Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Enledi Hajro tha se kryesekretarja, aktualisht e shkarkuar nga detyra, duhet ta dinte problemin e dosjeve dhe se duhet të kishte marrë masat e duhura.
Kryetarja e Gjykatës së Tiranës, e konsideron të papranueshëm faktin që kryesekretarja e kësaj gjykate nuk ka njoftuar titullarët për 300 rekurse të viteve 2006- 2015 të padërguara në Gjykatën e Lartë
Kryegjyqtarja e Tiranës rrëfen në vijim edhe argumentet me të cilat janë justifikuar dy sekretaret, për të cilat ajo ka marrë masën e largimit nga detyra.
Zonja kryetare, si u vutë në dijeni të situatës kur 300 rekurse të depozituara në Gjykatën që ju drejtoni nuk i ishin përcjellë Gjykatës së Lartë?
Duke parë që Gjykata e Tiranës është një gjykatë shumë e madhe dhe unë jam një titullare e re në detyrë, kisha nevojë të dija si paraqitej situata, si funksiononte administrata, si edhe problematikat. Një nga problematikat është volumi i madh i dosjeve që përballon kjo gjykatë me infrastrukturën që ajo disponon. Një problem që ne kemi, duke e lidhur me situatën e ndodhur, janë njoftimet.
Ne kemi probleme me njoftimet e vendimeve, kemi problem me sistemin e adresave, me njoftimin e shtyrjeve të gjyqeve. Në këtë kuadër, unë kërkova një informacion nëse kemi rekurse të vonuara, të prapambetura. Kërkova informacion nga secili sektor. Isha duke rishikuar marrëveshjen me Postën Shqiptare. Nga projekti i USAID-it dhe OSBE-së, “Drejtësia pa vonesa”, rezultoi se 50 për qind e gjyqeve shtyheshin vetëm nga problematikat me njoftimet. Për këtë qëllim u kërkua edhe informacioni për rekurset, ankimet.
Kjo për faktin se, ashtu si vonohen seancat, vonohet dhe pjesa e komunikimeve, pasi ka palë që janë jashtë, që kanë ndryshuar adresat, nuk njoftojnë, apo ndryshojnë avokatët. Ka raste ku shkon ftuesi tek avokati që ka qenë me prokurë, ndërkohë që ai thotë se nuk e përfaqëson më palën. Kjo është vështirësi që haset çdo ditë. U vura në dijeni se ishin disa dosje të vonuara, por se po përgatitej informacioni që do të më servirej. Kur cilësohen “të vonuara”, prezumohet që të jenë edhe 2 vjet me vonesë, për shkak të mbingarkesës. Por më rezultoi një listë që ishte vetëm një në 2006-n dhe të tjerat u përkisnin viteve në vijim deri në 2015-n.
Çfarë veprimi ndërmorët ju pas konstatimit të këtij fakti?
Nga ana ime u morën menjëherë masa. Dhashë urdhër që të gjitha rekurset të komunikoheshin, të ndiqej procedura, pasi rekursi duhet t’i komunikohet palës tjetër, për të drejtën e kundërrekursit. Të pritej kundërrekursi, kjo për të gjitha palët dhe më pas dosja me dëftesë komunikimi, dosja të niset për në Gjykatën e Lartë. Pjesa tjetër ishte që këto dosje ishin futur në arkiv. Në rastet kur një dosje hyn në arkiv, vështirësohet gjetja e saj dhe kjo si duket i ka vonuar në kohë dhe kjo ishte një nga shkaqet që ngriti sekretarja gjyqësore, e cila u shkarkua bashkë me kryesekretaren, që dosjet ishin futur në arkiv dhe ishte e vështirë.
Komunikimi juaj i parë pas konstatimit të problemit ishte me kryesekretaren?
U thirr kryesekretarja, e cila më pas nxori emrin e sekretares. Por sekretarja ishte në atë pozicion vetëm 1 vit e gjysmë, ndërsa situata ishte shumë e shtrirë në kohë.
Gjatë procedimit tuaj administrativ, çfarë argumentesh paraqitën dy punonjëset për të cilat u mor masa e largimit nga detyra?
Sekretarja u mbrojt me argumentin se “nuk ka qenë përgjegjësi e imja, atë e dinë titullarët”. Ndërsa kryesekretarja më tha që kam bërë atë që më kanë caktuar titullarët dhe se i kam njoftuar titullarët. U pyet nëse e provonte dot që i kishte njoftuar titullarët. “Nuk e provoj dot, tha, dhe do ta shikoni dhe ju, zonja kryetare, sa do të arrini që në këtë volum të madh pune, ju të bëni shkresa dhe të komunikoni për çdo gjë me shkresa me titullarët, apo me stafin”.
Tha që këtu nuk ka pasur sekretare, s’ka pasur burime njerëzore. Më tha që e ka pasur përgjegjësinë sekretarja që ka ikur me dorëheqje. U pyet nëse i është bërë inventar zyrës së sekretares që është larguar, sa ka lënë, pse i ka lënë, çfarë ka ndodhur? Tha që, atë nuk e di unë, pasi nuk me ka pyetur njeri mua në kryesekretari.
I qëndroni bindjes për të bërë një kallëzim ndaj tyre?
Patjetër, e kemi detyrim ligjor të bëjmë një kallëzim për dyshimin e kryerjes së veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Do ta depozitoj javën tjetër. Nëse sekretarja ka neglizhuar, për shkak se në 1 vit e gjysmë kohë është marrë me rekurset e reja dhe mund të jenë harruar. Ndaj unë përgjegjëse kryesore kam bërë kryesekretaren, pasi ajo është në këtë detyrë që nga viti 2004. Është një problematikë që është e vetmja që e ka ditur. Një sekretare gjyqësore e ka kompetencë procedurale dërgimin e rekursit. Është e drejtë e ankimimit të shtetasit kundër vendimit gjyqësor. Duke e ditur që ka kaq shumë dosje të prapambetura në kohë, a nuk mundet një juriste, një kryesekretare të vlerësojë rëndësinë, pasojën juridike dhe çfarë ndodh nga ky veprim?
Mendoni se përgjegjësia është vetëm e sekretareve, apo ka edhe fajtorë të tjerë?
Është e zgjatur në kohë. Nuk dua t’i drejtoj dikujt gishtin. Unë konstatova një kryesekretare që e kam nga fillimi deri në fund të këtij problemi. Jam e sigurt që duhet ta dinte, pasi ka qenë kryesekretare dhe duhet të kishte marrë masa të njoftonte titullarët.
Sipas jush, jo vetëm si kryetare gjykate, por edhe si juriste, sa të rëndë e konsideroni situatën? Përmendim këtu edhe të drejtën që u lind shtetasve të dëmtuar për një padi për dëmshpërblim?
Duhet të pranojmë që situata është e rëndë dhe e papranueshme. Unë si juriste them që të mos përcjellësh një rekurs është shumë e rëndë. Dosja mund të vonohet në kohë, mbase edhe 3 vjet, për shkak të problemeve me njoftimet, palëve që largohen jashtë vendit, ndryshimet e adresave, mosnjoftimi për ndryshimin e tyre, por Kodi përcakton edhe mënyra të tjera njoftimi, si afishimi në vendbanimet e fundit përkatëse.
Është e vërtetë që Gjykata e Tiranës nuk ka pasur burime njerëzore, që po themi mund të jetë rrethanë lehtësuese. Por kjo nuk mund të jetë një rrethanë shpëtuese, pasi një periudhë 10-vjeçare është e konsiderueshme. Është shumë.