërisht me rininë. Ishin pikërisht të rinjtë e këtij vendi që mposhtën frikën dhe i dolën në ballë regjimit të egër komunist që kishte marrë peng Shqipërinë për 50 vite.
Arma e tyre kryesore ishte idealizmi dhe dëshira e madhe për një Shqipëri si gjithë Europa. Në atë kohë nuk mendohej për poste zyrtare dhe ofiqe po për liri dhe progres. Shumë prej tyre u bëne automatikisht pjesë e politikës së parë pluraliste te Shqiperisë. Ato as nuke kishin menduar vehten aty.
Le të kthehemi në ditët e sotme që për hir të së vërtetës kjo është një temë që diskutohet gjerësisht. Vitet e fundit kanë treguar që është rritur numri i të rinjve që janë angazhuar në politikë apo kanë interes për t’u përfshirë në politikë dhe kjo padyshim që përbën një impakt pozitiv.
Por është e rëndësishme që të bëhet dallimi mes atyre të rinjve që kanë ideale, që duan të sjellin të renë dhe atyre që e shohin pjesmarrjen në politike si një mundësi për benefite personale apo si një katapultë për poste te ndryshme.
Fatkeqësisht numri i këtyre te fundit është rritur ndjeshëm. Ideali është një term që ka dalë nga “moda” këto kohë ,kjo sepse sot çdo gjë peshohet me vlerë monetare apo me një post publik. Kjo gje është ushqyer dhe nga “të vjetrit” e politikës me qëllim që të kenë rininë pas vehtes.
Idealet shterojnë dhe intersat gjallërojnë.
I riu duhet t’i bashkohet politikës edhe që ta përmirësoje atë dhe jeten politike, t’i dëgjohet zëri dhe të dalin në pah cilësitë më të mira të gjithsecilit, që vetë ato të mbrojnë interesat e veta pa qenë nevoja të trokasë në derën e askujt.
Për këtë arsye ato duhet të marrin përgjegjësi për drejtimin e vendit, duke u angazhuar në politikë.
Të rinjtë janë të aftë t’i kalojnë vështirësite dhe pengesat pa patur nevojë që të fshihen pas një ose disa individeve. Të rinjtë nuk duhet të jenë plotësuesit apo shtojcat e askujt përveç interesave të përbashkëta. Të rinjtë nuk duhen të komandohen dhe të sorollaten nga askush, sado i vjetër të jetë ky në politikë.
Cilësitë e vyera e të riut, kapaciteti mendor, imagjinata, guximi, idetë i duhen gjithmonë progresit të një vendi.
Në fund dua ta mbyllë me një thëne që kam lexuar së fundmi e cila thotë:
“Ditët e rinisë janë ditët e shkëlqimit”